Thatcher dhe Ten Hsiao Pin / Zonja dhe Dragoi

Hunda e fryrë dhe e skuqur prej një të ftohure të keqe, pasojat e vizitës 4 ditore në Japoni, gjatë së cilës kishte fjetur shumë pak, bezdia vetëm e mendimit për t’ju drejtuar Francis Pym, titullarit të Foreign Office që ishte luhatur në momentin vendimtar të luftës për ishujt Falkland, e gjitha kjo i jepte një pamje të errët dhe mjegullt dhe grindavece prej zonje në moshë, megjithëse vite kishte vetëm 57 dhe mund të konsiderohej në apogjeun e fateve politike të saj. në zemër të përkeqësimit të gjendjes shpirtërore ishte fakti se kundërshtari i vërtetë lidhur me fatin e afërt të Hong Kongut, babai modern i Kinës Ten Hsiao Pin, ishte edhe ai në majën e valës, i pajisur bile me atë aureolë speciale moderniste dhe reformatore që periodikisht e bën Perëndimin të ëndërrojë për praninë e diktatorëve. (Që Zonja përgjithësisht e hekurt nuk ishte aspak e imunizuar do të shikohej dy vjet më vonë, kur intervistuesit të shokuar të BBC-së do t’i rrëfehej me një çiltërsi të dukshme: “Më pëlqen zoti Gorbaçov, mund të bëjmë punë të mira bashkë”). Por në atë moment gorbimania afatshkurtër nuk kishte shpërthyer akoma dhe ajo në fakt po përgatitej të luante një ndeshje të vështirë në transfertë, pa mundur ta trajtojë Ten Hsiao Pinin me të njëjtën përbuzje demoperandorake që sapo i kish rezervuar Gjeneralit argjentinas Leopoldo Galtieri. (Ky i fundit, fajtor se e kish sfiduar ushtarakisht për Ishujt Falkland-Malvinas, ia kish paguar çmimin me katastrofën ushtarake dhe rënien e mëpasme të juntës së tij). por pasi një grua në pushtet nuk mund t’i lejonte vetes që t’i besonte instiktit të saj, Margaret Thatcher në atë shtator dukej si e mbërthyer nga mendime të errëta në përgjithësi lidhur me Kinën. E kishte vizituar 5 vjet më parë, atëhere shefja e opozitës e Madhërisë së Saj, dhe nuk i kishte pëlqyer.

Lady përbënte një përjashtim të madh nga rregulli që bashkonte shtetarë dhe biznesmenë europianë, të gjithë të verbuar nga fakti që qenë pritur në Pekin si Marko Polo modernë. Këto sugjestionime me të nuk ngjisnin: qysh herën e kaluar e kishte gjetur Kinën një vend të shpifur, të qeverisur nga njerëz ambigë dhe me higjenë jo të mirë. Problemi ishte se, me kujtesë të fortë, në vitin 1977 nomenklatura e kishte mbajtur shënim dhe kështu që kishte marrë masa për t’i organizuar një mikpritje veçanërisht të ftohtë. Pa mbajtur parasysh faktin që për herë të parë një kryetar qeverie britanik në fuqi vizitonte Kinën, radioja më e rëndësishme e degdisi lajmin e ardhjes së saj në vendin e katërt, pas një komenti mbi kongresin e fundit të Partisë Komuniste, një investigim mbi minatorët e provincës Henan dhe lajmërimin e ardhjes së një kreu shteti tjetër të huaj, liderit të dashur Kim Ir Sen të Koresë së Veriut. Por ndaj gjithë kësaje Thatcher i kushtoi një vëmendje jo të duhur, pasi në qendër të gjendjes së keqe shpirtërore të sej mbetej Ministri i Jashtëm i mefshtë Francis Pym. Nëse do të kish mundur të shprehej hapur, do të kishte quajtur një scaredy-cat, dhjaks, por duke qenë se ishte në vizitë zyrtare, u kufizua që të bëlbëzojë se do t’i kushtonte vërtet shumë gjendja në të njëjtën dhomë, për të mos thënë në të njëjtin avion, me zotin Mr. Pym. Dhe kështu, me koston e prishjes së të gjitha zakoneve diplomatike britanike, e kishte lënë në shtëpi, duke u kufizuar që të merrte me vete Sekretarin Privat, të Ngarkuarin e Shtypit, Guvernatorin e ri të Hong Kongut dhe Nënsekretarin e ri të Foreign Office për Azinë dhe Paqësorin. Jo tamam një skuadër e madhe prej Champions League për të përballuar avantazhin numerik dhe logjistik e të zotëve të shtëpisë, që për më tepër mbanin fort thikën nga prapa dorës.

Megjithatë, ndeshja duhej të luhej me letrat në dispozicion. Përpara nisjes së saj, Francis Pym as nën torturë nuk do të të kishte guxuar që t’i propozonte braktisjen e Hong Kongut pikërisht në orën triumfale të Ishujve Falkland. Por këshilltarë të tjerë i kishin këshilluar maturi. Sipas traktateve, Kina do ta pretendonte sovranitetin mbi të gjithë territorin duke filluar nga viti 1997, por ndoshta do t’i lejonte Londrës që ta administronte “zonën speciale” të ardhshme sipas rregullave të tregut të lirë kapitalist. Traktatet e Tetëqindës i garantonin Mbretërisë së Bashkuar sovranitetin e “përjetshëm” mbi ishullin e Hong Kongut dhe mbi Kowloon, në ndryshim nga Territoret e Reja që në fakt sipas mirëkuptimit do të duhej t’ia kthente Pekinit 15 vite më vonë. Por nuk ekzistonte asnjë kufi fizik midis të dy pjesëve, pushteti britanik ishte i brishtë dhe në rast konflikti të hapur do të kishte qenë e pamundur që të durohej përplasje politiko – ekonomike e Kinës, aq më pak ajo ushtarake. Kështu që maksimumi mund të tentohej një kompromis: të dallohej midis sovranitetit dhe administrimit, duke propozuar që kjo e fundit t’i mbetej Anglisë edhe pas skadimit të 1997. Pak përpara se të ndërmerrte udhëtimin në Pekin, kishte ndodhur një gjysmë mrekulli: Zonja e Hekurt i kishte thënë po atij që i propozonte kompromisin. Ndoshta nuk do ta kishte bërë sikur të kishte qenë e tremburi personalisht që do t’i depozitonte dosjen mbi skrivaninë e saj, por në këtë rast një konsideratë pajtuese tek ajo kishte fituar supremacinë. Bile, dy. E para ishte se aferën e Hong Kongut nuk mund ta trajtonte me të shtëna topi, jo si Ishujt Falkland. Në fakt, nëse gjërat do të shkonin keq, boat-people në arrati drejt Mbretërisë së Bashkuara nuk do të numëroheshin në disa mijëra (si fshatarët e padëmshëm, kelpers, të Falklandeve), por në miliona. Dhe atëhere as Zoti nuk do të mund ta shpëtonte Mbretëreshën dhe qeverinë e saj nga një tërmet. Arsyeja e dytë ishte se, për sa personalisht i papëlqyeshëm, ky zoti Ten deri më tani u kishte lënë përshtypjen të gjithë ekspertëve, përfshi dhelprën e vjetër Henry Kissinger, se po hapte realisht ekonominë kineze ndaj tregut të lirë dhe deri kishte shpallur se donte të lëshonte në Perandorinë Qiellore mace në gjendje të kapnin minjtë, cilado qoftë ngjyra e tyre. Nga gjëja mund të lindte gjëja, siç mësonin mendimtarët e mëdhenj liberistë. Për këtë arsye kishte thënë po. Lady kishte shijuar shfryrjen e habitshme te diplomatëve të saj, por prapa arsyetimit kishte fshehur edhe një gjendje emotive të veçantë: fitorja e Ishujve Falkland ishte aq e ëmbël sa të lejohej të pihej një herë një gotë me amaro.

Por ja që, duke zbritur nga shkallarja e avionit në atë shtator të lodhshëm të vitit 1982, e ftohur dhe e përgjumur siç ishte, e goditur në mënyrë të papëlqyeshme nga shpërfillja që i manifestonin funksionarët kunezë dhe seriozisht e preokupuar që të lihej të mashtrohej mbi çmimin (ishte megjithatë vajza e një dyqanxhiu që e njihte zanatin e tij), diçka brenda saj u rebelua. Ndodhi atëhere një fakt që do të duhet ta preokuponte Ten Hsiao Pinin, nëse ai nga ana e tij të mos ishte një jashtëklas i teatrit politik: Margaret Thatcher pushoi së menduari për strategjinë e sapo rënë dakord dhe vendosi që t’i nënshtrohej instiktit të saj. Do ta mbante me çdo kusht lart flamurin e Union Jack. Megjithatë, më shumë se në çdo rrethanë tjetër të karrierës së saj, kësaj radhe Zonja e Hekurt ishte e vetmuar. Zemra e shtynte të luftonte, ndërsa arsyeja i kujtonte linjat strategjike të dakorduara me Foreign Office. Nga aeroporti i Pekinit u çua drejt e në Diaoyutai, rezidenca e krerëve të shteteve të huaj në lagjen lindore të qytetit, ku ndryshoi veshjen përpara se merrte pjesë në ceremoninë e mirëseardhjes në Sallën e Madhe të Popullit dhe më pas në takimin paraprak me Kryeministrin Zhao Zi Jang. Në dukje e qeshur, Thatcher nuk ishte e qartë dhe u bë akoma më pak gjatë banketit të mbrëmjes, kur në momentin e dollisë Zhao preku për herë të parë pikën delikate. Përpara qenë qarkulluar gota me maotai, një pije alkoolike e bërë nga fermente barërash, me efekte të asimilueshme – definicion perëndimor – për dikë që fut kokën në një dollap dhe më pas t’i lutet një miku të fuqishëm që t’ia mbyllë derën. Duke llogaritur habinë britanike, Zhao mbajti një diskutim ambig lidhur me nevojën për t’i zgjidhur problemet e hapura nëpërmjet “konsultimesh të qeta”. Por ajo që ju përgjigj nuk qe Kryeministrja e Madhërisë së saj, por Zonja e Hekurt. Duke qenë se sapo kishte shijuar maotain, qe në gjendje që të insinuojë: “Ende nuk i kemi filluar diskutimet tona lidhur me Hong Kongun. Shpresojmë të flasim nesër për to!”. Duke thënë këtë, gruaja që sapo kishte nxjerrë në pension gjeneralët argjentinas u duke në gjendje shpirtërore të mirë dhe e gatshme për një gjumë të mirë. Por ndeshja sapo kishte filluar.

Të nesërmen qe Zhao dhe jo ajo që mori iniciativën. Në mëngjes, në një korridor të Sallës së Madhe të Popullit ku Thatcher ishte duke e pritur, ju afrua një grup gazetarësh duke ju thënë atyre midis çoroditjes së përgjithshme se shpejt Kina do ta rifitonte sovranitetin mbi Hong Kongun. Dhe qe kjo deklaratë e befasishme, një dush i ftohtë mbi anglezët që qenë mbështetur deri në atë moment mbi diskrecionin e konsultimeve, që bëri menjëherë xhiron e botës. Kuptimi ishte i qartë: Kina ndjehej e lirë që ta merrte Hong Kongun, me ose pa konsensusin britanik. Në mënyrë të zgjuar, Zhao kishte përmendur edhe solidaritetin “antiimperialist” të ish kolonisë. Ishte një goditje e rëndë dhe, tamam si një boksier i kapur me sytë përdhe, Zonja e Hekurt u duk për një çast se u anua. Gripi që po e bezdiste ndërkohë ishte keqësuar dhe zëri i ishte ngjirur, por me një përpjekje e rimori veten dhe tha se do të luftonte akoma. Harxhoi shumë energji për t’u dukur e sigurtë në vetvete: në një vizitë në Akademinë e Arteve të Bukura, një dalje në ekspozitën e librave të British Council, një darkë me biznesmenë në Hotel Jianguo, deri kur qe në pikën që të përgjumej gjatë koncertit kushtuar Beethovenit nga studentët e Konservatorit të Pekinit.

 

Të nesërmen, në mënyrë stoike, u ngrit për të përballuar padronin e vërtetë të Kinës, Ten Hsiao Pinin. Një lider karizmatik, i privuar nga poste zyrtare, por numri një i vërtetë i regjimit, i ulur në kolltukun e tij në Sallën e Madhe të Popullit, i shoqëruar nga ministra e ambasadorë, i ashpër dhe me zë të fortë, duke pasur në krah një pështymëse të emaluar të cilën me shkujdesve të dëshiruar e përdorte pas çdo fjalie. Qe një përplasje epike, por e pabarabartë: sepse ultimatumit të Tenit Thatcher mund t’i kundërvinte kapjen kurajoze pas rregullave të së kaluarës koloniale britanike. Sigurisht, traktatet qenë nga ana e saj, por si t’i përgjigjeshe më rimë një njeriu që komandonte 1 miliard njerëz dhe që shpallte se tashmë kishte vendosur ta rimerrte të gjithë Hong Kongun në 1997, pavarësisht nga pretendimet e Londrës, me lëshimin e vetëm të “politikave speciale në gjendje që t’i ruajnë prosperitetin”? Ishte një ultimatum për t’u pranuar ose refuzuar, por gjithmonë me shpatullat pas muri. Domethënë, po apo jo? Qe në këtë moment, për herë të fundit gjatë vizitës, që mund të admirohej Zonja në armë, kundër çdo lloj logjike politike dhe diplomatike, hoqi maskën dhe mendoiu se do të kishte qenë e patolerueshme t’i dorëzohej diktatit të një diktatori komunist. Ajo përfaqësonte Perandorinë e vërtetë dhe e bëri këtë gjë me një ashpërsi që nuk ishte parë kurrë nga kohërat e Churchill. Nëse do të ishte mundur, mendoi ajo, do t’i kishte denoncuar botës arrogancën kineze. Përdori gjithçka që mundej: të tri traktatet ekzistuese sipas të drejtës ndërkombëtare, dy prej të cilave qenë shitje ligjore Mbretërisë së Bashkuar, detyrimet që pasonin për Pekinin, pamundësinë për të zgjidhur gjithçka me forcë dhe së fundi nxori kartën e saj: kërkoi që të zgjatej skadimi kohor i traktateve ekzistuese, në mënyrë që të procedohej vetëm ne marrëveshje me Londrën. Së fundmi pyeti, duke e bërë Tenin të kërcejë nga kolltuku: “Mbi çfarë bazohet premtimi për të ruajtur stabilitetin dhe prosperitetin e Hong Kongut? Ashtu siç është thënë është e papranueshme, mungojnë provat!”. Prandaj propozonte që të konfirmohej “British rule” edhe përtej vitit 1997, në këmbim të sovraniteti formal kinez mbi qytetin.

Deri për një njeri shumë të kultivuar si Ten Hsiao Pini, kjo ishte shumë. Qysh nga kohërat e normalizimit të raporteve kino – britanike në vitin 1972, askush nuk i kish refuzuar kurrë drejtpërsëdrejti pretendimet e Pekinit lidhur me Hong Kongun. Dhe tani kjo shtrigë me veshjen e një zonje të vjetër pretendonte që të kthente prapa akrepat e sahatit, fliste gjuhën e imperializmit të Tetëqindës, mbronte mbeturinat e Luftës së Opiumit, i thumbonte Kinës dobësinë dhe poshtërimin e kaluar të saj. U ngrit nga kolltuku, i mbërthyer nga zemërimi, dhe pëshpëriti se për kokëfortësinë e saj Thatcher do të duhej të “bombardohej” (kjo shprehje detyrimisht që u fshi në kronikat zyrtare). Kur arriti që të rikuperojë një minimum vetëpërmbajtjeje, ulëriu se sikur ta lejonte “British rule” përtej vitit 1997 do të vihej në të njëjtin plan me tradhtarët e lashtë të dinastisë Cing. Se traktatet e vjetër qenë qysh nga fillimi të paligjshëm dhe nul. Se nuk mund të ekzistonte administrim pa sovranitet. Se flamuri britanik duhej të largohej prej andej. Bashkë me të edhe guvernatori anglez. Gjithçka brenda 2 vjetësh. 2 vjetësh! Përndryshe Kina do të vendoste unilateralisht. Dhe mjaft me kaq. Takimi kishte mbaruar. Qe edhe beteja e mirë e Zonjës së Hekurt. I mbeti vetëm forca për të mbajtur një konferencë shtypi, ku përsëriti një herë të fundit tezat që e kishin tërbuar Tenin. Por teksa fliste, zëri ju ul në një pëshpërimë të çjerrë, deri sa në fund ju ndërpre krejtësisht.

Duke dalë nga pallati për të arritur Sheshin Tiananmen, ju ngatërruan këmbët dhe u rrëzua përpara telekamerave në pritje. Pamja që dominoi teleditarët e Hong Kongut në mbrëmje qe ajo e një Kryeministri britanik, të ardhur në Pekin për të negociuar të ardhmen e qytetit, në gjunjë përpara mauzoleumit të Mao Ce Dunit. Dhe nga ky çast filloi tërheqja. Në pikën që në banketin e lamtumirës, pak orë më con, u paraqit vetëm Kryeministri Zhao: të gjithë të tjerët preferuan me kokëfortësi pritjen e dhënë, dy hapa më larg, për Kim Ir Senin. Po atë natë, Lady Thatcher, tashmë hija e vetvetes, mori avionin e kthimit. Dhe në skadimin e dy viteve, siç u urdhërua nga Pekini, Mbretëria e Bashkuar nënshkroi fundin e “British rule” mbi Hong Kongun. Më pas Lady, një çikë më pak e hekurt, do të kthehej disa herë lidhur me argumentin. Përtej diskutimeve zyrtare, Teni ia kish bërë të kuptohej qartë se për demokraci, pas vitit 1997, nuk do të mund të flitej kurrë në Hong Kong. Por nëqoftëse ajo ndjehej e trishtuar dhe e preokupuar për të ardhmen e ish kolonisë, nuk ishte në pikën sa të pranonte gabimin fatal të saj. Fakti është se kishte luftuar për të kaluarën, nderin e Perandorisë, jo për demokracinë në Hong Kong: Basic Laë të cilit i apelohen sot manifestuesit, fryt i brishtë i asaj betejë të vitit 82, është pak më shumë se një lodër kalamajsh në duart e Pekinit. Dhe sidomos bindja ideologjike e saj se liria e tregut pashmangshmërisht do t’i hapte rrugën asaj politike, ka rezultuar një utopi. Të shumta janë armët në duart e një regjimi të fuqishëm: kërcënime, përdorim i forcës, kolona të pesta, përdorim agjentësh të kamufluar, apel në shërbim të komunistëve të vjetër, përdorim i kriminalitetit mafioz. Gjithçka vjen mirë (siç e ka demonstruar Rusia e Putinit në Krime dhe Ukrainën lindore) për të përçarë dhe reduktuar në këshilla të thjeshta këdo që kundërvihet. Vetëm duke i hedhur në fytyrë Pekinit liritë individuale, legalitetin dhe të drejtën e vetëvendosjes, duke ju apeluar gjykatave ndërkombëtare dhe duke zgjuar vetëdijet demokratike të Perëndimit, sfida ndoshta nuk do të ishte humbur në nisje. Infektimi demokratik, nga Solidarnosc e këtej, është makthi i vetëm nga i cili një regjim totalitar dëshiron që të zgjohet sa më shpejt. Kusuri – dhe për këtë Thatcher do të kishte qenë dakord – kërkon zakonisht çmimin e lotëve dhe gjakut.

 Përgatiti: ARMIN TIRANA/www.bota.al

SHKARKO APP