Teatri i ri apo teatri i vjetër?

Nga Edmond Budina

Ishte viti 2003. Po punoja për filmin tim “Letra ere” në Cinecitta. Dita kish qenë tepër e lodhshme dhe pa e pasur fare mendjen u plasa në një kolltuk të vjetër e të gërvishur lëkure, nga ata që këtu tek ne i nxjerrin në rrugë afër kazanit të plehrave. Producentja që më shoqëronte më tha: “Në atë kolltuk ku ti sapo u ule, ulej gjithmonë Federico Fellini”. Sikur të më kish përshkuar një rrymë e padukshme, si një energji që të vjen së brendshmi, e pashpjegueshme, u ngrita ne këmbë duke harruar lodhjen. E prekja dhe ndjeja energjinë e tij, atje ku ai ish ulur, kish mbështetur duart, bërrylat, ish gëzuar e mbase edhe kish qarë, ose kish thënë ato gjysmë të vërteta, gjysmë të pavërteta për të cilat ish i njohur. Të njëjtin efekt kisha provuar edhe vite më parë kur kisha luajtur në teatro “Valle” (një nga me te vjetrit e Romës) kur më thanë se isha shqiptari i dytë që luaja atje pas Aleksandër Moisiut. I solla këto shembuj për të thënë që asnjë video, muze ose instalacion imagjinar nuk mund ta zëvendësojë dot një objekt real, mbi të cilin kanë mbetur shenjat, energjitë e gjithë atyre që i kanë jetuar ato. Është e njëjta gjë me Teatrin Kombëtar, ku kanë lënë shenjat, energjitë, ëndrrat qoftë spektatorët, qoftë më të shquarit e kulturës e teatrit shqiptar. Sado i sofistikuar të jetë ekspozimi në një ambient tjetër, qoftë edhe në një teatër të ri, nuk do të kishte aspak vlerën e reales, historisë së mbetur mbi objektet. Do të që njësoj sikur të shembesh ndërtesen ku së fundmi u bë muze apartamenti i shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare dhe objektet, librat e gjithçka t’i vendosësh në një muze. Po ashtu të veprohej edhe me shtëpinë e tij në Gjirokastër e të mos ristrukturohej. A do të kishte të njëjtën vlerë? Sigurisht që jo. Jo më kot në të gjitha vendet e qytetëruara ruhen shtëpitë, objektet e shkrimtarëve, filozofëve, aktorëve, njerëzve të shquar, por mbi të gjitha ruhen teatrot e vjetra. Në Teatrin Kombëtar kanë luajtur e kanë vënë në skenë Kadarenjtë e artit skenik shqiptar. Pyetja është fare e thjeshtë: Përse u dashka me çdo kusht që shtëpia e tyre e përbashkët të shembet?! Përse duhet të shembet një kompleks teatror me një kapacitet prej njëmijë e dyqind spektatorësh e të mos ndërtosh një teatër ultra modern diku gjetkë dhe të dyfishosh numrin e spektatorëve?! Tirana njëmilionëshe ka nevojë të domosdoshme të rrisë numrin e sallave teatrore e jo t’i zvogëlojë ato. Kujtojmë që nuk shembet vetëm Teatri Kombëtar, por edhe ai Kombëtar Eksperimental. Edhe në planet e Tiranës së para viteve tetëdhjetë ishte parashikuar ndërtimi i një teatri të ri, por në asnjë mënyrë nuk është diskutuar shembja e Teatrit Kombëtar ekzistues. Në vitet tetëdhjetë, ku unë kam qenë personalisht dëshmitar, (ata që kanë punuar me mua e dinë mirë edhe se ç’funksione kam pasur) janë diskutuar edhe vendet se ku do të ndërtohej i riu, bile m’u në zemër të Tiranës. Midis rrugës së Kavajes e rrugës së Durresit, tek Dhoma e Tregtise, ku tani po ndërtohet një kullë, tek sheshi ku janë bustet e vëllezërve Frashëri, në bulevard të madh dhe tek sheshi “Avni Rustemi”. Këmbëngulja e pakuptimtë për të prishur godinat ekzistuese është qartësisht e dukshme. Zhdukja e identitetit, trashëgimisë dhe lidhjet e ngushta korruptive midis pushtetit politik dhe mafies së ndërtimit. Vjedhja e truallit publik, pastrimi i parave, fitimi marramendës janë të vetmet arsye që këmbëngulet me kaq forcë. Për këtë ka një propagande të tërbuar shpifëse e denigruese që i ka ka kaluar të gjitha caqet. Shpifet për objektet e denigrohen njerëzit, futen ata në grindje. Thuhet e çfarë nuk thuhet për atë kompleks teatror; kapanon ushtarësh, stallë kuajsh, e përkohshme, dopo lavoro (thua se kjo fjalë është nga mëkatet më të medha), tallash, tallash, tallash dhe deri…shtëpi publike ku bëheshin orgjira!!! “Fali o Zot se nuk dinë ç’thonë! E kanë nga injoranca”. Dhe Zoti injorancën ta fal, por jo ligësinë, keqdashjen e pangopësinë e interesave. Këtu përfshihen pushtetarë, mafiozë, militantë, delirantë, interesaxhinj, lepiranikë, peqelepista, megallomanë, të pashkollë etj. Në këtë aradhe prishësish, nëse ka njerëz me një farë kulture, brenda vetes së tyre me siguri e dinë që ai teatër nuk duhet prishur. Sa më i kulturuar e i pavarur të jesh, aq me tepër je i ndërgjegjësuar për mosprishjen. Interesat meskine mbytin logjikën, ndërgjegjen e rrjedhimisht bëhesh pjesë e klaneve pushtetaro-mafioze, me ose pa vetëdije. Dhe kjo bëhet e pafalshme kur thuhet se nuk më intereson nëse vidhet ose jo trualli publik, atë le ta zgjidhin gjykatat!

Flitet se mjetet e propagandës janë të pakursyera nga ana e pushtetareve. Janë punësuar me dhjetëra, thonë, që diku nga sallat e poshtme të Pallatit të Kongreseve, kontrollojnë rrjetet sociale dhe shkojnë deri atje sa kontrollojnë edhe pëlqimet që personat vënë nëpër ato rrjete. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë as që mund të flitet më për një shtet e vend demokratik. Dhe pikërisht me këto mjete propagandistike kanë arritur të krijojnë deri diku përshtypjen se çështja e prishjes ose jo të Teatrit Kombëtar është politizuar. Që ata të cilët janë kundër prishjes janë të përdorur! Të përdorur prej kujt? (Thua se jemi një brisk rroje dhe pas përdorimit e hedh). Natyrisht edhe unë mendoj se ka politizim dhe përdorje, por prej rilindjes (nuk mund t’i quaj socialistë, sepse nuk gjej asgjë të përbashket me miqtë e vërtetë socialistë). Nëse pushteti rilindas vendos në mënyrë të njëanshme, pa marrë në konsideratë asnjë mendim apo sugjerim prej askujt dhe kërkon prishjen me çdo kusht, i bie që ne me mendim të kundërt jemi të politizuar?! Lëvizja për mbrojtjen e teatrit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht ngjyrimeve politike të marrin pjesë në mbrojtjen e tij. Çdo politikan e militant është së pari qytetar e ka mendimet e veta. Atje nuk ka pasur asnjë ndikim politik prej askujt dhe as tani nuk ka. Ne kemi bërë aleancë me opozitën, sepse ata iu bashkuan kauzës sonë, që ne mendojmë se është e drejtë. Mes nesh nuk mungojnë as socialistë, por po të qenë bashkuar edhe më shumë do të që edhe më mirë. Aleanca me opozitën ishte një hap i matur dhe i përgjegjshëm. Për herë të parë një opozitë politike bën të sajin opinionin qytetar dhe e fut në program, duke nënshkruar me përgjegjësi. Pushtetarët rilindas, jo vetëm që nuk dëgjojnë opinionet e qytetarëve, por i nëpërkëmbin e i shpërfillin. Gjithë debati i tyre është spostuar; i vjetër-i ri, tallash-beton, me pëlqen-s’me pëlqen. Nëse çdo mëngjes kryeministri nxjerr prej mëngës, si letra bixhozi, një fant spathi, çupe kupe apo dhjetë karre dhe na i paraqet si mendime superiore, qenkemi ne të përdorur?! Sa e trishtueshme është nxjerrja nëpër ekrane tëlevizive, ose shkruarja e artikujve për të mbrojtur të pambrojtshmen; të shembet Tëatri Kombëtar se është i vjetër!!! Ndërkohë arsyet e mosshembjes janë sa të argumentuara, aq edhe të vërtetuara nga specialistë e profesionistë të të gjitha fushave. Tashmë është tepër e qartë që pro shembjes janë ata që kanë problemin e vendit të punës, të shpërblyer me pensione speciale, projekte të financuara majmshëm, leje ndërtimi, kredi të buta, ruajtje e marrje postesh, kërcënime për pushim nga puna të të afërmve, kurime etj. Harrojmë që të gjitha këto nuk duhet të jenë një privilegj, që ta bën kryeministri apo kryebashkiaku, por një e drejtë e gjithësecilit prej nesh, si qytetarë e taksapagues të këtij vendi e në bazë të meritave të gjithësecilit. Si mund të vihen në kandar emrat e bëmat e krijuesve?! Kjo është meskine, keqdashëse, primitive. Ç’mund të themi atëherë për emrat e aktorëve, regjisorëve, dramaturgëve, shkrimtarëve, profesorëve, filozofëve, gazetarëve, këngëtarëve të huaj me famë botërore, deri dhe fitues të çmimit nobel, që çdo ditë i bashkohen kauzes së ruajtjes të Teatrit Kombëtar? Po t’u shtojmë edhe artistët e intelektualet shqiptarë nga mendoni se do të anojë peshorja? Tashmë derri maç i ka mbetur në dorë kryeministrit dhe përdor këto mënyra mediokre e përçarëse.

Teatri Kombëtar Eksperimental, (që është përbri Teatrit Kombëtar dhe që parashikohet të shembet) ka një financim vjetor prej 8 milion lekësh në vit dhe ka dhënë 480 shfaqje, ka realizuar 19 premiera dhe ka në repertor aktiv 12 shfaqje. A nuk do të ishte e turpshme, fjala vjen, nëse dy projekte të financuara nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës me një shumë rreth 10 milion lekë të shfaqen vetëm 10 herë?! Vetëm në Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar janë dhënë mbi dhjetë shfaqje, pa asnjë financim. A nuk do të që e ndershme që Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, të bënin transparente të gjitha projektet teatrore të financuara prej tyre, me shumat përkatëse, në këtë një vit e gjysmë të përplasjeve për shembjen ose jo të Teatrit Kombëtar? Mendoj se i bën mirë, jo vetëm institucioneve, që tregojnë se nuk kanë abuzuar me shifrat për të bërë qoka e ndere për interesa të caktuara, por edhe vetë krijuesve, që të heqin çdo dyshim a thashethem për blerje të heshtjes. Në fund të fundit asnjë titullar institucioni nuk i nxjerr lekët prej xhepit të vet. Pushtetarëve të sotëm nuk u intereson fare arti teatror, ose u intereson e mbështesin vetëm atë art që nuk u krijon problem ose u shërben vetëm interesave të tyre, që iu mpin mendjen qytetarëve me nivelin mediokër për t’i trajtuar pastaj si delet. Po të që ndryshe do të kishin rritur buxhetet për teatrin, do të kishin rritur rrogat e teatrantëve, do të kishin ligjëruar statusin e artistit, do të kishin ndërtuar me cilësi disa teatro kudo në Shqipëri. Do të kishin nxitur politika për rritjen e nivelit të dramaturgjisë kombëtare dhe cilësinë. Ne kaq vite nuk kanë ngulur as edhe një gozhdë në Teatrin Kombëtar duke rrezikuar jetët e spektatorëve e përkeqësuar kushtet e punës së punonjësve të teatrit. Duke shkelur ligjet e kodin e punës i kanë kthyer kontratat e aktorëve nga të përhershme në të përkohshme! Dhe ato të ashtuquajtura sindikata, (në fakt jane vazhdim i Bashkimeve Profesionale të dikurshme) në vend që të merren me sa thamë më sipër, iu servilosen e u shërbejnë pushtetarëve. Sikundër nuk kundërshtuan as transferimin të ArtTurbina (Turbinë po, por art i thënçin), sikundër nuk kundërshtojnë as shkeljen e ligjit e Kushtetutën, që ende pa mbaruar gara për ndërtimin e teatrit të ri është de facto shpallur si projektuesi ashtu dhe projekti. Ku në komision do të marrin pjesë edhe një drejtor e një artist! Dua t’u kujtoj që qoftë edhe në një ristrukturim apo ndërtim të një teatri ka nevojë sigurisht për arkitektë, konstruktorë, inxhinjerë për akustikën, për ndriçimin, foninë, mjeshtra mekanike etj, por jo për drejtorë ose aktorë e regjisorë. Ka nevoje për SKENOGRAFË. Janë ata që njohin hapësirat, volumet, përmasat që projektojnë e realizojnë dekoret dhe që duhet të harmonizohen me specialistët e mësipërm. Në të kundërtën përherë do të bëhen gabime (sikundër janë bërë deri tani) e paratë e investuara do të shkojnë dëm.

Në datën 24 korrik policia rrethoi e keqtrajtoi artistët e qytetarët në një mënyrë barbare. Asnjëherë nuk i kemi parë forcat e rendit të keqtrajtojnë në atë mënyrë as kriminelët, as ata që merren me drogë e as mafiozët e çdo lloji. Qysh prej asaj dite në Teatrin Kombëtar dhe atë Eksperimental janë hequr dritat dhe uji! Një akt i paprecedentë kriminal i një qeverie të papërgjegjshme. Me këtë gjest, qeveria ka vënë në rrezik jetët e njerëzve, thua se ata “uzurpatorë” nuk janë njerëz, nuk janë nënshtetas të këtij vendi, nuk janë bashkëkombas. Sa hipokrite tingëllon fjala që do të jemi qeveri e të gjithë qytetarëve. Në asnjë vend të qytetëruar nuk hiqen dritat dhe uji, për asnjë arsye. Nuk vihet në rrezik jeta e qytetarëve, qofshin në të drejtë ose jo. Nuk ka asnjë ligj që të justifikon prerjen e dritave e ujit përderisa nuk është marrë një vendim për shembjen e kompleksit teatror. Por në këtë vend, e fundmja gjë që bëhet është respektimi i ligjit, pavarësisht se çirren e ulërasin për respektimin e tij.

Dy fjalë së fundmi edhe për ata kolegë, pavarësisht bindjeve të ndryshme që mund të kemi, jo vetëm nuk u solidarizuan me ne që u keqtrajtuam nga policia, por edhe hodhën baltë e na bënë biografitë në mënyrën më të shëmtuar. Çfarë zhgënjimi, për ata që i ke konsideruar miq dhe i ke mbrojtur, i ke ndihmuar. Kupton me dhimbje se nuk i paske pasur kurrë të tillë. Kjo periudhë do të kalojë, po ashtu edhe joshjet, përfitimet e çastit, interesat do të ndryshojnë, por shija e hidhur për miqësinë e thyer, për të cilën të janë dashur dekada ta ndërtosh, do të mbetet. Vlerë do të kenë vetëm bëmat që lëmë pas.

SHKARKO APP