Të rinjtë, e vetmja shpresë
Nga ROLAND QAFOKU
Nuk është vendi për të bërë politikë. Tirana do jetë kryeqyteti europian i rinisë për vitin 2022 dhe kjo nuk është fitore as e PS-së dhe as e PD-së, por e gjithë 1 milion banorëve të kryeqytetit, që do presin pas 3 vjetësh 1 milion banorë nga i gjithë kontinenti. Në terrenin armiqësor shqiptar, duket sikur këto fjali janë të denja për një shtet tjetër. Për Zvicrën për shembull. Nga ana tjetër, duket sikur po bëjmë elozhe. Por, le ta prishim rregullin negativ që kemi ndër ne. Le ta bëjmë këtë përjashtim për arsyen e fortë se po flitet për rininë. Këtë rininë tonë, që duket se është plagosur nga ikjet për një jetë më të mirë në Gjermani, Francë e SHBA. Që duket që ka humbur shpresën dhe është e përfshirë nga dëshpërimi masiv. Le të bëhemi pozitivë dhe ta shikojmë këtë jo si çmim që e ka varur dikush në qafë, por si një mundësi që Tirana dhe Shqipëria të jetë ndryshe. Ky çmim është një lloj inkurajimi se të rinjtë shqiptarë dinë, bëjnë dhe arrijnë. Dhe të mendosh se vetëm disa vite më parë ishte ide bizare që të konkurroje e jo më të fitoje çmimin e kryeqytetit europian. Ndërsa që nga e enjtja kjo nuk është as utopi, as ide, por është realitet. Janë disa arsye që besojmë se ky nuk është thjesht një lajm propagande dhe një lajm për konsum politik, por një arritje “Made in Albania” në këtë shekull të ri që do t’i shërbejë Tiranës, por edhe Shqipërisë më shumë se shumë e shumë aktivitete lokale e qendrore të marra së bashku.
Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se pas shumë kohësh, në Shqipëri kemi një lajm të mirë. Në këtë kohë krize politike dhe institucionale dhe konflikti ekstrem, ku palët janë të etura të eliminojnë doemos kundërshtarin dhe kur Europa na mbylli derën për hapjen e negociatave, marrja e një çmimi dhe kthimi i Tiranës në një kryeqytet europian është si një hajmali. Ky çmim dhe ajo që pritet të ndodhë përgjatë vitit 2022 është ogur për të kuptuar që kjo Shqipëri nuk ka vetëm konflikte, nuk ka vetëm luftë politike, nuk ka vetëm protesta, nuk ka vetëm emigrim, por ka edhe një gravitet që mund të kthehet në shpresë.
Së dyti, Tirana fiton një garë ndërkombëtare dhe kjo është pa dyshim një lajm që i vlen shumë këtij kombi. Tirana jonë triumfoi përballë qyteteve të tjera si Baia Mare të Rumanisë, Kazanit të Rusisë, Poznanit të Polonisë dhe Varazhdin të Kroacisë. Në përroin psikik të “Facebook”-ut çfarë nuk të shohin sytë. Lexon që qytetet me të cilat konkurroi Tirana janë kot dhe kjo është arsyeja përse fitoi aq lehtë Tirana jonë. Në fakt, jo vetëm që këto qytete nuk janë kot sipas përroit të “Facebook”-ut, por edhe sikur të ishte kështu, se nga buron dashakeqësia ndaj vendit tënd përse fitoi diçka, një Zot e di. Vërtet qytetet që konkurruan me Tiranën nuk janë Londra, Parisi, Madridi dhe Roma. Por, mund të pyesim: Pse futboll është ky që, edhe nëse luan ndaj Spanjës tifozët në stadium kanë të drejtë të kërkojnë fitore?
Megjithatë, përtej humorit, të katër qytetet konkurruese janë më përvojë në kësi konkursesh dhe ne as jemi matur ndonjëherë dhe as kemi fituar ndonjëherë deri më sot. Kjo fitore e parë e këtij lloji është ndaj qyteteve të katër shteteve, që janë ku e ku me Shqipërinë tonë, e cila vijon të lërë pas në Europë për nga fuqia ekonomike vetëm Moldavinë. Ka tri rrugë për të shmangur këta lloj kritikësh: Të mos bësh asgjë, të mos thuash asgjë dhe të mos jesh asgjë. Tirana fitoi. Tani duhet të presë edhe kritikat e atyre që nuk bëjnë gjë, nuk thonë gjë dhe nuk janë asgjë.
Së treti, marrja e çmimit “European Youth Capital 2022” e shndërron për herë të parë një qytet shqiptar, në këtë rast kryeqytetin tonë, në një qendër europiane. Në kontinentin plak me 700 milionë banorë dhe me 50 shtete, nga të cilat të paktën 20 prej tyre për nga vlerat gjenerale kanë qytete të përmasave XXL, si Parisi, Roma, Madridi, Moska, Mynihu, Milano etj., të kenë për 12 muaj Tiranën si kryeqytet për të rinjtë, nuk është pak. Do jenë 1 mijë aktivitete, që do përbëjnë bazën e kësaj fitoreje dhe pa dyshim që do sjellin një impakt të ri në qendrën e shtetit tonë si në ekonomi, jetë kulturore e gjithfarësoj. E pra, vërtet kërkojmë t’i bashkohemi Europës duke u bërë pjesë e BE-së, por për ironi, në vitin 2022, një pjesë e të rinjve të kësaj Europe do jetë në rrugët e Tiranës duke iu gëzuar aktiviteteve pafund.
Është shumë me vlerë që qendra europiane në Tiranë i përket rinisë. Kësaj rinie, për të cilën duhet thënë që më shumë e ka mendjen të shkojë në Gjermani, sesa të punojë në vendin e vet. Ka një shembull në Europë, që ka bërë shumë përshtypje për tendencën që ka në vitet e fundit: 25 për qind e popullsisë së Letonisë, që kur është bërë anëtar i BE-së në vitin 2004, është larguar nga vendi i vet drejt anëtarëve të tjerë si Gjermani, Francë dhe Britani. Pra, një e katërta e popullsisë letoneze është larguar prej atdheut të vet dhe pjesa më e madhe e këtij largimi masiv është e të rinjve. Ky është një rast që të kuptojmë se ky lloj alarmi nuk është vetë shqiptar, por që ka sensibilizuar aq shumë shoqërinë tonë, sa ne duhet të përpiqemi të gjejmë se cilat janë mënyrat që largimet të mos arrijnë deri në këto nivele. Dhe thembra e Akilit është papunësia e të rinjve. Sipas INSTAT-it, moshat nga 15-29 vjeç përbëjnë 34.2 për qind të papunësisë në rang kombëtar. Unë futem tek ata, që besojnë jo vetëm INSTAT-in se kjo dhe vetëm kjo është arsyeja që një pjesë e konsiderueshme e të rinjve duan të largohen nga vendi. Me çmimin “European Youth Capital 2022”, Tirana pritet të bëhet magnet i të rinjve nga e gjithë kontinenti. Nuk është mrekullia vetë ajo që pritet të ndodhë në vitin 2022. Por besoj se ky vit duhet dhe do jetë me më pak papunësi me të rinj.
Sekreti i suksesit është këmbëngulja për arritjen e qëllimit. Dhe të mendosh që autorë dhe realizues të këtij projekti janë vetëm të rinjtë, është kuptimplote. Natyrisht që përvoja e të vjetërve është mëse e nevojshme, por këmbëngulja në arritjen e këtij suksesi është me të vërtetë mbresëlënëse.
Ky çmim do të ulë ndjeshëm numrin e toksicitetit të shoqërisë. Në politikën aq shumë të indoktrinuar që ne kemi, pa dyshim që armiqtë politikë nuk do lënë gurë pa lëvizur, ashtu siç nuk i lanë edhe gjatë konkurrimit. Letra anonime për këtë konkurs duke sharë në gjuhë të huaj Tiranën, duke kërkuar që të mos i jepej ky çmim, nuk ka më pak ngjasim sesa letrat anonime po në gjuhë të huaj për Nobelin e Kadarenë. Por ama, Tirana fitoi dhe në këtë kontekst duhet të themi se fitoi edhe ndaj atyre që e shanë Tiranën në gjuhë të huaj.
Një arsye tjetër është se ata që janë pjesë e këtij aplikimi kanë qenë ata, që me bashkinë vetëm disa muaj më parë kanë qenë në llogore të ndryshme. Janë organizata, shoqata dhe përfaqësues rinorë që kanë kritikuar bashkinë, por u bënë pjesë e këtij evenimenti duke u bërë edhe kritikues, por edhe bashkëpunues.
Jo’-ja e BE-së që Shqipërisë të mos i hapen negociatat ishte një shuplakë për politikën shqiptare. Por vetëm një muaj më pas, marrja e këtij çmimi që një qytet të bëhet qendër e rinisë së kësaj Europe, e cila nuk hapi negociatat, pa dyshim që ka një vlerë madhore. Ironikisht, në ceremoninë e dhënies së këtij çmimi ishte edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili bëri elozhe për rininë europiane, që sipas tij ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kulturës, demokracisë, klimës dhe ekologjisë. Por fatkeqësisht, Macron nuk përmendi që në 2022 qendra e këtij roli do jetë në Tiranën e Shqipërisë, që ai i tha ‘jo’ hapjes së negociatave.
Por duket se atë që nuk e bëjnë të vjetrit, e bëjnë të rinjtë. Deri më sot, politika e burrave me flokë të thinjur të politikës së vërtetë ka shënuar arritje. Anëtarësimi në NATO, heqja e regjimit të vizave janë dy arritjet më të mëdha të Shqipërisë së tranzicionit. Përse të mos e quajmë që Tirana kryeqytet i Europës në 2022 të jetë preludi i hyrjes në BE të Shqipërisë.
Në një vit normal, askush nuk do të parashikonte se ç’do bëhej në Shqipëri në vitin 2022. Nëse mbështetemi në kalendar dhe nëse nuk ndodh shkarkimi i Presidentit Ilir Meta, llogaritet që në vitin 2022 të ketë dy ngjarje të mëdha: E para, në politikë pritet të jetë zgjedhja për Presidentin e ri. Dhe në sport pritet të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit në Katar, që për ne shqiptarët, marrim apo nuk marrim pjesë, është ngjarje që mezi pritet. Por axhendës i shtohet edhe një eveniment ndërkontinental si ai i “European Youth Capital 2022”,ekskluzivisht për Tiranën, që tregon se vetëm të rinjtë mund ta ndryshojnë gravitetin dhe vetëm ata japin të tillë shpresë. Të presim.