Testi i ADN-së, hedh poshtë teorinë se Rudolf Hesi u arratis nga burgu, duke përdorur sozinë e tij
Nga Marco Margaritoff
Pas më shumë se 70 vjetësh, teoria e konspiracionit se Rudolf Hes u zëvendësua nga një sozi e tij në burg, u hodh më në fund poshtë nga testet e ADN-së, raporton revista e mkirënjohur amerikane “Neë Scientist” .
Teoria se një nga udhëheqësit kryesorë nazistë dhe zëvendësi i Hitlerit, Rudolf Hes u zëvendësua nga një sozi i tij, që më pas u gjykua në vendinn e tij në Nuremberg dhe vuajti dënimin në burgun e Shpandaut, tërhoqi asokohe vëmendjen edhe të zyrtarëve të famshëm, sikurse ishte presidenti amerikan Frenklin D.Ruzvelt.
Por një mjek austriak, duke analizuar një mostër të rastësishme të gjakut, ishte në gjendje t’i jepte fund këtyre spekulimeve. Rudolf Hes, u kap nga forcat aleate në majin e vitit 1941, kur avioni me të cilin po udhëtonte Messerschmitt Bf 110, u rrëzua në Skoci ndërsa ishte në një misioni sekret, për të ndërmjetësuar në një marrëveshje paqësore të paautorizuar.
Ai u paraqit në gjyqin e Nurembergut, dhe u dënua më burgim të përjetshëm në burgun Shpandau – një burg që ndodhej në Berlinin Perëndimor, dhe ku mbaheshin kriminelët nazistë të luftës të një profili të lartë.
Por një mjek anglez që punonte në burg, U.Hjuxh Tomas, dyshonte se i burgosuri i Shpandau nuk ishte në të vërtetë Rudolf Hes. Teoria e tij bazohej në faktin, se i dënuari në Shpandau nuk i ngjante Hesit, se nuk pranoi të shihte familjen e tij, dhe se shfaqte shenja të amnezisë.
Nisur nga këto dyshime, qeveria britanike, autorizoi 4 hetime mbi pretendimet e Tomas, por nuk mori dot një përgjigje shterruese. Pa ekzistencën e testeve të sotme të ADN-së, konspiracioni vazhdoi. Hes vdiq në burg, duke u vetëvarur në vitin 1987, në moshën 93 vjeçare.
Trupi i tij u dogj nga qeveria gjermane në vitin 2011, çka duket se zhduku mundësinë e fundit për të zbuluar të vërtetën mbi identitetin e tij – kjo deri kohët e fundit. Në mesin e viteve 1990, rrethanat rastësore nisën të hapnin rrugën për një përgjigje përfundimtare mbi këtë dyshim.
Një patolog, që ishte gjithashtu i punësuar në Shpandau kur Hes qëndroi atje, kishte ruajtur në një mostër hermetikisht të mbyllur një gjurmë gjaku nga i burgosuri, që pas një kontrolli mjekësor në vitin 1982.
Patologu, Rik Vahl, e kishte përdorur kampionin e të burgosurit nr. 7 në Shpandau, si një mjet mësimor gjatë kohës së kaluar prej tij në Qendrën Mjekësore Valter Rid për dekada të tëra. Por Vahl, nuk ishte në dijeni se sa i dobishëm do të ishte ai kampion, derisa ra në duart e duhura.
“Unë u vura në dijeni të ekzistencës së një mostre gjaku të Hes, nga një kontroll rutinë gjatë qëndrimit tim në Valter Rid”- tha mjeku ushtarak amerikan, Sherman Mekoll. “Vetëm disa vjet më vonë u njoha me polemikat historike”.
Por marrja e mostrës, ishte pjesa më e lehtë e hedhjes poshtë të konspiracionit të vjetër. “Rrëzimi i saj, ishte diçka krejtësisht tjetër”- tha ai. Me ndihmën e biologut molekular austriak, Jan Kemper-Kislih, nga mostra e gjakut u nxorr ADN-ja.
Pastaj, kjo mostër duhej të krahasohej me një të afërm të Hes, në mënyrë që të konfirmonte përputhjen. Çifti i etur i shkencëtarëve, arriti të gjente numrin e telefonit të Volf Rydiger, djalit të Rudolf Hes, por nuk pati shumë çfarë të komunikonte.
“Ai kishte vdekur kohët e fundit. Familja është shumë private. Emri i tij është gjithashtu mjaft i zakonshëm në Gjermani, prandaj gjetja e tyre ishte e vështirë”- theksoi Mekoll. Megjithatë, ekipi vazhdoi përpjekjet, dhe ishte në gjendje të gjente një të afërm të gjallë, me të cilin ata mund të krahasonin mostrat e gjakut dhe ADN-në.
Rezultatet dhanë një përfundim të pakontestueshëm:kishte një shans prej 99.9 për qind, që mostra e gjakut të të burgosurit nr.7 në Shpandau, dhe kampioni i gjakut i të afërmve të gjallë të Hes, kishte përputhje të mëdha biologjike.
Më në fund, raporti përfundimtar i ekipit të Kemper-Kislih, deklaroi se “mbështeste fuqimisht hipotezën se i burgosuri i Shpandaut, kishte qenë vërtet Rudolf Hes, zëvendësfyhreri i Rajhut të Tretë”- tha ai.
Megjithëse e afërmja e paidentifikuar e Hes, bashkëpunoi me dëshirë, dhe u dha shkencëtarëve gjakun e saj, familja Hes ishte e vendosur të mos bënte asnjë koment, apo ndonjë reagim të mëtejshëm ndaj rezultateve. “Dihet tashmë publikisht që gruaja e Hes, Ilse, nuk e besonte këtë histori”- shprehet Mekoll.
Në fakt, Ilse Hes, nuk e besoi kurrë teorinë e sozisë. Kur u takua me drejtorin britanik të burgut në Shpandau, gjatë një vizite rutinë tek bashkëshorti, thuhet se ajo i tha me shaka:”Si është sot sozia i tim shoqi?”. Por në fund, e vërteta ishte aty gjatë gjithë kohës, e fshehur pas komentit sarkastik të një gruaje.
allthatisinteresting – bota.al