Tirana, vendi ku duhet të paguash dhe për vdekjen

Nga Sadedin Çeliku

Nuk është shaka por e vërtetë. E vetmja gjë që Basha nuk e premtoi gjatë fushatës elektorale katër vjet më parë, ishte shpronësimet me qëllim ndërtimin e varrezave të reja. Tashmë kjo çështje nuk është problem i ri dhe as problem që pret .Ndërtimi i varrezave diku në rrethinat e Tiranës është bërë emergjent dhe mjaft akute. Njerëzit për së gjalli po mendojnë se ku mund të gjenden dy metra katror tokë për varr megjithë fukarallëkun që ka pllakosur vendin.

Në varrezat e Tufinës ka mbetur vetëm një përrua që mund të varrosen rreth 200 njerëz dhe s’ka më vend. Në Sharrë gjithashtu janë zaptuar fushat dhe varret po ju ngjiten kodrave. E pra Ministria përkatëse, dhe qeveria duhet urgjent të planifikojnë fondet përkatëse për shpronësime dhe ndërtimin e një ose më shumë varreza në përputhje me shtrirjen dhe pozitën gjeografike që ka kryeqyteti ose duhet të nxitojë për zbatimin e ligjit që lidhet me sipërmarrjen e varrezave jopublike pra private.

Tirana me gjithë rrethina po shkon në një milion banorë dhe sigurisht ka më shumë se 25 vdekje në ditë. Të vdesësh tashmë është bërë hall i madh sepse familjarët e papunë duhet të përballojnë goxha shpenzime të cilat shkojnë rreth 300 mijë lek të reja. Shërbimet funerale kur të bëjnë hesapin të thonë kaq ajo dhe kaq kjo ku përfshihet edhe blerja e tokës edhe pse është tokë publike që gjoja shteti e jep falas. Sapo lajmëron funeralin të thonë do hoxhë, do ta lash dhe më pas të thonë varr nuk ka por gjendet në se paguan një tarifë shtesë prej 30 mijw lek të reja. Kjo ka detyruar hallexhijtë që të ndjerët ti varrosin tek varret e të afërmëve. Sa për rimbursimin që të bën shteti në të tilla raste është qesharake të mendosh se ai të vjen në ndihmë.

Zoti Basha apo kush do tw vijw pas tij, duhet të mendoj seriozisht për këtë çështje dhe duhet të heq dorë nga projektet e luksit si zgjatjen e bulevardit, projektin e tramit apo dhe për konçensionin e parkimeve të kryeqytetit. Tashmë siç e dimë i kemi zhveshur komplet qytetarët e Tiranës dhe ata nuk kanë më asnjë të drejtë. Pronat e zaptuara nga zhvendosjet demografike dhe migracioni nuk ju kthyen të zotit,dhe me sa duket ata do të ngelen dhe pa varr në se do vazhdojë gjatë indiferentizmi. Ka patur diskutime disa vjet përpara nga qeveria që për zgjidhjen e këtij problemi të hartohesh një ligj ku varrimi të bëhesh si në vendet e rajonit. Ligji tashmë është miratuar dhe gjendja është po ajo që ka qenë.

Shpronësimi i 50 hektarë tokë do të mjaftonte për 100 vjet po të kemi parasysh se 100- fishi i asaj toke është grabitur nga pushtetarët me ligjin 7501. Shpronësimet e pjesshme që janë bërë në të dy varrezat nuk kanë zgjidhur asgjë dhe kësisoj problemi mbetet i njëjtë dhe shumë problematik. Këshilli Bashkiak duhet ta marrë seriozisht këtë problem, të diskutoi e debatoi rreth kësaj çështje deri sa strukturat e ekzekutivit në Bashki të kërkojnë me forcën që i jep ligji fondet përkatëse nga qeveria, fonde të cilat të çojnë në zgjidhjen përfundimtare dhe afatgjatë të problemit.                              

                   

SHKARKO APP