Të tjera detaje për darkën 8 mijë euroshe të Ramës në Milano
Ish –kandidati i PS për deputet në qarkun e Lezhës, Eduard Ndocaj ka zbardhur të tjera detaje në lidhje me darkën 8 mijë euroshe që ai ka paguar për kryeministrin Rama dhe disa deputetë e bashkëpunëtorë të tij, në Milano. Duke replikuar me një nga organizatorët e darkës, Ndocaj thotë se ai ka paguar darkën për 90 persona, 35 prej të cilëve kanë qenë pjesë e stafit të Edi Ramës. Denoncimi i Ndocajt, pas largimit nga PS, ka krijuar jo pak shetësim në radhët e PS dhe ka vënë në lëvizje edhe pjesëmarrës në darkën e luksit në Itali, të cilët kanë nisur të marrin përsipër shpenzimet. Por Ndocaj ka publikuar në profilin e tij në Facebook disa foto për të vërtetuar se ka qenë ai sponsori i darkës, si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Albania e il Futuro” dhe disa të dhëna të tjera, si një tjetër pagesë 8 mijë euroshe për një prej anëtarëve të Dhomës së Tregtisë së Lombardisë, mik i Ramës.
“Prova te pa kontestueshme edhe me fotot qe po publikoj jane:
– Une, Eduart Ndocaj kam qene Sekretar i Pergjithshem dhe arka e shoqates "Albania e il Futuro"
-Se dyti, ne te gjitha fotot duket qarte se une jam sponsori kryesor i drekes.
-Se treti, kam harru me thene edhe dicka tjeter, se ty (i drejtohet Astrit Celes) per ate dreke si organizator te kam dhe 8 mije euro.
-Se karterti ne dreke kane marre pjese 90 persona nga te cilet 35 kane qene stafi i Rames.
-Se pesti, per kete deklarate qe ke bere qe ka burimi nga Milano do te takohemi e do t’i sqarojme.
-Se gjashti, meqe kete pune po e ben pune pazari, me trego sa leke te kane dhene me mashtruar e une te jap dyfishin qe te thuash te verteten
-Pushteti shkon e vjen por buken mos e shkel.”
Darka e Milanos duket se është vetëm maja e ajsbergut e shpenzimeve të Eduard Ndocajt për PS –në. Ai pretendon se ka paguar 600 milionë lekë për fushatën e vitit 2013 në qytetin e Lezhës, para që ai thotë se ua ka dhënë disa deputetëve të PS, përfshirë edhe kryesuesen e listës së Lezhës, Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. PS e Lezhës reagoi ndaj këtyre pretendimeve të Ndocajt. Ajo tha se Ndocaj nuk ka qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Socialiste, por nuk i mohoi shpenzimet për të cilat flet Ndocaj.