T’i shesës frigoriferin eskimezit
Nga Majlind Lazimi –
Në të gjitha kuptimet, përpjekja e Ramës për të fituar mandatin e 3-të, në gjuhën e marketingut, do të përkthehej “t’i shesësh frigorifer eskimezit”. Pra, praktikisht është një ofertë që nuk i duhet askujt dhe aq më pak ekonomisë dhe xhepave të shpuara të shqiptarëve.
Besoj për një gjë biem dakord të gjithë. Po të bëjmë një analizë të performancës, rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë shqiptare qysh fillimviteve ’90-të, të gjitha maxhorancat kanë justifikuar plotësisht besimin e votës së qytetarëve vetëm në 2-3 vitet e para të qeverisjes, sikurse ka ndodhur gjatë viteve ‘92-‘95 me reformat e liberalizimit të tregut pas daljes nga komunizmi; në vitet ‘97-2000 me rikthimin e shtetit funksional pas përmbysjes së skemave piramidale; në 2005-2008 me reformat ekonomike të suksesshme kryesisht në thithjen e investimeve të huaja apo në 2013-2016 me reforma të nevojshme, por fatkeqësisht të dhimbshme për shkak të kostove të tyre sociale.
Prandaj, në mungesë të një bilanci rezultatesh të prekshme, sidomos në mandatin e fundit, Rama kërkon të imponojë iluzionin te shqiptarët sikur ai është ‘sfidanti’ dhe ‘shpëtimtari’, kundrejt realitetit të pamohueshëm se në fakt ai është strumbullari i të gjitha pakënaqësive të tyre në këto 8 vite qeverisje.
Qartazi, duket se ‘vaksinë-politika’ është karta e fundit që Kryeministri po luan, ndërkohë që askush nuk jep llogari se pse Shqipëria ka një nga bilancet më negative në rajon në raport me mortalitetin nga pandemia. Nga ana tjetër, pavarësisht realitetit mjeranë të qindra familjeve që akoma nuk kanë ku të fusin kokën prej gati një vit e gjysmë qysh nga fatkeqësia e tërmetit, procesi i rindërtimit po serviret si një histori e pashoq suksesi…
Në kushtet ku shqiptarët mbeten populli më i varfër në Europë, me të ardhurat për frymë sa gati 60% e të ardhurave të fqinjëve tanë malazez, ku më shumë se 42 % e tyre jetojnë me më pak se 5 $ në ditë, ku mbi 50 % e të ardhurave shkojnë për blerjet e ushqimeve bazike, ku ndihma ekonomike për rreth 50 mijë familje është rreth 50$ në muaj, ku qindra familje nuk marrim vetëm ushqimet, por edhe ilaçet me lista në farmacitë e lagjes, mandati i 3-të do të ishte thjesht inerci e frikshme drejt ‘agonisë’ së ekonomisë shqiptare.
Askush nuk e mohon që aktualisht ekonomia shqiptare është në rënie të lirë, pa ‘parashutën’ e qeverisë dhe pa një plan konkret shpëtimi dhe rimëkëmbjeje. Tashmë, kemi humbur shumë kohë duke i dhënë ekonomisë ‘aspirinë’, ndërkohë që ajo ka pasur nevojë për antibiotik qysh prej fillimit të pandemisë. Jemi vendi i fundit në Europë për sa i përket mbështetjes direkte buxhetore me rreth 1%, ku mesatarja edhe e rajonit tonë është rreth 3%.
Paradoksalisht, jemi futur në ‘kurthin e likuiditetit’ ku nga njëra anë rriten kursimet e shqiptarëve në nivelin e 10 miliardë $ dhe nga ana tjetër tkurren kreditimi dhe investimet për shkak të pasigurisë dhe pritshmërisë negative të sektorit privat ndaj ekonomisë. Për më tepër, varfëria, pabarazia, papunësia, padrejtësia dhe korrupsioni janë në nivele alarmante dhe kapilare në shoqëri, ndërkohë që mbeten jashtë axhendës prioritare të qeverisë aktuale.
Prandaj, këto zgjedhje mishërojnë udhëkryqin historik për fatin e Shqipërisë. Do të ishte e pafalshme për ndërgjegjen tonë kolektive dhe të ardhmen e fëmijëve tanë për të bërë zgjedhjen e gabuar.