Tërmet në politikën amerikane

Pas tetë vitesh në pushtet të George W Bushit, me dy luftëra, Recesionin e Madh, dyfishim të papunësisë, amerikanët donin një ndryshim. Barack Obama premtoi pikërisht këtë. “Change” apo Ndryshimi ishte fjala magjike e vitit 2008 që bërë jehonë në gjithë botën.
Një nga analistët më të famshëm demokratë parashikoi që Demokratët do ta sundojnë amerikën edhe për 40 vjet të tjera me radhë, duke besuar se Republikanët nuk po dinë t ndryshojnë me kohën në një Amerikë që po bëhet më shumë multi-racore, me gratë dhe pakicat që kërkojnë më shumë të drejta.
Mirëpo, dje, në darkë, “ndryshimi” dhe vizioni i vitit 2008 vdiq. Republikanët morën në duar Kongresin pas një fushate në të cilën shumica e kandidatëve demokratë preferuan që Presidenti Obama të mos u shkonte për ndihmë.
Mjaftojmë të përmendim që shtete si Massachusetts dhe Illinois ku jetojnë shumë shqiptarë apo Maryland, që janë tradicionalisht kështjella të Demokratëve, kanë rrëzuar guvernatorët e tyre demokratë dhe kanë preferuar të qeverisen nga Republikanë.
Demokratët patën vetëm një ngushëllim në shtetin e rëndësishëm të Pennsylvania-s ku ashtu siç pritej fitoi kandidati demokrat. Mirëpo, Demokratët nuk arritën të fitonin as në Vermont, një shtet që ka nxjerrë të vetmin senator socialist në histori. Tani sipas ligjit të Vermontit, guvernatorin do ta caktojë Kongresi i këtij shteti sepse diferenca ka qenë tepër e vogël.
Disa u tallën se që të fitojë një republikan në Vermont duhej të ishte më e vështirë sesa të fitonte në Kubën e Fidel Kastros, por kjo natë ishte treguese e një pakënaqësie të jashtëzakonshme me Demokratët.
Të paktën 15 kongresistë demokratë humbën vendet e tyre duke rritur epërsinë republikane në Dhomën e Përfaqësuesve. Republikanët mund të kenë 55 nga 100 gjithësej anëtarë të Senatit Amerikan dhe në rang vendi 35 guvernatorë shtetesh nga 50 gjithësej.
Harta zgjedhore e Amerikës skuqte nga ngjyra e republikanëve në ekranet televizive.

Pse kjo humbje kaq e rëndë?

Ajo do të analizohet në ditët që do të vijnë po disa shenja ishin të qarta. Ekonomia ka mbetur e squllët. Papunësia ka ngecur, rrogat kanë rënë. Njerëzit nuk janë optimistë.
Në çështjen e emigracionit, reforma e premtuar nuk ndodhi. Hispanikët votuan më shumë për Demokratët por jo në masën që prisnin këta.
Reforma e sigurimit shëndetësor, arritja më e madhe e Presidentit Obama u zbatua plot me difekte teknike, u zvarrit nga problemet administrative dhe i ka lodhur njerëzit nga ndërlikimit burokratike. Shumë njerëz humbën sigurimin që kishin apo po paguajnë më shumë për të. Ndoshta në të ardhmen kjo do të funksionojë më mirë, por për momentin, më shumë ka dëmtuar politikisht.
Në planin kulturor, liberalët janë përqendruar në tema humbëse. Vrasja e disa të rinjve afrikano-amerikanë u kthye në temë publike me akuza për policinë, por shumë kritikë kanë vënë në dukje se ngjarjet janë politizuar dhe po lënë jashtë vëmendjes problemin e kriminalitetit në komunitetin afrikano-amerikan. Në luftën për të drejtat e grave, tema që janë të rëndësishme për një elitë të grash dhe vajzash të suksesshme kanë marrë duar temën e feminizmit, ndërsa shumica e grave amerikane përballen me një realitet të vështirë ekonomik që nuk rezonon me debatet e kohës. Në Texas, shumica e grave votuan kundër kandidates për guvernatore, ndonëse ajo foli në emër të tyre. Një nga zërat më të bujshëm të rinj demokratë, Sandra Fluke humbi në California një shtet tradicionalisht liberal.
Në planin ndërkombëtar, pritej që Obama do të përmirësonte dukshëm imazhin e Amerikës, por kjo nuk ka ndodhur. SHBA ka mërzitur dhe zhgnjyer aleatët dhe nuk ka mundur të qetësojë dhe afrohet me kundërshtarët. Në rajone të Lindjes e Mesme, konflikte të përgjakshme nuk kuptohet se si do të mbarojnë, në vendet arabe, e ashtuquajtura pranverë ka dalë zhgënjyese, Rusia është rikthyer në Luftën e Ftohtë, terrorizmi mbetet një kërcënim, ndërsa në Azinë e Largët, po rifillon gara e armatimeve.
Një numër gafash dhe keqkuptimesh kanë zënë vend në krye të lajmeve që dalin nga Shtëpia e Bardhë.
Këto janë vetëm disa shkaqe të përgjithshme. Çdo garë ka pasur arsyet e veta të humbjes dhe fitimit. Mirëpo, një tërmet i këtyre përmasave nuk mund të mos tregojë si fajtor të rëndësishëm Shtëpinë e Bardhë e cila nuk ka mundur të udhëheqë Partinë Demokratike drejt një fitoreje të re.

Çfarë ndodh tani?

Së pari, do të pritet të përfundojnë të gjitha garat për të parë konkretisht dëmin.
Së dyti, Presidenti Obama dhe Republikanët do të duhet të zgjedhin mes dy alternativave (siç e përshkrova në shkrimin e djeshëm) nëse do të bashkëpunojnë apo paralizojnë njëri-tjetrin.
Së treti, analistët do të komentojnë sesi do të luajë rol kjo ngjarje për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Nga një anë rezultati mund të shihet si një paralajmërim se Republikanët do të marrin edhe Shtëpinë e Bardhë siç ndodhi me Demokratët që morën të dy dhomat në 2006 duke sinjalizuar revolucionin e vitit 2008.
Mirëpo nga ana tjetër, mund të shërbejë si moment ndryshimi strategjie për Demokratët që mund të vendosin për kandidatë si Hillary Clinton që janë më shumë centriste sesa majtiste, që janë të ashpër në politikën e jashtme dhe larg ideologjisë dhe demagogjisë në politikën e brendshme.
Zgjedhja e Barack Obamas si president ishte vërtet një ngjarje e madhe që nuk do të mbetet e artë në historinë e Amerikës, por ndryshimi që premtoi ai nuk ndodhi. Dy vitet që kanë mbetur do të jenë akoma edhe më të vështira për të, ndonëse në vështirësi dallohen udhëheqësit më të mirë.
Mbrëmë, viti 2008, apo çfarë kishte mbetur nga ai kaloi nga politika në histori. Që sot, ai nuk jeton më.

SHKARKO APP