Tirana, shorti i nje qyteti
Nga Artan Lame
Do doja sot të diskutonim për qytetin tim dhe tuajin, në qytetin ku në këtë moment të gjithë marrim frymë. Mendova ta quaj temën “Tirana, shorti i një qyteti”, dhe po e them që në fillim cili është fati i këtij qyteti, fati i tij është rinovimi, rinovimi i vazhdueshëm. Ka qytete që nuk rinovohen kurrë, që ngelin të ngrira dhe ekziston kot Drejtoria e Urbanisitikës pasi nuk jepen më leje, siç është Firence, që ka ngrirë në kohë para 400-500 vjetësh dhe nuk ndodh më asgjë. Siç janë nga ana tjetër qytetet amerikane që riciklohen vazhdimisht. Tirana është diçka e ndërmjetme, është një qytet me moshë, por që vazhdimisht rinovohet dhe ndryshon.
Tirana është qytet i ri në fakt si qytet, pavarësisht se kronikanët e nxjerrin një qytet të vjetër që në kohën e Romës. Në kuptimin e mirëfilltë si qytet është qytet i ri pavarësisht se përmendet dhe në Mesjetë, e përmend edhe Marin Barleti tek “Historia e Skëndërbeut” dy –tre herë, por e përmend si vend, jo si qytet. Pavarësisht nga gjurmët që ka nga antikiteti prapë ka vendbanime të vogla dhe jo si qytet. Krijimi si qytet që është fiksuar në histori është krijimi nga Sulejman Pashë Bargjini në 1614, që prapë nuk mund të quhej një qytet, ai caktoi një pikë ku bashkohen dy-tre rrugë, ku sot është monumenti i Partizanit të Panjohur. Ajo ishte një pikë ku bëhej tregëti dhe kështu ka filluar dhe shumica e qyteteve në botë, nga një pikë ku ka tregëti, ku ka kryqëzime rrugësh, ku ka një element tërheqës dhe që aty fillon jeta qytetare.
Zhvillohet shumë pak në 200-300 vitet e para, për herë të parë del në një hartë perëndimore në 1689-ën. Për herë të parë del e pikturuar diku në 1849-ën në pikturat e Eduard Lirit që kaloi nga Elbasani për të vajtur në Durrës dhe pikturon Xhaminë e vjetër.
Harta e parë e qytetit është e 1916-ës gjatë kohës së pushtimit austriak, pra konstatojmë se është i ri si qytet, por të gjithë udhëtarët që nga shekulli i 16-të e përshkruajnë bukur, si një qytet të këndshëm me hije, me selvi, me pemë, me xhami, me çezma nëpër rrugë që gurgullojnë me ujë. Përshkrimi i Tiranës ishte për një vend idilik, tërheqës, pa atë arrogancën e zhvillimeve moderne, por dhe pa atë vjetërsinë e qyteteve të tjera shqiptare.
Para se të krijohej shteti shqiptar, para 1912 –ës, i vetmi që i jep një prekje Tiranës, që bën tentativat e para që ta kthejë nga Perëndimi është një personazh i çuditshëm, Esat Pasha. Esati duke qenë tiranas, duke pasur shumë prona në Shqipëri bën një udhëtim në perëndim dhe shokohet, siç shokohej shumica e turqve, osmanëve, shqiptarëve që shkonin në perëndim pasi Europa ishte në kulmin e shpërthimit në fillim të shekullit 20.
Esati shokohet nga ajo që shikon dhe vjen këtu dhe fillon të ndërtojë rrugët, të bëjë pazarin, të krijojë kolonadat e pazarit dhe hap rrugën e Durrësit dhe është i pari që mundohet të rinovojë në Tiranë. Esati rinovon pazarin e vjetër duke bërë disa ndryshime dhe mbjell për herë të pemë nëpër rrugë ndërkohë që tiranasit i thoshin po na e bën qytetin si katund, sepse për qytetarin e asaj kohe pema ishte katund.
1912 sjell shumë pak gjëra në Tiranë. Princ Vidi ka bërë vetëm një vizitë në Tiranë 1914, vizitë e cila shërbeu për të mbushur gropat e rrugës nga Durrësi në Tiranë, siç ndodh dhe sot e kësaj dite, o burra të shtrojmë rrugën se do vijë “filani”. Shqipëria ndryshon shumë pak në kohë, sepse elitat politike bëjnë vazhdimisht të njëjtat gabime dhe na duket sikur përsërisim veten.
Ndryshimet e para që unë do ti quaja të vërteta në Tiranë filluan me pushtimin austriak në 1916. Austriakët fillojnë të konceptojnë Sheshin Skënderbej, aty ishte e zënë me godina të vjetra, baranka, pastaj ndërtojnë godinën që është sot Teatri i Kukullave, të cilën e nisin për ta bërë kabare, teatër për oficerët e tyre, duke krijuar kështu dhe hapjen e parë të qytetit.
Pas-lufta vjen përsëri e turbullt në Tiranë dhe shpërthimi i parë rinovues është shndërriumi i tij në kryeqytet me vendosjen e Qeverisë së Kongresit të Lushnjes në janar 1920. Një qytet province që brenda ditës bëhet kryeqytet dhe ndodh një shpërthim kolosal sepse papritur janë qindra e mijëra njerëz që duan shtëpi, administrata, ambasada që do godina, hotele, etj. Kjo solli një shpërthim të jashtëzakonshëm imobilar, ndërtime të shpejta. Qeveria u vendos tek Hyqymeti i vjetër, ndërsa ministritë u shpërndanë nëpër shtëpia qytetarësh ku të mundnin.
Shpërthimi i dytë i madh vjen në vitin 1925 kur u shpall Republika nga Zogu kur ky qytet vendoset të jetë një kryeqytet i përhershëm në Kushtetutë dhe në këtë moment nisin planet rregulluese. Nevoja e qytetit ishte e tillë që sapo mbarohej një plan rregullues, dilte nevoja për tu ribërë dhe në 10 vjet, ‘25-’35, planet ndryshuan disa herë. Imagjonojmë që kur u koncetua dhe filloi të çahej Bulevardi, gazetat e kohës shkruanin “kemi parë qytet pa bulevard, por s’kemi parë bulevard pa qytet”, sepse Bulevardi shtrihej në një djerrinë të madhe, Tirana mbaronte tek Lana e sotme, matanë ishin vetëm ferra. Në këtë ferrishte po çahej një Bulevard gjigand, sot do të dukej aburde, jo më në atë kohë.
Ky shpërthim rinovues mbaroi në 1939, dhe ministritë janë ndërtuar me tendera dhe kur bëhen punët me tendera, siç ndodh dhe sot, cilësia e punës së tyre për fat të keq dallon. Unë jam marrë me restaurimin e disa prej tyre dhe cilësia e punës dallon se duke mbaruar paratë duke rënë cilësia në ndërtim sepse Ministria e Energjitikës (aktualisht) atëherë kryeministria, u ndërtua me tulla të forta, këto elemente zhduken hap pas hapi saqë godina ku qëndron Bashkia është ndërtuar me copëra tullash, me llaç shumë të dobët, nuk ka porta druri, por porta kompesate të lyera me bojë.
Pas këtij shpërthimi të kohës së Zogut, erdhi një shpërthim i katërt i qytetit, që është i periudhës së pushtimit Italian. Italianët vijnë me një vizion shumë më të madh për Tiranën, një vizion që e tejkalonte Shqipërinë sepse ata e konceptonin Ballkanin si Ballkanin e “Romës së Re” dhe do ky Ballkan do të kishte një kryeqyet ,të cilin ata e konceptonin midis Tiranës dhe Lubjanës dhe na ra fati ne që kryeqytetii “Ballkanit të Ri” të ishte Tirana. Kjo bëri që ata të konceptonin një qytet shumë herë më të madh se ai që gjetën me rrugë të gjera, me godina që tejkalonin nevojat e 20-30 vjeçarëve të ardhshëm. Godinat tek sheshi Nënë Tereza ishin të panevojshme në atë kohë, imagjinoni një qytetar tiranas të asaj kohe që rrinte tek pazari i vjetër, ku të gjithë njihnin njëri-tjetrin, në ato rrugicat e vogla, ishte pa lidhje me këtë pjesë të re të qytetit. Po të lexosh gazetat e asaj kohe ndihet shumë ky stres, stresi i tiranasve të vjetër dhe i tiranasve të rinj që thonin “po na prishin qytetin, po na prishin kujtimet”.
Megjithatë italianët bënë mirë që lanë atë imazh të tyre, sepse akoma gjatë gjithë kohës shteti shqiptar qëndron në po ato ndërtime që kanë bërë italianët duke filluar që nga korpusi i ministrive, vazhdimi në Bulevard me Kryeminisrinë, zyrat e Parlamentit, Presidencën, etj. Pra pas çerekshekulli shteti shqiptar ndihet i akomoduar mirë në godinat që i la pushtuesi.
Pushtimi gjerman ishte një periudhë pa ngjyrë dhe vjen shpërthimi i katërt, rinovimi i katërt i qytetit që është periudha komuniste. Shumica e njerëzve me shkollë të periudhës së parë komuniste vinin ose nga Italia ose nga Gjermania dhe Tirana deri në vitet ’60 është akoma italiane, çdo element që vihej në qytet ishte me kalk italian.Pas viteve ’60 nis të vihet kalku sovjetik sepse vijnë arkitektët të krijuar nga Bashkimi Sovjetik dhe pas ca kohësh shteron dhe mbetemi në një situatë shterpë, ku nuk ka më krijim, ska më elegancë. Periudha e fundit e komunizmit nga vitet ’70-’80 nuk ka më ndërtime të bukura, ka godina të mëdha, por pa sqimë, pa asnjë lidhje, as me Lindjen, as me Perëndimin.
Pas viteve ’90 fillon ajo që unë e quaj dhe shpërthimi i 5-të i këtij qyteti, është më i ashpëri dhe me rezultatet më negative. Tirana në vitin ’91 kthehet në një qytet pa qeverisje, ku një masë e madhe njerëzish që jetonin në fshat i drejtohen qytetit, ishin një masë kolosale që vuanin në fshat. Kësaj mase iu hoq diga që i mbante të detyruar në fshat dhe ata u dyndën drejt periferive të qytetit. Qyteti hapet në të gjitha fushat e tij, por ndërkohë dhe brenda tij fillon të ndërtohet në mënyrë të egër dhe pa rregulla. Të dyja janë të këqija, pasi fasha që e rrethon qytetin e pengon atë të hapet me plan e me rregull dhe ndërtimi i egër dhe pa plan brenda tij e shkatërron strukturën e brendshme të qytetit. Tiranasit e vjetër jetojnë në lagje që nuk kanë lidhje me fëmijërinë e tyre, sepse gjithçka është ndryshuar dhe kanë shumë pak gjëra që i lidhin me qytetin, gjërat që të bëjnë ta duash, apo mos ta duash qytetin.
Shpërthimi i fundit, që ka elementë pozitiviteti nga pikpamja urbane, është viti 2000 kur Tirana ndryshon qeverisje. Ardhja e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës nuk është çështje politike, nuk është çështje që erdhi i dërguari nga qielli, por ka të bëjë me faktin që vetë qyteti kishte nevojë për ndryshim që të kishte dhe kontroll mbi qytetin por dhe të ishte rinovues i qytetit. Qyteti ishte gri, i lënë pas dore, i ashpërsuar dhe Rama diti ta bëjë shumë mirë këtë rinovimin, veçanërisht në dy mandatet e para.
Të rifreskonte qytetin, ti hiqte shtresën e ndërtimeve të këqija, kioska, bare e lokale të vendosura në çdo cep. Bërja e fasadave të pallateve, për të cilat unë si nënkryetar bashkie kam qenë i lëkundur, por tani them se ishte një element i domosdoshëm për ti dhënë shpresë për ndryshim njerëzve. Ata kishin nevojë për një ndryshim të menjëhershëm të gjithçkaje dhe për sa kohë nuk mund ta ndryshoje të gjithën, dhe restaurimi dhe lyerja e fasadave qe në gjendje ta jepte këtë element shprese tek qytetarët. Nga kjo pikpamje unë them se ishte e nuhatur dhe që funksionoi.
Deri më tani ky është rinovimi i fundit i këtij qytetit. Ky qytet ka humbur shumë gjëra të vetat në kohë, sa herë që janë bërë rinovime, janë ndryshuar pjesë që na rrethojnë, qytetarët janë ndjerë që po ikin pjesë të kujtesës së qytetit. Edhe në këtë moment që ne jetojmë sa herë shembet apo ndryshon një pjesë ndjejmë që po ikën një pjesë e kujtesës së qytetit dhe këto vitet e fundit janë disa leje të dhëna nga kryetari aktual që përveçse e rëndojnë situatën, zhdukin disa vila të vjetra që kanë të bëjnë po me kujtesën e qytetit. Sa më shumë elemente kujtese të ketë qyteti aq më shumë e duam atë. Nga kjo pikpamje them se janë shumë të dëmshme ndërhyrjet në ato pak kujtime që i kanë mbetur Tiranës.
Që Tirana do të vazhdojë të rinovohet kjo është e padiskutueshme, por ajo duhet të rinovohet duke krijuar lidhje me periferitë. Në këtë proces rinovues unë kam një pjesë që e mbuloj aktualisht, që janë legalizimet, por është një proces i dyfishtë jo thjesht të legalizojmë atë që u bë por duhet ta integrojmë këtë pjesë me qytetin. Është e vetmja mënyrë që kjo fasho e madhe ndërtimesh që rrethojnë qytetin, jo vetëm Tiranën, ka vetëm një mënyrë që ta bëjmë pjesë të qytetit, ti integrojmë me qytetet, ti hapim sa më shumë rrugë që i lidhin me qytetet. Të ndërtojmë sheshe, shkolla, lulishte në këto zona. Nëse duam që Bathorja të bëhet qytet atëherë duhet të bëjmë vepra social-kulturore në Bathore. Të ndërtojmë shkolla në Paskuqan, në Bathore që ti zhvillojmë, që ti lidhim me qytetin.
Sa më shumë ti margjinalizojmë ata do të mbeten ‘fshatarë’ në kuptimin psikologjik të fjalës dhe sa më shumë ti lëmë pa zhvilluar aq më shumë do të jenë pjesë e lojërave politike. Por ne duhet ti bëjmë pjesë urbane të qyteteve tona, ndërkohë që ky qytet do të jetë në rinovim të përhershëm.
*Leksion i hapur i mbajtur para studentëve të Universitetit Europian të Tiranës.