Telenovelë, thriller apo thjesht lojë pushteti
Shqiptarët patën shansin të përjetojnë disa ditë spektakolare, ku detajet intriguese qenë të shumta. Dikujt mund t’i ketë pëlqyer të dëgjojë mes fjalive të kursyera të Tom Doshit fjalinë: “Rama ka një tutor”, apo të shohë deputetin Koço Kokëdhima, i cili është përfolur si njeri i besuar dhe mësues i Ramës, të dalë thellësisht i keqinformuar para një ngjarjeje të rëndësishme si ajo e përjashtimit të Doshit nga grupi parlamentar socialist.
Nga Gjergj Erebara
Gazetarët me siguri që u ekzaltuan nga numri i klikimeve në një mori lajmesh, ku shumicën e përbënin ripublikime deklaratash të stërholluara nga çdo anë.
Politikanët e panë me leverdi që të përdorin ngacmimin popullor mbi ngjarjen duke hedhur në qarkullim një pafundësi emrash, vendesh, lokalesh apo duke lidhur ngjarje kriminale të kohëve të fundit me ngjarjen aktuale.
Ndërkombëtarët duket se u përpoqën më kot për ta drejtuar debatin në një pistë më të shëndetshme si ajo e dekriminalizimit të parlamentit.
Dukshëm ka dy ngjarje që, për fat të keq, janë përzjerë me njëra-tjetrën; ku e para, përjashtimi i Doshit nga grupi parlamentar socialist, është vënë në hijen e tjetrës, akuzës së Doshit për tentativë vrasjeje ndaj tij.
Varet nga këndvështrimi, por fakti është që ngjarja e parë, ajo e përjashtimit, ka gjasa të ketë pasoja më afatgjata në politikën shqiptare, ndërkohë që ajo e dyta, akuzat për tentativa për vrasje, duket më spektakolare.
Ngjarja e parë duket se nxorri Ramën të fituar, ose të çliruar bashkë me pjesën e tij të qeverisë, ndërsa e dyta nxorri opozitën dhe LSI-në të humbur.
Oligopoli si skemë ekonomike mund të shërbejë për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur. Në një oligopol, ka një kompani udhëheqëse që ka pjesën më të madhe të tregut, e cila bashkohet me disa kompani më të vogla për të kontrolluar ofertën në treg dhe rrjedhimisht për të rritur çmimin. Tregu në fjalë është i mirëpërcaktuar në këtë rast, ashtu si dhe pushteti politik dhe të ardhurat financiare që ai krijon. Rregulli i oligopolit është që kur hyn në të, ke fuqi të përjashtosh të tjerët jashtë oligopolit, por pesha jote në treg, ose përqindja e tregut, as mund të rritet dhe as mund të ulet në masë të madhe për shkak se çdo ndryshim në pjesën e tregut, sado i vogël, bëhet në kurriz dhe në dëm të kompanisë udhëheqëse të oligopolit. Gjëja tjetër është që, nëse kjo gjë ndodh, rreziku është i lartë. Në kërkim të një rritjeje të vogël të përqindjes së tregut të zotëruar, mund të rrezikosh daljen tërësore nga tregu.
Në rastin tonë, kompania udhëheqëse në treg është Rama! Doshi, Meta dhe të tjerët janë kompanitë e vogla. Një gjë që thuhet për oligopolin është që kemi të bëjmë me një martesë për interes. Politikanët mund ta quajnë këtë me delikatesë “miqësi”, kur në fakt është thjesht dhe pastër partneritet biznesi.
Fakti është që Doshi doli nga ky treg pasi kërkoi një përqindje më të lartë nga pushteti i Ramës. Por dalja e Doshit duket se ka ulur edhe pazarin e të gjithë të tjerëve. Ajo pjesë e deputetëve socialistë që kanë fuqi për të emëruar e shkarkuar drejtorë nën emrin e Ramës, e dinë tashmë se çfarë rrezikojnë nëse kërkojnë me tepri. E njëjta gjë vlen edhe për Metën.
Opozita duket se do të kishte më shumë qejf PS-në me Doshin sesa pa të. Rrjedhimisht, kjo e fundit mund të renditet në rradhën e të humburve. Rama ka mundësinë të forcojë pozitën e tij duke vijuar më tutje me procesin e dekriminalizimit, gjë që do t’i zgjidhte një nga problemet kryesore që ka aktualisht qeveria e tij.
Përgjatë një viti e gjysmë qeverisjeje, ne kemi parë se si pushteti i Ramës, ose pjesa e tij e tregut, është tkurrur në favor të LSI-së dhe të deputetëve “të fortë” të PS-së ndërkohë që Rama ka paguar kostot, para së gjithash, pakënaqësitë e vetë mbështetësve të tij.
Pastrimi i radhëve të socialistëve nga disa figura të përfolura mund të shkaktojë një dëm të vogël në numra përkundrejt një shpërblimi të madh në moral politik. Numrat vështirë se kanë ndonjë rëndësi për momentin në konfigurimin e parlamentit ndërsa morali, po! Është ajo që Rama premtoi dhe që sot ka shans të tentojë ta realizojë. Ky pastrim ka gjasa që do të përmirësojë edhe pozicionin e Ramës para votuesve si dhe fuqinë e tij negociuese përballë Metës.
Natyrisht, thënë këtë, duhet të shtojmë se gjasat janë që fitorja Ramës i erdhi në dorë pa paramendim dhe thuajse rastësisht. Nuk qe aq shumë Rama që u largua nga Doshi se sa Doshi që e bëri të pamundur për Ramën vijimin e bashkëjetesës.
Por sa do të jetë Rama në gjendje të maksimalizojë fitoren që i dha rastësia, kjo mbetet për t’u përcaktuar nga ai vetë.
BIRN