Të tre për standartet, por pa të burgosur rrotull

 

Nga Lorenc Vangjeli/

Janë të tre në një garë elektorale. Janë pak a shumë njëlloj veteranë në proceset elektorale, por secili prej tyre, këto zgjedhje vere i ka për herë të parë. Dhe për herë të parë ata e provojnë këtë garë në pozicionin e tyre politik.

Rama hyn në zgjedhje për herë të parë me barrën e kryeministrit në supe. Me kërkesën për të qenë fitimtar në zgjedhje, por dhe përgjegjës kryesor për cilësinë dhe standartet e tyre.

Meta hyn në zgjedhje për herë të parë nga pozicioni i Kryetarit të Kuvendit. Me sfidën e qartë për ta bërë partinë e tij të dytën në shifra në hierarkinë politike në vend.

Basha hyn për zgjedhje për herë të parë me cilësinë e kryetarit të PD-së dhe gjithë opozitës. Me të gjitha shanset dhe rrethanat kundër, ai duhet të fitojë me shifra ndaj dy kundërshtarëve të tij, por edhe të trimfojë duke ju imponuar sidomos kritikëve të tij të heshtur brenda partisë. Eshtë i dënuar të fitojë edhe kundër cinikëve që mezi presin që ai të dështojë në këtë ndeshje të parë elektorale. Eshtë i dënuar të fitojë edhe kundër atyre që e mendojnë të përkohshëm në pozicionin e tij dhe në heshtje nuk i njohin autoritetin si kryetar partie. Sepse autoriteti në politikë është si dashuria: nuk fitohet nga poltroni, por vjen nëpërmjet suksesit. Vetiu kur t’i vijë koha dhe koha vjen bashkë me shifrat elektorale!

Të tre bashkë, megjithatë kanë dhe një garë që do të ishte e udhës ta fitonin gjithashtu të tre në të njëjtën kohë. Në një vend normal një garë e tillë as nuk do të diskutohej dhe as nuk do t’i shkonte kujt në vend, por në Shqipëri, kjo rezulton të jetë sot e nesër, në datën 21 qershor e më pas, gara më e rëndësishme për publikun dhe të gjithë vendin.

Sipas renditjes, ajo do të jetë gara e Ramës, Metës dhe Bashës vetë: garantimi i standarteve zgjedhore, që ato të “..mos jenë vetëm një hap domethënës në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por ende larg standarteve më të mira evropiane”, siç kanë qenë gjithmonë në spiralen pambarim të zgjedhjeve në Shqipëri. Ato lipset të në të njëjtin hap me zgjedhjet evropiane”.

Dy ditë përpara ditës vendimtare Basha është skeptik për këtë garë dhe mjaft i shqetësuar. Ja çfarë ideje ka ai:  “Përdorimi i administratës është provuar në dhjetëra raste, me urdhërat që kanë marrë për të paraqitur listat e votuesve, të cilët ndryshe rrezikojnë vendin e punës. Faktohet me praninë masive në takimet elektorale dhe me mungesën në postet në institucione. Kjo provohet edhe në dhjetëra takime për shpërndarjen e çertifikatave të shpronësisë”.

Për kryetarin e PD-së është faktuar dhe përdorimi i policisë në procesin elektoral. “Ndërkohë që sot, Rama dhe Meta mbanin konferencën e tyre, në të njëjtin moment, bandat në Vorë kërcënuan shtabin tonë, duke u thënë të largoheshin nga shtabi i tyre, ndryshe do të hapnin zjarr. Kjo bandë ka 72 orë që është e pranishme në qendër të Vorës, bashkë me forcat operacionale të policisë, që ndonëse vëzhgojnë këta individë, nuk ndërhyjnë. Policia vijon të keqpërdoret masivisht, sepse Rama ka vendosur në këto zgjedhje persona me preçedentë penalë, si për shembull shefi i policisë së Klosit. Ndërsa Ilir Meta ka urdhëruar FNSH-në që të ndërhyjë në Shkodër e Bulqizë, pasi nuk i kanë mjaftuar bandat atje. Edhe dje në Elbasan, një kriminel i njohur është sjellë nga nga Britania nga oktapodi Qazim Sejdini dhe ka terrorizuar një lagje të tërë romësh”, thotë kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Tjetër kund dhe krejt ndryshe e sheh Shqipërinë parazgjedhore Edi Rama. “Në gjithë këtë fushatë nuk ka ndodhur në asnjë rast që të mbyllet një shkollë, që takimet e kryetarit të Kuvendit apo kryeministrit të bëhen arsye për të marrë në rresht nxënës, mësues, që të mbushin sheshin. Administrata e shtetit në asnjë rast nuk është imponuar për të qenë e pranishme në kuadrate të përcaktuara mitingjesh apo për të dorëzuar kartën e identitetit për të mos votuar. Ushtria nuk është përfshirë në fushatë siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara kur ministri i Mbrojtjes u kthye në drejtor të punëve komunale. Për herë të parë buxheti i shtetit nuk u bë pjesë e shpenzimeve elektorale. Shpenzimet nga buxheti nuk u frynë dhe as nuk u deformuan për shkak të fushatës”, thotë kryeministri Edi Rama.

Ilir Meta edhe në minutën e fundit para nisjes së heshtjes zgjedhore, insiston sërish tek liria e votës dhe denoncimi i çdo presioni mbi votën. “Kjo ka qenë një fushatë model, siç i takon çdo vendi evropian. Edhe njëherë theksoj rëndësinë e madhe të mbarëvajtjes së mëtejshme të fushatës e procesit të votimit e numërimit. Vetëm kështu fitojnë qytetarët duke arritur standarde të larta. Një standard shumë i rëndësishëm është edhe pjesëmarrja në votim. Ftoj gjithë shqiptarët të mos mungojnë në atë ditë që nuk është e zakonshme, por është ditë historike. Ajo ndan Shqipërinë e një periudhe të vjetër të keqorganizimit administrativ, në Shqipërinë e një reforme madhore dhe që ofron mundësi të shkëlqyera për standarde evrpiane në shërbimin ndaj qytetarëve tanë. Kush nuk voton nuk ka të drejtë të ankohet nesër. Të votojnë të lirë, pa u ndikuar nga çdo formë presioni e shantazhi. Të gjithë të evitojnë çdo lloj ndikimi para e gjatë momentit të votimit. Ftoj qytetarët të denoncojnë cdo formë të shkeljes së ligjit dhe të hetohen raste të tilla”, thotë kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Ndeshja e këtyre tre opinioneve do të tregojë dhe se kush nga ta ka pasur të drejtë. Do të tregojë se kush fiton dhe kush humb. Por në fakt, në rrëmujën e lajmeve që prodhon normalisht një fushtë zgjedhore në Shqipëri, një nga to ka humbur. Eshtë kujtuar shumë pak, ndonëse është shumë e rëndësishme. Eshtë një akt i kryer nga ministri i drejtësisë Nasip Naço. Naço paralajmëroi se gjatë fushatës elektorale kishte urdhëruar të pezulloheshin të gjitha lejet shpërblyese që jepeshin për të burgosurit në Shqipëri. Ka qenë gjithmonë kontigjenti që pushteti në Shqipëri i përdorte rregullisht në çdo fushatë elektorale. Ishin njerëzit që mbasi kishin humbur lirinë, përdoreshin për të dhunuar lirinë e votës. Janë përmendur në çdo raport të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet në Shqipëri. Kësaj rradhe do të përmenden sërish, por ndryshe: “Nuk pati asnjë rast të përdorimit të të burgosurve në fushatë”, do të shkruhet në raportin përfundimtar të OCBE/ODIHR-it. Një me zero për standartet, do të thonë atëherë Rama e Meta dhe Basha pa dyshim që do të pohojë. Do të pohojë me kokë, por pa zë.

Javanews.al

SHKARKO APP