Testet politike të zgjedhjeve administrative

            

Nga Eduard Zaloshnja

Në përzgjedhjen e kandidatëve për 61 bashkitë e zgjeruara, mazhoranca po i mëshon aftësive administruese që do të kenë kandidatët e saj, duke e fokusuar vëmendjen e zgjedhësve në problemet lokale që duhet të zgjidhin kryebashkiakët e rinj. Por në kushtet kur opozita po thekson me të madhe se zgjedhjet e 21 qershorit do të jenë një referendum popullor për qeverisjen Rama-Meta, padyshim që këta të fundit do t’i mbajnë parasysh edhe testet politike që ofrojnë zgjedhjet administrative. Testi më i rëndësishëm politik për mazhorancën është vota popullore.  Përveç fletës së votimit për kryebashkiakët, zgjedhësit do të plotësojnë edhe një fletë votimi për partitë në garë.  Ky votim i dytë, në rang koalicioni, përbën një test të përafërt politik për mazhorancën në rang kombëtar. Partitë që sot janë në koalicionin mazhoritar (përfshirë PDIU-në, FRD-në e partinë e pakicës maqedonase, por përjashtuar PSD-në e Gjinushit) morën para dy vjetësh 62% të votës popullore.  Zakonisht, në zgjedhjet lokale në Shqipëri e kudo në botë, pjesëmarrja bie në krahasim me zgjedhjet parlamentare.  Por në qoftë se rënia e pjesëmarrjes është proporcionale për të dyja kampet e mëdha politike, mazhoranca mund të mbetet përsëri në kuotën 62%. Një rënie e ndjeshme nga kjo kuotë do të ishte një sinjal se përkrahja politike për mazhorancën aktuale ka rënë.

Një test tjetër i rëndësishëm politik për mazhorancën është numri i bashkive që do të fitojnë kandidatët e saj. Partitë që sot janë në koalicionin mazhoritar (përfshirë PDIU-në, FRD-në e partinë e pakicës maqedonase, por përjashtuar PSD-në e Gjinushit) patën epërsi para dy vjetësh në 53 nga 61 bashkitë e zgjeruara që u krijuan me ndarjen e re teritoriale (ato patën epërsi në 4530 qendra votimi, nga 5500 gjithsej). Fitorja e 53 bashkive të zgjeruara në 21 qershor do të rikonfirmonte epërsinë që mazhoranca pati para dy vjetëve. Ndërsa një rënie e ndjeshme poshtë numrit 53 do të ishte një sinjal se përkrahja politike për mazhorancën aktuale ka rënë. Një test i veçantë politik për mazhorancën do të jetë edhe bashkia e Tiranës. Partitë që sot janë në koalicionin mazhoritar (përfshirë PDIU-në, FRD-në e partinë e pakicës maqedonase, por përjashtuar PSD-në e Gjinushit) patën një epërsi prej 90 mijë votash para dy vjetësh në bashkinë e zgjeruar të Tiranës dhe do ta kishin të lehtë fitoren, në qoftë se nuk do të ishte futur në garë Gjergj Bojaxhiu si i pavarur. Në varësi të votave që do tërheqë Bojaxhiu dhe origjinës së tyre (majtas-djathtas), gara për Tiranën mund të bëhet e vështirë për mazhorancën. Përveç testeve politike në rang mazhorance, zgjedhjet e 21 qershorit do të ofrojnë teste të veçanta edhe për dy partitë kryesore të saj. Kështu, gara për kryebashiakun e Shkodrës përbën një test politik për PS-në, e cila pati një ndarje traumatike me kryedeputetin e saj shkodran, Tom Doshin. Ndërsa gara për krybashkiakët e bashkive të rendësishme të Gjirokastrës, Beratit dhe Pogradecit përbëjnë një test të fortë politik për LSI-në, sepse kandidatët e saj duhet të fitojnë patjetër në territore ku partitë e mazhorancës mblodhën 70% të votave para dy vjetësh. Humbja qoftë edhe e njërës prej tyre do ta godiste mitin e pathyeshmërisë së LSI-së.

(Respublica.al)

SHKARKO APP