Terroristët kërcënojnë tashmë Londrën

 Është vetëm çështje kohe. Pas Parisit dhe Kopenhagës, objektivi i ardhshëm i një atentati do të jetë Londra. Dhe këtë herë kërcënimi është më i rrezikshëm sepse të parandalosh një sulm të një ”ujku të vetmuar” është pothuajse e pamundur, madje edhe për 007-at e Madhërisë së Saj.

Që Britania e Madhe dhe kryeqyteti anglez janë në shënjestrën e terroristëve nuk është më një lajm i 24 orëve të fundit, pasi alarmi është ngritur në nivelin ”i rëndë” që gushtin e kaluar. Megjithatë, sot, burime nga shërbimi sekret britanik thanë në mënyrë eksplicite se ”një sulm ka shumë mundësi të ndodhë”.

Janë forcuar masat e sigurisë përpara sinagogave, shkollave dhe qendrave hebraike në të gjithë vendin dhe, për herë të parë në historinë e saj, përreth selisë qendrore të GCHQ-së, agjencisë britanike të survejimit që, së bashku me shërbimet sekrete MI5 dhe MI6 përfaqëson zemrën e spiunazhit të mbretërisë, janë dislokuar policë të armatosur rëndë.

Agjencitë e antiterrorizmit britnaik janë aktualisht në gjendjen e gatishmërisë më të lartë, por ajo që shqetëson më tepër shërbimin sekret është natyra e kërcënimit.

Nuk bëhet fjalë për të mënjanuar një komplot ala 11 Shtator, por për të parandaluar sulme të vogla të kryera nga një apo dy ”xhihadistë britanikë”, të cilët janë shumë të vështirë të interceptohen në avancë.

”Këta persona janë aty, jashtë, nuk ka asnjë dyshim”, u pohojnë gazetave britanike burime nga shërbimet sekrete, që pranojnë se i frikësohen para së gjithash efektit ”emulacion”.

”Që nga Franca dhe deri në Danimarkë mund të vihen re gjurmë të një linje të vazhdueshme terrori, një tendencë për të goditur median dhe komunitetin hebre”, thonë këto shërbime.

”Para së gjithash, ujqit e vetmuar janë të paparashikueshëm, jetojnë një jetë normale në komunitet”, pranojnë 007-at.

Deklarata pafuqie që bien në kundërshtim me politikën e forcës të adoptuar nga qeveria e kryeministrit Cameron i cili, menjëherë pas atentateve vdekjeprurëse në Paris, mori një sërë masash parandaluese duke filluar që nga stërvitja e një numri më të madh policësh të armatosur deri te guida për të njohur një terrorist në stacionet e metropolitanës.

Shefi britanik i antiterrorizmit, Mark Rowley nuk u është përgjigjur shqetësimeve të medias, por sot pranoi se ”shqetësimi është shumë i madh”.

Dhe është fakt që komuniteti hebre në vend është vënë në alarm që nga mbrëmja e djeshme.

Ashtu siç është i vërtetë edhe fakti i unazës së sigurisë përreth agjencisë britanike të survejimit.

Burime nga GCHQ-ja thonë se siguria e stafit është nën kontroll, por pranojnë edhe se në 100 vjet histori, një dislokim i tillë nuk është parë asnjëherë./

SHKARKO APP