Thirrje e 60 personaliteteve për një politikë të re ndaj Rusisë

Në një thirrje publike të shpërndarë në mediat gjermane me titullin "Sërish luftë në Evropë? Jo në emrin tonë" 60 gjermanë të shquar dhe të nderuar paralajmërojnë për rrezikun e një lufte në Evropë dhe shprehen për dialog me Rusinë. Ata kanë të drejtë: në Evropë nuk duhet të ketë më luftë. Dialogu është gjithmonë kërkesa më e rëndësishme e politikës së jashtme të demokracive. Kjo vlen edhe për trajtimin që i bëhet sot Rusisë. Po kjo thirrje e fisme e personave që pa dyshim kanë arritur gjëra të rëndësishme në politikë, ekonomi dhe kulturë, nuk është e përshtatshme për konfliktin aktual.

Iluzion në vend të fakteve

Vërtet që është krejtësisht e drejtë kërkesa që në Evropë nuk duhet të ketë më luftë, por kjo luftë ekziston prej kohësh: në pranverë, presidenti rus Putin e pushtoi me mjete ushtarake Krimenë dhe e inkorporoi atë në Federatën Ruse. Një luftë e hapur ruso-ukrainase nuk ndodhi, sepse Kievi i mbingarkuar u tërhoq i frikësuar nga mbrojtja ushtarake e Kievit. Përkundrazi, në Lindje të Ukrainës zhvillohet hapur një luftë me mijëra të vrarë dhe me shkretime masive. Dhe pa dërgime trupash dhe armësh nga Rusia kjo luftë do të kishte qenë e papërfytyrueshme. Kjo thirrje në këtë rast e anashkalon realitetin.

Edhe më keq: thirrja të krijon përshtypjen se Perëndimi dhe politika gjermane duan të përballen me mjete ushtarake me Rusinë. Asgjë tjetër nuk është më absurde: qeveria gjermane dhe krerët e Bashkimit Evropian përjashtojnë njëzëri çdo zgjidhje ushtarake të konfliktit. Veçanërisht kancelarja gjermane Merkel dhe ministri i Jashtëm Steinmeier e vazhdojnë me gjithë vështirësitë dialogun e nevojshëm diplomatik me Moskën. Nëse nënshkruesit donin të mbështesin me thirrjen e tyre këtë diplomaci, atëherë kanë të drejtë. Por në këtë rast në thirrje mungon apeli drejtuar politikës ruse "për të vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës" dhe për ta ruajtur detyrimin për paqe.

E ngjashme me krijimin e një legjende është edhe kur aludohet që gazetarët dhe komentuesit nuk e njihkan frikën ruse nga rrethimi i NATO-s. Nënshkruesit e thirrjes duket se kanë harruar këtu dy aspekte të rëndësishme: në radhë të parë, nuk ka plane konkrete të NATO-s për ta pranuar Gjeorgjinë dhe Ukrainën në NATO. Pikërisht në vitin 2008 dy vendeve nuk iu mundësua anëtarësimi. Takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Wales këtë vit faktikisht e konfirmoi këtë vendim. Së dyti, nënshkruesit e thirrjes nuk duhet të harrojnë se krahas interesave ruse të sigurisë ekziston edhe frika e ukrainasve dhe gjeorgjianëve, të cilëve u duhet të përjetojnë se si disa pjesë të vendit të tyre ndahen me forcën ushtarake ruse.

Thirrje kundërthënëse

Krejtësisht kontradiktore bëhet thirrja në fund. Sepse pas kujtimit të shpresës së vitit 1990, për të krijuar një Evropë të bashkuar në liri dhe demokraci, thirrja përfundon me fjalinë "deri në konfliktin e Ukrainës ne në Evropë kujtonim se ishim në rrugën e duhur". Kjo është në disa pikëpamje jologjike.

Sepse ukrainasit duan të bëhen pikërisht pjesë të një Evrope të lirë dhe demokratike. Ajo që vlen për rusët, nuk duhet t'u mohohet ukrainasve.

Dhe nëse Rusia është nxjerrë nga Evropa me politikën evropiane – siç pohohet më parë – atëherë i bie që Evropa të mos ketë qenë në rrugën e duhur në dekadat e fundit. Këtë politikanët rusë të sigurisë do ta refuzonin me të madhe, sepse kritika ruse për politikën evropiane të fqinjësisë është shumë më e vjetër se konflikti aktual i Ukrainës.

Ankesat për zgjerimin e NATO-s de kundër politikës së BE në hapësirën postsovjetike, udhëheqja ruse i ka komunikuar herë pas herë në 20 vjetët e fundit. Rregullisht kritika ruse u injorua nga Perëndimi. Nëse ky ka qenë veprim i zgjuar, kjo do të jetë punë për historianët. Në qendër do të jenë para së gjithash politikanët perëndimorë të viteve 1990 dhe të viteve të para të shekullit të 21-të, që sipas kësaj mënyre të interpretimit të ngjarjeve, i kanë injoruar interesat ruse. Është një lloj ironie, që disa nga nënshkruesit e thirrjes aktuale bëjnë pjesë pikërisht te këta politikanë të asaj kohe.

Thirrja manifeston me përzgjedhjen e fakteve një mungesë frikësuese haberi për Rusinë dhe Ukrainën. Këto vende nuk shikohen me historinë e tyre, me proceset aktuale, me veçanësitë dhe me kompleksitetin e tyre, por vetëm si objekt i projektimit të dëshirave evropianoperëndimore. Sfidat e vërteta janë të tjera: si mund të përballesh konkretisht me një Rusi të kërcënuar nga kriza, me vështrim pas dhe që po bëhet gjithnjë e më shumë autiste? Cila është balanca e duhur midis mbrojtjes nga rreziku, lokalizimit dhe politikës së qetësimit? Thirrja në drejtim të banaliteteve të fisme sigurisht që është shumë pak.

SHKARKO APP