Të udhëheqësh me shembull
Duke e deklaruar këtë parim aktiv sot, lideri demokrat Basha njohu edhe njëherë primatin kulturor të politikëbërjes së LSI. Dhe unë për këtë jam i detyruar ta falenderoj publikisht…
Nga Edmond Stojku
Partia Demokratike festoi këto ditë përvjetorin e saj të 26 të themelimit duke deklaruar për herë të dytë hapjen e saj të madhe ndaj anëtarësisë dhe duke pohuar nevojën për një reformim thelbësor të metodës së vendim-marrjes së brendshme.
Deklaratat e z.Basha nga foltorja e festës erdhën në fakt vetëm një javë pas Konventës së LSI e cila shpalosi një platformë shumë herë më të avancuar në konceptin e saj politik.
Edhe njëherë LSI arriti të imponojë në vend një standard të ri politik, ndërsa partitë e mëdha do të vihen përsëri në garë qoftë për të imituar vendimet e saj, ashtu edhe për të promovuar një imazh të ripërtërirë të strukturës.
Rregullat e marketingut thonë se në të gjitha rastet përpjekjet e imitimit të një ideje apo produkti shkojnë në favor të atij që doli i pari në treg me këto ide dhe produkte. Në rastin e politikë bërjes – ky parim është edhe më i qëndrueshëm, sepse ai reflekton edhe parime të tjera shumë herë më thelbësore falë mënyrës së funksionimit të brendshëm. E thënë ndryshe, sa më shumë partitë e tjera të ndjekin shembullin e LSI-së, aq më tepër imazhi i saj do të ngrihet në sytë e publikut të gjerë.
Më duhet gjithsesi të them se sado të sinqerta qofshin këto përpjekje nga partitë historike në vend, ato nuk do ta kenë të lehtë të arrijnë suksesin e LSI-së në zbatimin e këtyre standarteve të reja.
E para – në dallim nga LSI, Partia Demokratike e drejtuar nga z,Basha është një strukturë ende e përfshirë në tektonikën e ndryshimit qoftë të frymës ashtu edhe të organizimit – me konflikte të thella në bazë dhe me një lidership ende të pakonsoliduar. Heshtjet e sforcuara të ish-kryetarit Berisha për të mos eklipsuar liderin e ri të partisë, më shumë dëshmojnë kërcinjtë e hollë politikë të Bashës sesa pozitat e tij reale në krye të partisë.
E dyta, Basha trashëgon një strukturë, e cila ka njohur një rrudhje të rëndësishme për shkak të pozitave të paqarta të PD-së në raport me interest e elektoratit të saj historik. Votuesi i moderuar i PD-së është sot shumë më sycelët e po aq edhe i bindur se atij i duhet një forcë tjetër për ta perfaqësuar në jetën politike të vendit. PD ideologjikisht nuk frymëzon më asnjeri. Në nivelin e përfaqësimit – ajo është peng i së shkuarës së saj problematike në qeverisje. Kur erdhi në krye të qeverisë, Berisha e shpërbëri atë si parti duke u fokusuar kryesisht tek administrata. Basha ka trashëguar një tufë mëkatarësh që e duan partinë si mburojë ndaj së shkuarës së tyre. Elektorati nuk beson asnjërin.
E treta, demokracia e brendshme e PD-së deri më sot ka qenë një përrallë që nuk e besojnë as anëtarët e këshillit kombëtar të saj. Largimi i disa emrave të spikatur drejt grupimeve të reja politike në rritje si PDIU etj është vetëm shenja e jashtme e refuzimit të kësaj mungese të rëndë të frymës demokratike të një partie politike. Vetë z.Basha erdhi në krye të PD-së falë mungesës së demokracisë brenda saj.
LSI miratoi në Konventën e saj parimin e njohjes dhe pranimit deri edhe të fraksioneve brenda saj. Zgjedhjen e cdo niveli me parimin një anëtar një votë LSI e ka zbatuar e para dhe jo vetëm kaq: ajo detyroi partitë e mëdha që të pranonin këtë kusht formal të demokracisë së brendshme si kriter që modernizon jetën politike të vendit.
Duke e deklaruar këtë parim aktiv sot, lideri demokrat Basha njohu edhe njëherë primatin kulturor të politikëbërjes së LSI. Dhe unë për këtë jam i detyruar ta falenderoj publikisht. LSI është e lumtur të shohë që parimet e saj janë tani kushte të panegociueshme edhe për partitë e mëdha në rast se duan të tregohen forca politike të besueshme. Njëherësh zgjedhësit kanë rastin të vlerësojnë se të bësh politikë nuk do të thotë vetëm të flasësh, por së pari të udhëheqësh me shembull. Dhe LSI këtë – deri më sot, e ka bërë bindshëm.