Tiranë, mbahet forumi ndërkombëtar “Kina Bashkëkohore përmes Perspektivës së Ballkanit”

Nga Marjana Doda

Studiues, profesorë, diplomatë dhe ekspertë nga Kina, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Italia u mblodhën në Tiranë në forumin ndërkombëtar “Observing Contemporary China from the Balkans: Dialogue and Reflections”, për të diskutuar Kinën bashkëkohore, perceptimin e saj në Ballkan dhe hapësirat për bashkëpunim në një rend ndërkombëtar në ndryshim.

Forumi u organizua nga Instituti Shqiptar për Studime të Globalizimit (AIGS), në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, duke krijuar një hapësirë për përballjen e perspektivave të ndryshme mbi një vend që po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimet ndërkombëtare.
Në hapje, Musabelliu theksoi nevojën për një qasje më të hapur dhe shumëdimensionale ndaj Kinës, në një kohë kur vendi po ndryshon me shpejtësi dhe njëkohësisht po transformohen marrëdhëniet e tij me Evropën, ekonominë globale dhe teknologjinë. “Ideja është e thjeshtë: të krijojmë një hapësirë ku mund të diskutojmë Kinën bashkëkohore nga këndvështrime të ndryshme, hapur dhe seriozisht, pa e reduktuar një vend kaq kompleks në një narrativë të vetme”, u shpreh ajo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas Musabelliut, për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që diskutimi mbi Kinën të mbështetet te njohuria dhe analiza, dhe jo vetëm te perceptimet. “Ne nuk jemi këtu për të paraqitur një interpretim të vetëm të Kinës. Jemi këtu për të dëgjuar, për të krahasuar perspektiva, për të bërë pyetje dhe ndoshta për të rishqyrtuar disa nga supozimet që kemi për një vend që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për botën që na rrethon”, tha ajo. Një nga mesazhet kryesore të forumit ishte pikërisht nevoja për të dalluar mes informacionit dhe kuptimit. “Të kuptosh nuk do të thotë domosdoshmërisht të biesh dakord; do të thotë të kesh mundësinë të dëgjosh, të shqyrtosh dhe të reflektosh”, theksoi Musabelliu.

Swiss Digital Mobile Reklama

Katër nisma globale dhe një rend ndërkombëtar në ndryshim

Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, e vendosi diskutimin në një kontekst më të gjerë, atë të transformimit të rendit ndërkombëtar.
Në fjalën e saj, ambasadorja prezantoi katër nisma globale të Kinës: Iniciativën për Zhvillim Global, Iniciativën për Siguri Globale, Iniciativën për Qytetërim Global dhe Iniciativën për Qeverisje Globale. Ajo i lidhi këto nisma me çështje si multilateralizmi, barazia sovrane, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve dhe respektimi i diversitetit të qytetërimeve.

Pang Chunxue nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në një periudhë kur vendet e Jugut Global kërkojnë një rol më të madh në sistemin ndërkombëtar. Në këtë kuadër, ajo vuri në fokus edhe zhvillimin e marrëdhënieve Kinë–Shqipëri dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Ballkanit.

Nga perspektiva akademike kineze, Prof. Kong Fanjun, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Pekinit, u ndal te mënyra se si Kina perceptohet në Ballkan. Sipas tij, perceptimet ndryshonë në varësi të mjediseve akademike, shoqërore dhe politike, ndërsa informacioni i disponueshëm për Kinën nuk përkthehet gjithmonë në një kuptim të plotë të realitetit të saj.

Kong iu referua një proverbi kinez: “Një gjethe para syve mund të bllokojë pamjen e malit Tai”, duke e përdorur atë si metaforë për rrezikun e një vështrimi të pjesshëm. Kina, sipas tij, është një realitet shumëdimensional dhe kërkon të analizohet përmes më shumë se një perspektive. Një pjesë e rëndësishme e forumit iu kushtua historisë së marrëdhënieve Shqipëri–Kinë. Prof. Liang Zhanjun, profesor i Historisë dhe Drejtor i Qendrës për Studime Globale dhe Rajonale në Capital Normal University, solli një analizë të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve në periudha të ndryshme.

Ai u ndal te vitet 1949–1955, periudha e konsolidimit të marrëdhënieve, te intensifikimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe ideologjik pas vitit 1955, si dhe te dobësimi i marrëdhënieve gjatë periudhës 1978–1990. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, sipas Liang, u shfaq një interes i ri për rivendosjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit. Sot, marrëdhëniet Shqipëri–Kinë zhvillohen në një kontekst krejt tjetër, të ndikuar nga ndryshimet në sistemin ndërkombëtar dhe orientimi i politikës së jashtme shqiptare. Liang i përshkroi këto marrëdhënie si “delikate dhe komplekse”.

Një tjetër dimension të marrëdhënieve solli Prof. Dr. Biljana Vankovska, nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe presidente e “Synergia Orbi: Institute for Global Analysis”. Në prezantimin e saj mbi bashkëpunimin akademik Kinë–Ballkan, Vankovska theksoi se shkëmbimi akademik nuk është vetëm transferim informacioni, por edhe një mënyrë për të kuptuar se si prodhohet njohuria mbi “tjetrin”. Ajo vuri theksin te reciprociteti intelektual dhe roli i studiuesve të rinj, të cilët do të formësojnë brezin e ardhshëm të studimeve mbi Kinën dhe Ballkanin. Sipas saj, traditat akademike dhe përvojat historike ndikojnë në atë se çfarë shohim, çfarë anashkalojmë dhe çfarë mund të keqinterpretojmë.

Diplomacia qytet–qytet: nga institucionet te njerëzit

Një perspektivë konkrete evropiane u soll nga Prof. Gianpaolo Camaggio, Drejtor Shkencor i Masterit në International Business in China në LUM – Giuseppe Degennaro University në Bari dhe themelues i Sinoglobal Investments Advisory. Camaggio prezantoi përvojën 40-vjeçare të marrëdhënieve mes Bari-t dhe Guangzhou-t, dy qytete portuale që vendosën marrëdhëniet e binjakëzimit në vitin 1986.

Sipas tij, kjo marrëdhënie u zhvillua përtej bashkëpunimit institucional, duke përfshirë universitete, institucione kulturore, media dhe komunitetet lokale. Marrëdhënia, tha Camaggio, kaloi “nga një marrëdhënie mes institucioneve në një marrëdhënie mes njerëzve”. Përvoja Bari–Guangzhou, sipas tij, tregon se diplomacia qytet–qytet mund të krijojë ura komunikimi dhe të ndihmojë në ndërtimin e një mirëkuptimi më të drejtpërdrejtë mes komuniteteve. “Marrëdhëniet mes qyteteve mund të japin një kontribut të rëndësishëm në mirëkuptimin e ndërsjellë mes popujve”, theksoi ai, duke nënvizuar rolin e kulturës, arsimit, medias dhe shkëmbimeve njerëzore.

Shqipëria, diversifikimi dhe sfida e njohjes

Historiani Ylber Marku, nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e vendosi debatin në perspektivën e një shteti të vogël. Duke iu referuar historisë së marrëdhënieve Shqipëri–Kinë, Marku argumentoi se ndryshimet në sistemin ndërkombëtar kërkojnë që Shqipëria të jetë e përgatitur për skenarë të rinj dhe të mendojë në mënyrë strategjike për marrëdhëniet e saj me fuqitë e ndryshme. Në këtë kontekst, ai e lidhi bashkëpunimin me Kinën me idenë e diversifikimit të marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike.

“Diversifikimi nuk është armiqësi. Është një formë sigurie”, tha Marku, duke theksuar se bashkëpunimi bashkëkohor mund të ndërtohet mbi interesa konkrete në ekonomi, arsim, kërkim shkencor, kulturë, turizëm dhe infrastrukturë.

Marjana Doda, Kryeredaktore e Argumentum.al dhe analiste e çështjeve gjeopolitike, trajtoi marrëdhëniet Kinë–Shqipëri në kontekstin e ndryshimeve në rendin ndërkombëtar. Prezantimi i saj u përqendrua te marrëdhëniet dypalëshe, perceptimi i Kinës në shoqërinë shqiptare dhe mundësitë për bashkëpunim në disa sektorë.  Ajo theksoi se marrëdhënia kërkon një qasje strategjike të bazuar në njohje, dialog dhe interesa konkrete. Duke iu referuar zhvillimit historik të marrëdhënieve dypalëshe, Doda foli për afrimin politik, ekonomik dhe shoqëror që karakterizoi një pjesë të shekullit XX, i pasuar nga ndërprerja dhe më vonë nga një proces i ri afrimi pas transformimeve politike.

Doda ngriti pyetjen se në çfarë mase Shqipëria ka shfrytëzuar potencialin e marrëdhënieve me Kinën. Ajo iu referua nismave të bashkëpunimit ekonomik dhe rajonal, përfshirë Nismën “Një Brez, një Rrugë” dhe mekanizmat e bashkëpunimit Kinë–Evropë Qendrore dhe Lindore, duke vënë në dukje qasjen relativisht të kujdesshme të Shqipërisë.

Në prezantimin e saj, ajo identifikoi logjistikën, transportin, teknologjinë, energjinë e rinovueshme, arsimin, kërkimin shkencor, turizmin dhe kulturën si fusha me potencial për zgjerimin e bashkëpunimit. Ajo theksoi gjithashtu pozicionin gjeografik të Shqipërisë në kryqëzimin e Ballkanit Perëndimor, Mesdheut dhe Evropës.
Doda nënvizoi edhe rolin e medias në formësimin e kuptimit publik dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas saj, bashkëpunimi mediatik shkon përtej transmetimit të mesazheve dhe ndikon në mënyrën se si shoqëritë njohin dhe kuptojnë njëra-tjetrën. Në përfundim, ajo theksoi se një bashkëpunim i qëndrueshëm kërkon kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve, universiteteve, bizneseve, organizatave mediatike dhe komuniteteve profesionale.

Teknologjia dhe sovraniteti digjital

Dimensioni teknologjik u trajtua nga Dr. Ermir I. Hajdini, strateg për politikat dhe ligjin kibernetik. Në prezantimin e tij mbi inteligjencën artificiale dhe transformimin e rendit digjital, Hajdini argumentoi se ekonomitë e mesme dhe në zhvillim po kërkojnë më shumë autonomi infrastrukturore dhe teknologjike. Ai e vendosi Kinën në qendër të këtij transformimi përmes zhvillimit të inteligjencës artificiale, modeleve me burim të hapur dhe kapaciteteve teknologjike që mund të krijojnë alternativa për vendet më të vogla. Për Ballkanin Perëndimor, Hajdini ngriti çështjen se si mund të ndërthuren procesi i integrimit evropian, kërkesat rregullatore dhe nevoja për zhvillimin e kapaciteteve lokale teknologjike.

Në përmbyllje të forumit, diskutimi u rikthye te sfida e shteteve të vogla në një sistem ndërkombëtar që po ndryshon. Për Shqipërinë, marrëdhëniet me fuqitë e mëdha krijojnë njëkohësisht mundësi dhe dilema strategjike. Në këtë kuadër, marrëdhëniet me Kinën u trajtuan jo vetëm përmes historisë së tyre, por edhe përmes zhvillimeve të reja në ekonomi, teknologji, arsim, kulturë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Dialogu akademik dhe diplomatik i zhvilluar në Tiranë e vendosi marrëdhënien Kinë–Ballkan në një kornizë më të gjerë, ku historia, politika, ekonomia, teknologjia, kultura dhe kontaktet njerëzore ndërthuren me ndryshimet e rendit ndërkombëtar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?