Ti heqësh Shkodrës Velipojën dhe Thethin, do të thotë ti presësh këmbët dhe kokën!

Nga Musa Kurtulaj

Projekti i reformës territoriale të PD-së, i prezantuar të premten, më 31 korrik, nga Luçiano Boçi, parashikon që Bashkisë Shkodër t’i hiqen Thethi dhe Velipoja, si dhe të shtohen edhe tri bashki të tjera.

Ky projekt është shumë i çuditshëm, pasi nëse i hiqen Shkodrës Thethi, zona turistike e Alpeve, dhe Velipoja, zona bregdetare turistike, atëherë i asgjësohen një pjesë e madhe e potencialeve të zhvillimit turistik. Në të njëjtën kohë, do të minimizoheshin edhe kapacitetet e infrastrukturës turistike që këto dy zona, me rëndësi ndërkombëtare, kanë ndërtuar ndër vite.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përfshirja e Thethit dhe Velipojës në Bashkinë Shkodër, përmes reformës territoriale të vitit 2015, koha e ka treguar se ka qenë një nga gjetjet më të drejta dhe më efikase të kësaj reforme në shkallë kombëtare. Këto vite kanë shënuar një bum të zhvillimit turistik në Velipojë dhe Theth, dhe ky zhvillim lidhet ngushtë edhe me kontributin e Bashkisë Shkodër në administrimin dhe menaxhimin e këtyre zonave, në një ndryshim rrënjësor krahasuar me periudhën kur ato ishin komuna.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sot mund të thuhet me sigurinë më të madhe se turizmi në Velipojë dhe Theth është konsoliduar dhe po ecën fuqishëm drejt një zhvillimi të pandërprerë. Shkëputja e tyre sot nga administrimi i Bashkisë Shkodër do të ishte një goditje me pasoja shumë të rënda për zhvillimin e turizmit, jo vetëm në nivel vendor, por edhe në nivel kombëtar.

Bashkia Shkodër, pas reformës territoriale të vitit 2015, është unike në Shqipëri dhe më gjerë, pasi shtrihet nga plazhi i Velipojës, në bregdet, deri te Thethi turistik në Alpe. Kjo bashki mund të merret si një model në shkallë vendi për efikasitetin e reformës territoriale ekzistuese.

Prandaj, kërkesa për ta copëzuar sot këtë strukturë është më shumë se absurde. Në mënyrë figurative: t’i heqësh Shkodrës Velipojën dhe Thethin do të thotë t’i presësh këmbët dhe kokën.

Sa i përket shtrirjes territoriale të Bashkisë Shkodër dhe mundësisë së zgjerimit të saj, kam shumë për të thënë, por kjo i përket një kohe më të përshtatshme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?