The Economist 2015:/Si duhet të sillemi me ariun Putin?

Çdo vit revista e mirënjohur botërore “The Economist” boton një numër special me atë që pritet të ndodhin në botë në vitin në vijim. Këtë e ka bërë edhe për 2015-ën. Pikërisht shkrimet më të mira të kësaj përmbledhjeje ju do t’i gjeni, duke filluar që tani tek “Lapsi.al”: “Si do të sillet Obama gjatë këtij viti (shkrimi i parë i botuar pak dite me pare shiko poshte)? Si po bëhet Gjermania një superfuqi (shkrimi i dytë)? Kush mund ta ndalojë Kinën ? Mësimet që duhen nxjerrë nga epidemia e Ebolas, shpikjet e reja të smartfonëve dhe Luvri që zbarkon në Abu Dabi këto janë disa nga temat e « The Economist » që do ti sjellë në shqip, Lapsi.al. Ne do të postojmë nga një artikull të ri, për të rrijuar një ide më të qartë se si do të jetë bota në ditët që do të vijne. Shkrimi i tretë i The Economist i takon Rusisë së Putinit dhe dilemës se si duhet të sillet Europa me të. Kërcënimi i Vladimir Putin do të ketë pasur si efekt shtyrjen e europianëve drejt bashkimit për të ashpërsuar tonin kundër Moskës..

Që prej krizës financiare, drejtuesit europianë kanë parë më shumë brenda sesa jashtë. Ata ishin shumë të zënë për të ndaluar rënien ekonomike dhe për të ruajtur monedhën e përbashkët. Por sot problemet e jashtme janë në krye të prioriteteve të BE -së. Arsyeja: Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe aneksimi i Ukrainës. Ka tre elementë të rëndësishëm në 2015.

Së pari, emergjenca e një kërcënimi tjetër rus do t’i nxisë vendet europiane të rrisin shpenzimet për çështjen e mbrojtjes, pas disa vitesh me probleme në ekonomi.

Së dyti, ata do të impenjohen për të diversifikuar burimet e energjisë së Bashkimit Europian, për të kufizuar varësinë nga gazi rus, dhe më përgjithësisht, për t’u bërë më pak të varur ekonomikisht nga Rusia.

Së treti, sanksionet kundër Rusisë duhen vazhduar, ndoshta edhe duhen shtuar, edhe nëse ata nuk kanë efekte të dëmshme vetëm për Rusinë, por edhe mbi ekonominë europiane ende të brishtë.

Për sa thamë më sipër ka shumë gjëra që të surprizojnë. Putin prej kohësh ka përçarë mjaftueshëm për të mbretëruar në Europë. Për të lehtësuar armiqësinë me Poloninë dhe vendet baltike në veçanti, ai po luan kartën e miqësisë me Gjermaninë dhe Italinë. Hungaria, Qipro dhe Bullgaria janë tradicionalisht pro -ruse. Shumë ndërmarrje europiane kanë bërë tregti dhe kanë investuar në Rusi. Dhe Franca ka ndërtuar për Moskën shumë anije të transportit ushtarak.

Ndryshimi i klimës

Kjo kohë ka kaluar. Agresioni në Ukrainë nuk i solli Putinit vetëm sanksione: ai i bëri të humbasë shumë miq në Europë. Franca e shtyu për më vonë dorëzimin e anijeve të transportit ushtarak. Por shembulli më i mirë i ndryshimit të kësaj klime është Gjermania, partneri më i madh i Rusisë dhe burimi i investimeve. Elitat gjermane kanë treguar prej kohësh “mirëkuptim” ndaj Rusisë, duke mbyllur sytë përballë karakterit autokratik dhe kleptokratik që dominon në regjimin e Putinit, me qëllim që të vazhdojë marrëdhëniet me Rusinë. Ngjarjet e vitit 2014 i dhanë fund këtij kompromisi. Kancelarja Angela Merkel është tashmë një nga zërat perëndimorë më kritikë ndaj Putinit.

Dikur partner tregtar i bezdisshëm, Vladimir Putin është kthyer dalëngadalë, por sigurisht, fqinji më armiqësor i ditëve të sotme. Por qëkur ai u kthye në Kremlin për të zëvendësuar Dimitri Medvedevin, si president i Rusisë, në mars të vitit 2012, qëndrimi i tij anti-perëndimor është përforcuar.

Prej disa kohësh duket qartë se Putin e sheh NATO -n si kërcënim. Por ai nuk kishte lënë të kuptohet se do të ishte po kaq armiqësor ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian drejt lindjes. Për këtë, si katalizator shërbeu Ukraina. Putin, i cili e cilësoi shkrirjen e Bashkimit Sovjetik si “katastrofë gjeopolitike”, gjithmonë ka qenë pak i prirur për të pranuar që Ukraina, djepi i mesjetar i Rusisë së Kievit të ishte një vend me të vërtetë i pavarur. Revolucioni portokalli ishte një nga kthesat më të rëndësishme të mandatit të tij të parë presidencial dhe ai u shfaq i kënaqur kur prorusi Viktor Janukoviç u bë president i Ukrainës, në 2010. Në këtë kontekst Bashkimi Europian nënshkroi marrëveshjen për tregtinë e lirë me Janukoviçin.

Unioni Euroaziatik

Putin ishte shumë armiqësor ndaj kësaj marrëveshjeje, sepse ajo mund të shërbente si një hap i parë drejt anëtarësimit të Ukrainës në BE. Veç të tjerash ai ka shumë nevojë që Ukraina, e cila numëron 45 milionë banorë, të hyjë në Unionin Euroaziatik. Prandaj, në fund të vitit 2013 ai ushtroi presione mjaft të forta mbi Janukoviçin që ta prishë marrëveshjen me BE -në. Kjo nxiti një kryengritje të re të ukrainasve, shumë të zemëruar pasi po shikonin që aspiratat europiane të vendit të tyre po shkonin në zero. Dhe kjo solli largimin e Janukoviçit dhe zëvendësimin e tij me Petro Poroshenkon. Putin përfitoi nga kaosi për të pushtuar dhe aneksuar Krimenë. Pastaj rusët nxitën një revoltë kundër Kievit, në zonën ukrainase të Donbasit, duke dërguar në mënyrë të fshehtë trupat e tyre ushtarake në anën tjetër të kufirit. Putin lëshoi një doktrinë të re, sipas të cilës ai i jepte vetes të drejtën për të mbrojtur të gjithë rusë-folësit kudo që ndodhen. Për vendet si Letonia dhe Estonia që kanë minoritete të rëndësishme rusë -folësish dhe që nuk e kanë harruar pushtimin sovjetik, kjo doktrinë paraqet një kërcënim shqetësues. Edhe pse luftimet në Ukrainën lindore janë qetësuar, ato e vunë Putinin dhe BE -në një përballje që do të zgjasë edhe në 2015 -ën. Putin nuk do të heqë dorë nga Krimeja dhe nuk do t’i braktisë rebelët prorusë të Donbasit, zona që do të fitojë një autonomi më të madhe. Bashkimi Europian dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje të re tregtare, por për të shmangur provokimin e Rusisë ato e kanë shtyrë aplikimin e saj përtej 2015 -ës. Europianët, duke mos qenë të gatshëm që të luftojnë për Ukrainën, kanë si opsion të vetëm sanksionet kundër personaliteteve dhe sipërmarrjeve ruse që janë afër Putinit (ndonëse sanksionet perëndimore dëmtojnë ekonominë ruse, e cila ishte në stanjacion në 2014 -ën dhe që pritet të ngrihet me vështirësi në 2015 -ën. Rusët u përgjigjën me bllokimin e produkteve europiane dhe kërcënojnë se do të ndërpresin gazin. Dyshimi i reciprok tani ka zënë vend.

Prej shumë vitesh, shumë njerëz, më shumë brenda se jashtë BE -së, janë ankuar për paaftësinë e BE -së për të udhëhequr një politikë të jashtme të unifikuar, duke përmendur qëndrimet e ndryshme (të vendeve të BE) kundrejt Rusisë, si shembullin më të dukshëm. Në mënyrë paradoksale, në 2015 -ën Bashkimi Europian do të jetë më shumë se kurrë pranë arritjes së këtij qëllimi. Dhe e gjithë kjo falë një njeriu të vetëm: Putinit, dora vetë.

SHKARKO APP