Testi poligraf dhe dekriminalizimi i politikës

Nga Eduard Zaloshnja

 

Testi poligraf ka dekada që përdoret në SHBA, për të siguruar indicie se një i pandehur gënjen, apo se një punonjës i ardhshëm i CIA-s, FBI-së, apo policisë ka fshehur diçka nga e kaluara e tij, gjate aplikimit për vendin e punës. Ky lloj testi, me sa di, bëhet edhe në SHISH-in tonë, me ndihmën e një aparature, psikologu e tekniku amerikan.

Testi poligraf nuk ka garanci 100% që zbulon të vërtetën, prandaj nuk konsiderohet si provë në gjykatat amerikane, por si opinion eksperti. Sidoqoftë, përqindja e suksesit të këtij testi është nga 90%-100%.

Por a mund të përdoret ky test për dekriminalizimin e politikës shqiptare?

Një test i tillë do të ishte shumë më efikas se sa komisioni i posaçëm për dekriminalizimin, sepse dokumentat që do të paraqiteshin në këtë komision do të figuronin të pastra nga ana penale apo hetimore. Historia ka treguar se sa herë akuzohet një politikan, ai del pa lagur nga procesi gjyqësor, ose merr certificatë të bardhë penaliteti.

Por a e ka mazhoranca aktuale vullnetin politik për ta bërë të detyruar testin poligraf? Ndoshta jo. Atëhere u mbetet politikanëve të opozitës (atyre aktualë e atyre që do të garojnë në të ardhmen) që të kërkojnë publikisht testimin e tyre me poligrafin e SHISH-it, me ndihmën e aparaturës, psikologut e teknikut amerikan. Nëse politikanëve të mazhorancës (atyre aktualë e atyre që do të garojnë në të ardhmen) nuk ua mban të testohen, barra e gënjeshtrës mbetet mbi ta…

SHKARKO APP