Teritali që po zhyt Kryeministrin
Nga ROMEO HANXHARI
Media pasqyroi se si në ditën e Pavarësisë, zoti Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, shkroi në profilin e tij në “Facebook” fjalët “Është e jona Shqipëria”. Fjalët e Ismail Qemalit, pra. Tani, përderisa ish-ministri është ende nën hetim “për favorizim trafiku”, do të ishte etike që ai të mos vinte në gojën e vet fjalët që folklori ia njeh Ismail Vlorës, të madhit baba të Pavarësisë së Shqipërisë. Çfarë është atëherë kjo?! Më e pakta është arrogancë dhe karshillëk. Më e shumta mund të jetë një hipotekim i Shqipërisë…
Po nga buron kjo arrogancë? Burimi është më lart. Lart fare. Sepse ka një kampion të arrogancës që rrezaton shembull edhe te të tjerët më poshtë. Është zoti Kryeministër. Është njeriu që na konsideron të gjithëve si “ata që kur vinin në Tironë, shkonin blinin terital te MAAAPO, këtu në Tiroooonë”. Ju kujtohet besoj. E tha disa herë këtë në gallatë e sipër në Parlament atë ditë kur banorët e Unazës së Re protestonin përpara Parlamentit: “Ja, ata katunarët që blinin terital te MAPO”.
Dhe kështu na ofendoi të gjithëve, na përqeshi të gjithëve në surrat. Sepse gjithë 50- vjeçarët e sipër në Shqipëri e dinë mirë çfarë do të thotë të kishe atë dreq terital që të qepje një dreq palë pantallona në atë dreq kohe. Teritali ishte thjesht një copë e leshtë, me të cilën vishej shumica e njerëzve. Më të rinjtë e kanë të vështirë ta kuptojnë pse ky është ofendim. Prandaj më të rinjve mund t’ua shpjegoj në këtë mënyrë këtë përbuzje. Ju të rinjve është njësoj sikur sot t’ju thotë dikush “o pabuksa, ju jeni ata që blini rroba te Zara apo te Bershka, o pabuksa, po unë blej vetëm Louis Vuitton dhe Prada e Guçi o pabuksa, unë qep vetëm me porosi o pabuksa, ju mezi keni një biçikletë apo ndonjë makinë të vockël, ndërsa unë kam Range apo Jaguar, o pabuksa”. E kuptuat? Pra, ju të dashur të rinj, që punoni çdo ditë pas studimit për të përballuar ndonjë shpenzim plus që ka jeta, apo për të blerë edhe ndonjë veshje të re modeste, ju jeni po ata “që blinin terital te MAAAPO këtu në Tirooonë”. E dini pse jeni? Sigurisht. Sepse edhe sot, njësoj si atëherë, ai zotëria nuk blen aty ku i blejmë ne të gjithë. Çdo gjë ai e qep vetëm me porosi me rrobaqepës personal, me pëlhura speciale. Kështu që për të, ne të gjithë, si të vjetrit edhe të rinjtë, jemi ata katunarët “që blinin terital te MAAAPO kur vinin këtu në Tirooonë”.
Po, e vërtetë, të gjithë ne ishim aq të varfër saqë e quanim privilegj nëse kishim ndonjë palë pantallona të reja terital apo dok. Ishim të varfër të gjithë. Edhe unë 17 vjeç kam punuar 3 muajt e verës duke ngritur çdo ditë 70 kile tela në shpinë nëpër male, për të blerë terital e për të qepur një palë pantallona që t’i kisha për në shkollë. Po! Sepse ishim të varfër, megjithëse prindërit e mi kishin paga të larta për atë kohë.
Po, ishim të varfër dhe ky na përbuzte atëherë e na përbuz edhe tani. Të varfër ishim. Por ama ne të varfrit ishim shumica në atë palo vend, ne ishim ajo shumica që e përmbysëm diktaturën e qelbur të shokëve të tij. Ndërsa ai, qenia superiore e këtij vendi, u rrit me rroba, të cilat as në ëndërr nuk i shikonim dot ne të rinjtë e atij vendi. Sepse atij i vinin nga e gjithë bota ku shkonin shokët e Komitetit Qendror të Partisë, apo i blinte edhe vetë kur e çonte Partia e Punës jashtë shtetit. Nuk denjonte të shkonte në MAPO ai superiori, siç shkonte shumica e atij vendi dhe tallej atëherë e tallet edhe tani me njerëzit e këtij vendi. Si çun i përkëdhelur Tirone, edhe pse ka ardhur edhe vetë nga diku gjetkë, ai e konsideron veten mbi ne. Dhe na përbuz.
Si e ka emrin kjo sjellje? Arrogancë është pak. Tallje është shumë pak. Tallje b..the do ishte fillim i mirë ta quanim… Bythëtallje pra është! Po!
Ishte po ky zotëri që skandalizoi gjithë Italinë kur deklaronte live në televizionin italian: “Investitorë italianë, ejani investoni në Shqipëri, se ne nuk kemi fare sindikata që të mbrojnë të drejtat e punëtorëve”. Përbuzje pra, edhe për ata që punojnë për bukën e gojës. Bythëtallje edhe kjo.
Është po ky zotëri që për koncesionet thotë “nuk është borxh, por thjesht janë ca lekë që do i paguajnë fëmijët tanë në 20 vitet e ardhshme”. Bythëtalljeeeee!
Është ky zotëri që i quan studentët “ngelësa”. Është po ky zotëri që gazetarët i quan “kazan”. Është po ky zotëri që banorët e “Astirit” i quan “oo Ramazon hap rrugëën”. Bythëtallje! S’kanë fund bythëtalljet e këtij zotërie…
Epo shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen herët a vonë që kanë në krye një njeri që i bythëtall e i përbuz. Ai njeri është në krye të një strukture që mund të quhet “diktatura e talljes me njerëzit”. Sepse kjo diktaturë të tall dhe pastaj të kërkon dhe ta falënderosh. Përmbysja e kësaj lloj diktature është detyrë patriotike. Por kujdes! Për këtë shqiptarët duhet të shohin shumë qartë 3 gjëra: Çfarë realisht kanë përballë? Si do ta mposhtin ata atë? Çfarë reagimesh duhet të presin? Në nivel sistemik shqiptarët kanë përballë një përbindësh me shumë koka: brezi i dytë e i tretë i drejtpërdrejtë i enveristëve, politikanë tallbythsa, oligarkë, sigurimsa, narkotrafikantë, kriminelë e hajdutë. Shumë koka, secila prej të cilave tallet me njerëzit në mënyrën e vet. Këtë duhet të kenë të qartë të rinjtë që ikin në azil, dyqanxhinjtë që struken nga dhuna tatimore, të papunët që poshtërohen për bukën e gojës, punëtoret që helmohen nëpër rrobaqepësi, të gjithë.
Po si mund të shpëtojnë shqiptarët nga ky përbindësh me shumë koka, të cilat ushqejnë njëra-tjetrën? S’merren dot shqiptarët me gjithë ato koka, sepse sapo e ngacmojnë njërën, ajo futet brenda tjetrës. Është humbje kohe. Asaj monstre i duhet sulmuar zemra. Zemër ajo monstër ka vetëm një: paratë e krimit. Janë pra, paratë e hashashit e kokainës që mbyti Shqipërinë dhe Europën, paratë e PPP-ve që janë bërë këto 5 vjet, paratë e PPPve që po përgatiten edhe për 20 vitet e ardhshme. Paketa e masave antimafia e opozitës mesa duket është e vetmja shpresë për t’ia shkulur këtë zemër kësaj monstre, për ta plasur përtokë njëherë e mirë.
Por nuk do të jetë e lehtë, jo. Çfarë reagimesh duhet të presin shqiptarët? Kokat e përbindëshit kontrollojnë makinerinë më të madhe dhe më produktive të propagandës dhe shpifjes. Do të sulmojnë këdo që do t’u dalë përballë, do shpifin, do provokojnë, do joshin, do përçajnë. Jam i sigurt që, herët a vonë, do merren edhe me mua që shkruaj dhe me cilindo që flet sot e me cilindo që do të flasë nesër. Por shqiptarët nuk duhet të tremben. Duhet të qëndrojnë. Nëse shqiptarët sprapsen kësaj radhe, bythëtallja do bëhet ligj. Dhe Shqipërinë do ta marrë lumi. Po po, lumi. Lumi e përroi bashkë.