“Tërmeti” administrativ, si shpëtimtar i 1.15 miliardë eurove
BESART KADIA
Si qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe si ekonomist, ndjeva kënaqësi që Shqipëria jonë mundi të gjejë financim prej 1 miliard eurosh për rindërtimin e pasojave shkatërruese të tërmetit të datës 26 nëntor 2019. Por, dy ditë më pas, të gjithë janë duke pyetur se çfarë janë këto para dhe a do të ndikojë në ekonominë vendëse?Bazuar në historinë e dhimbshme të Shqipërisë, skepticizmi duket se ka arsye të jetë i lartë. Shumë prej nesh pyesin se, a nuk është rritur borxhi publik me më shumë se 1 miliard euro gjashtë vitet e fundit, por pak rezultat ka pasur për xhepat tanë? A nuk u premtua paketa 1 miliard euro e investimeve publike, por që u shkërmoqën nga akuza pa fund korrupsioni dhe shpërdorimi? A nuk janë rritur taksat çdo vit për qytetarët dhe bizneset, por ndërkohë buxheti i shtetit sërish lëngon në mungesë të ardhurash? A nuk u dhanë leje ndërtimi të parregullta nga vetë përfaqësuesit e kësaj maxhorance që sollën këto pasoja? E si të mos mjaftonin këto pyetje, a nuk mori maxhoranca një notë negative nga Transpernacy Interntional për sa i përket korrupsionit?
Skepticizmi publik ngre pikëpyetje për vetë faktin se ne akoma nuk dimë të detajuara kostot reale të tërmetit? Ne nuk dimë akoma se cili autoritet do të jetë i ngarkuar në menaxhimin e rindërtimit dhe çfarë ndikimi do të ketë në borxhin publik. Për më tepër, profesionistë të fushës ngrenë shqetësimin e dytë se a do ta mbajnë fjalën donatorët për premtimet e dhëna? Nga eksperienca e shteteve të tjera të prekura nga fatkeqësi të ngjashme natyrore, donatorët NUK e kanë mbajtur fjalën e dhënë. Në rastin e Libisë, Haitit dhe Gazës, donatorët me kalimin e kohës dhanë më pak se gjysmën e premtimit të dhënë në konferencë. OXFAM thotë se premtimet e pambajtura janë norma dhe jo përjashtimi në këto raste.
Ndaj edhe mbetet parësore transparenca e plotë e qeverisë në menaxhimin e pasojave të tërmetit. Ky është hapi i parë dhe i rëndësishëm për të garantuar minimalisht se paratë që janë premtuar do të gjenden në kohën dhe me normat e duhura kur të vijë koha. Por kjo kërkon më shumë se praktikat e deritanishme të prokurimit dhe të tenderimit të shtetit shqiptar. Kjo kërkon një përqendrim dhe profesionalizëm që shteti shqiptar nuk ka investuar dhe nuk e ofron dot në kohë. Ndaj, entuziazmi i parë i garancisë së fondeve duhet rifreskuar me faktin se ekzekutimi i projekteve do të dojë kohë, eksperiencë dhe koordinim të paprecedent për ne. Kjo mbetet për t’u vërtetuar, por ajo që dihet është fakti se borxhi i Shqipërisë do të rritet në vitet që vijnë dhe lehtësia, me të cilët u gjetën fondet, duhet kombinuar me presion të fortë për “tërmet” të dytë administrativ në Shqipëri.
Rindërtimi i zonave të prekuara duhet kombinuar medoemos edhe me shkëputje të praktikave korruptive, abuzuese e mendjeshkurtër të qeverisjes ndaj parave publike. Ne lutemi që qytetarët e Durrësit, Shijakut e Laçit të kenë shtëpi sa më shpejt. Ata e meritojnë këtë rehati pas kësaj katastrofe natyrore. Por, po ashtu, qytetari i Korçës, Vlorës e Tiranës duhet çliruar më parë nga zinxhirët e fortë të burokracisë e korrupsionit shtetëror, përpara se të ngarkohet me borxhet financiare të rindërtimit. Këto të dyja nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra, por ecin bashkë paralel drejt një ekonomie të harmonizuar dhe të zhvilluar, diçka që kjo qeveri nuk e ka ofruar dot në shtatë vitet e fundit.
Cilado që të jenë arsyet se përse komuniteti ndërkombëtar mbështeti Shqipërinë me 1 miliard euro financim potencial, një gjë është e sigurt, kjo kosto financiare shtesë në kurrizin e kërrusur të shtetit tonë ose do të na shtrijë në tokë pas disa vitesh ose e menaxhuar mirë dhe koordinuar me masa të tjera të plota pro-biznes do të mbahet mend si kthesa e madhe për ne. Urojmë të zgjidhet me mend e dyta e të mos vazhdohet siç vetëm kjo qeveri ka ditur: keq