“Ti nuk je shqiptar” Granit, na fal, asnjëherë nuk të kemi kuptuar!

Nga Anton Cicani

Shumë të vërteta dhe të pavërteta “ndërthuren” mes tyre për të krijuar shpesh një histori ndryshe, legjenda urbane, por edhe një personazh krejt i kundërt nga se është vërtet. E kam njohur Granitin në Turqi, teksa qëndroja në grumbullim me Flamurtarin.

Në atë kohë, luante në Gjermani me Borusia Mënshengladbahun, pasi ishte transferuar nga Bazeli. Më priti si një vëlla, edhe pa më njohur dhe, madje, teksa shoferi i autobuzit më foli serbisht, sepse mendoi se dija ashtu si shumë kosovarë… Graniti iu drejtua: “Eshtë Shqiptar ky! Si unë, foli anglisht ose shqip…

Ndryshe nuk të merr vesh!”. Më pas, u ulëm duke biseduar gjatë. Ishte intervista e parë ekskluzive me këtë futbollist fantastik dhe person të veçantë… Folëm shumë, aq sa nisi të ngrysej. Isha i lodhur, pasi kisha shkruar shumë atë ditë për skuadrën e Flamurtarit dhe kisha dërguar fotografi e materiale në redaksi.

Graniti më tha, “nëse do eja nesër flasim më shtruar!”. Por, e dija që ishte i vetmi moment kur ndoshta mund të zbuloja dhe kuptoja shumë për një futbollist dhe familje të paragjykuar sipas një skenari që na “u shit” për shumë vite.

Ndonjëherë habitesha nga shqipja e rrjedhshme e tij, teksa më thoshte: “çfarë ke Anton?! Dhe unë, jam rritur me këtë gjuhë dhe të jesh i sigurt se është ajo me të cilën flasim në familje, çdo ditë!”… E teksa intervista zbulonte historinë e jetës së tij, pyetja më e bukur ishte kjo:

“Granit, tani shqiptarët duan të dinë, si është ajo historia e refuzimit tënd?!” M’u drejtua: “Seriozisht, nuk dua të flas. Jo sepse dua të tregoj unë version tim, por sepse njerëzit do të vazhdojnë të besojnë atë që kanë besuar.

Nuk ka faj as federata juaj, as familje ime, as unë dhe as ndonjë person tjetër. Thjesht, gjërat shkuan ashtu… Ishte tjetër kohë, por sot do të isha kurioz të shihja nëse yjet që keni në kombëtare, nëse Kosova do të futej në FIFA dhe UEFA, do të largoheshin nga kombëtarja për të luajtur me ata…”.

E pra, Graniti i ra në kokë. Ata që u larguan, i larguam ne dhe nuk ikën me dëshirë, por thjesht sepse ajo ishte rruga e vetme. Për të mos vijuar me këtë histori, pyetja tjetër ishte në lidhje me atë rast të shpërdoruar përpara portës në Zvicër, ku shtypi e masakroi… “Granit, tani të kemi parë, t’i atë rast nuk e gabon kurrë, sidomos aq afër… Nuk ta bëri zemra?!”. Fike regjistruesin më tha…

“Epo, sapo e the vetë përgjigjen! Por, të lutem, këto fjalë nuk mund të dalin kurrësesi në gazetë, sepse më pas në Zvicër do të bëhesha armiku numër “1” dhe do të vija në rrezik edhe familjen time… Madje, pasi Shaqiri shënoi dhe festoi, mbeta i shtangur! E kapi momenti, ndoshta fyerjet e shumta nga tribunat, ndoshta nervozizmi i faulleve. Nuk di çfarë të them”…

Di unë çfarë të them Granit, kur pashë atë skenë në dhomat e zhveshjes, në tunel, teksa një person t’u drejtua duke thënë “ti nuk je shqiptar” dhe në atë moment të hypi gjaku në tru dhe doje ta shqyeje… “Unë nuk jam shqiptar!

Eja këtu nëse je burrë dhe ma thuaj… Sepse mendoj se shqipen dhe traditën e di më mirë se ty, të jesh i sigurt!”. U deshën katër vetë ta ndalonin Granitin në atë çast. Sonte, ndaj Serbisë, ajo shqiponjë është thjesht “detyra” për të, asgjë më shumë… Sepse, ata që nuk e njohin, nuk mund ta kuptojnë…

SHKARKO APP