Tito mes Enverit dhe Hrushovit.Roli i tij në prishjen e viteve‘60
Ç’rol pati Josip Broz Tito në prishjen e Shqipërisë me BRSS? Marrëdhëniet e ndërlikuara të dy vendeve me Jugosllavinë të treguara në kujtimet plot kundërthënie, të dy protagonistëve të thyerjes së kampit socialist: Nikita Hrushovit dhe Enver Hoxhës.
Ishte fundi i majit të vitit 1959 kur Nikita Hrushovi për të parën dhe të fundit herë po zbriste në tokën shqiptare. Ishte një takim i cili kishte kohë që parapërgatitej. Vite më pas, në kujtimet e veta, ai do të tregonte detaje të kësaj vizite. Momentet e para të takimit, i ka rrëfyer në kujtimet e tij edhe protagonisti tjetër i ngjarjeve, udhëheqësi më i lartë shqiptar. “Sapo erdhi për vizitë te ne në fund të majit 1959”, shkruan Enver Hoxha tek “Hrushovianët”, “akoma pa e përshëndetur unë ardhjen e tij, foli i pari: – Duhet ta dini se unë nuk do të flas kundër Titos. – Ne mikun e konsiderojmë mik dhe nuk i imponojmë asgjë,- iu përgjigja unë”. Por në të vërtetë asgjë nuk kishte qenë kaq paqësore, përkundrazi, vitet e fundit kishin qenë të mbushura me histori imponimesh nga të dyja palët. Sidomos kur bëhej fjalë për marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në librin e tij “Unë nuk jam gjykatës”, botuar edhe në Shqipëri, ish-udhëheqësi liberal i BRSS, Nikita Hrushov tregon se si Enver Hoxha ishte përpjekur t’i imponohej që të mos rregullonte marrëdhëniet me Titon, të prishura që në kohën e Stalinit. Kurse përkundrazi, Enver Hoxha tregon se ata që imponoheshin, ishin sovjetikët: ata donin që shqiptarët jo vetëm t’i zbutnin sulmet ndaj fqinjëve veriorë, por të fillonin dhe të kishin marrëdhënie normale, duke devijuar së bashku me jugosllavët nga rruga e marksizëm-leninizmit. Një varg imponimesh dhe kundërthëniesh mund të rizbulohen duke vënë ballë për ballë librat e kujtimeve të të dy protagonistëve, Hoxhës dhe Hrushovit; përveç njëmijë e një arsyeve të tjera, që fillonin që me qëndrimin ndaj Stalinit dhe përfundonin tek e ardhmja e Kinës në bllokun komunist, ata të dy ndaheshin kryesisht në një pikë: në qëndrimin ndaj komunizimit të jugosllavëve. Në kujtimet e tij, Hrushovi shkruan se ai ishte i ndërgjegjshëm që në thelb jugosllavët ishin komunistë të mirëfilltë. Kurse në kujtimet e veta, për të njëjtën çyshtje, të përmbledhura tek “Hrushovianët”, Hoxha është më se i sigurt për krejt të kundërtën: jugosllavët kishin qenë të parët që kishin tradhtuar komunizmin.
Pas vdekjes së Stalinit, Bashkimi Sovjetik kishte trashëguar marrëdhënie të këqija me Jugosllavinë së paku deri në ditën kur Nikita Hrushovi u gjend në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe vendosi të rishikonte gjithçka. “Pikërisht vetë e shfaqa një iniciativë të tillë. Përse? Unë gjithmonë entuziazmohesha nga veprimtaria e partizanëve jugosllavë… Përveç kësaj, që para luftës, kisha dëgjuar për veprimtarinë e Titos. Ai ishte një komunist mjaft i njohur në Komintern. Si ish-pjesëtar i ushtrisë austro-hungareze, ai ra rob te rusët dhe shkollën e parë politike e kreu në periudhën e revolucionit të tetorit. Për këtë arsye ushqeja simpati për të, ndonëse personalisht e kisha takuar pak herë”, shkruan Hrushovi në kujtimet e veta, ku tregon se asnjëherë nuk kishte pasur dijeni të plotë se cili kishte qenë shkaku i përkeqësimit midis sovjetikëve dhe jugosllavëve. Kishte dëgjuar ndër të tjera që në kohën e “prishjes” Stalini kishte qenë i gatshëm të organizonte një sulm ndaj Jugosllavisë dhe vite më pas do të shkruante se në atë kohë ai gjendej në Ukrainë dhe megjithëse bënte pjesë në bërthamën drejtuese të partisë, kishte qenë i privuar nga tërë kjo që ai e quante “maskarallëk” jugosllav. “Shokë, hajdeni të ngremë një komision me shkencëtarë dhe t’i porosisim ata të studiojmë se çfarë tipi është sot shteti jugosllav- kapitalist, apo socialist?”. Kështu e kishte filluar Hrushovi politikën e tij të pajtimit me shtetin “armik”. Përfundimi i komisionit kishte qenë ai që pritej. “Jugosllavia nuk mund të konsiderohet shtet kapitalist, në organizimin shtetëror të saj janë të pranishëm të gjithë elementët e një regjimi socialist, nuk ekziston pronë private mbi mjetet e prodhimit, nuk ka pasuri private nëpër banka, të gjitha i përkasin shtetit”. Duke pasur garancinë “e shtetit socialist” në xhep, përpara se të ndërmerrnin hapa konkretë për normalizimin e marrëdhënieve, sovjetikët u këshilluan me partitë komuniste – motra. Shumica e tyre u solidarizua, përjashtim bënte Shqipëria. “Nga të gjitha vendet”, shkruan Hrushovi, “politikën e ndiqte Shqipëria… Udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës i pritën shumë keq propozimet tona dhe u përpoqën të vërtetojnë se jugosllavët janë njerëz të pandreqshëm, se ata nuk janë komunistë. E tëra kjo shprehej në një duf keqdashës. Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati s’kërcet dhëmbët”.
Kurse udhëheqësi ballkanik me “karakter të ashpër”, e shpjegon krejt ndryshe afrimin e sovjetikëve me jugosllavët. Pa i marrë aspak në konsideratë arsyetimet e Hrushovit për ata që ky i fundit e quante “shtet socialist jugosllav”, në kujtimet e tij Hoxha rendit të tjera arsye të këtij afrimi. “Te Titoja, Hrushovi kërkonte njëkohësisht edhe aleatin ideologjik edhe udhëheqësin që ta mbante nën sqetull si “vëllai i madh” që ishte. Me fjalë të tjera, për Hrushovin, Titoja ishte shumë i dashur sepse ky ishte i pari që sulmoi Stalinin dhe hodhi tej marksizëm-leninizmin. Në këtë drejtim ata puqeshin plotësisht, por, ndërsa kreu i Beogradit vepronte pa maskë, Hrushovi donte të ruante maskën”. Të gjithën këtë, Hoxha e shihte si një hap të asaj që Hrushovi do të bënte më pas: sulmin ndaj Stalinit. Duke marrë në mbrojtje sërish Titon, pa u ndalur aspak në shkaqet e prishjes së marrëdhënieve të dikurshme me Stalinin, duke mos e zënë madje fare në gojë këtë të fundit, Hrushovi sipas Hoxhës ishte thjesht duke përgatitur sulmin kundër marksizëm – leninizmit. Ndryshe nga ç‘e përshkruan udhëheqësi rus reagimin e Hoxhës, si reagimin e një njeriu mjaft idhnak, vetë Hoxha jep një tjetër dëshmi. Atë të një përgjigjeje krejtësisht diplomatike: “… më së fundi i kthyem udhëheqjes sovjetike përgjigjen tonë me shkrim”, kujton Hoxha tek “Hrushovianët”, – “Në këtë përgjigje ne, pa iu kundërvënë hapur Hrushovit, theksuam qëndrimin tonë të përhershëm ndaj udhëheqjes së Beogradit… dhe nuk lejuam asnjë aluzion mbi rishikimin e qëndrimit të mbajtur më parë ndaj devijimeve në vijë të udhëheqjes jugosllave”. Hoxha tregon se në këtë letër shqiptarët nuk kishin harruar të theksonin se ata ishin dakord që të bëheshin përpjekje nga partitë komuniste për të ndihmuar që të shpëtojnë popujt e Jugosllavisë, por theksonin se udhëheqësit jugosllavë ishin futur thellë në rrugën antimarksiste. “Me këtë”, shkruan Hoxha, “ne i thoshim indirekt Hrushovit se s’qemë dakord me shpresat dhe iluzionet që ushqente ai tek udhëheqësit jugosllavë e veçanërisht te “shoku Tito”, si filloi ta quante”.
Ato që në fillim ia kishte thënë në mënyrë indirekte në letër, Enver Hoxha do t’ia thoshte Hrushovit në mënyrë të drejtpërdrejtë në një takim që kishte pasur me të në 23 qershor 1954. “Por ai bënte sikur s’i vinte re qëndrimet e ndryshme që kishim me njëri-tjetrin në lidhje me çështjen jugosllave. Ndoshta s’donte të krijonte konflikt me ne që në takimet e para zyrtare që patëm. Ndoshta na nënvleftësonte e s’donte t’ia dinte për kundërshtimet tona”, shkruan Hoxha.
Ai tregon se Hrushovi i kishte thënë se i kishin marrë të gjitha masat: të nesërmen ambasadori sovjetik në Jugosllavi do të takohej me Titon dhe kishte shumë mundësi që të arrihej qëllimi i afrimit të Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë. Kishte filluar ajo që Hoxha do ta quante “romanca e dashurisë Hrushov-Tito”.
Ndryshe nga sa këmbëngul Hoxha në kujtimet e tij, se si ai asnjëherë nuk e kishte pranuar idenë e afrimit të Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë, Hrushovi thotë se udhëheqësi shqiptar në fakt ishte tërhequr nga qëndrimet e tij. “Shqipëria qe e detyruar të pranonte propozimin tonë, por jo se ne e bindëm, por sepse nuk kishte rrugëdalje tjetër”. Në librin e tij ai tregon se si pastaj ishin normalizuar marrëdhëniet me jugosllavët: marrëdhënie që nuk u zhvilluan në mënyrë të qëndrueshme, kishte pasur përqafime, por edhe ftohje. Megjithatë ajo që kishte ndodhur gjatë kohës së Stalinit nuk ndodhi më. Hrushovi shkruan se të dyja vendet bënë hapa që të favorizonin bashkërendimin e forcave, si në politikë, ashtu edhe në ekonomi. “Kjo gjë shkaktoi një neveri akoma edhe më të madhe në Shqipëri. Në ato kohëra ne mbanim qëndrimin e shokut më të madh në moshë: por ç‘të bësh kur ata nuk e kuptojnë? Por do të rriten dhe do ta kuptojnë se në të vërtetë, këtu s’ka asgjë shqetësuese. Dhe ne e sqaruam, pozicionin tonë, në mënyrë që shqiptarët të na kuptonin sa më mirë”.
Po a e kishin kuptuar shqiptarët që këtu nuk kishte ndonjë gjë shqetësuese? Nëse i referohesh kujtimeve të Enver Hoxhës përgjigjja do të ishte “jo”. “Partitë e tjera”,- shkruan ai, “iu nënshtruan vendimit të Hrushovit dhe dëshirës së Titos, që pas Hrushovit, udhëheqësit e partive të kampit socialist të shkonin në Beograd dhe t’i puthnin dorën e t’i kërkonin të falur Titos. Shkuan atje Dezhi me shokë, por ne jo. Ne vazhduam luftën kundër revizionistëve”.
Për Hoxhën kjo luftë do të mbetej në kuadrin e deklaratave. E gërshetuar me ftohjet e herë pas’hershme sovjetiko-jugosllave, të cilat bënin që sipas tij edhe sovjetikët të fillonin e të sulmonin jugosllavët pikërisht në këto periudha ftohjeje. Por do të vinte një moment kur deklaratat e tij antijugosllave u censuruan nga sovjetikët. Kjo ndodhi gjatë vizitës së tij të vitit 1957 në Bashkimin Sovjetik, kur gjatë një ndalese në Leningrad (Shën Petërsburg) Enver Hoxha, i gjendur në një miting të organizuar në një uzinë, në fjalimin e tij nuk do të rrinte pa përmendur tezat antijugosllave që i kishte aq për zemër: “u thashë punëtorëve që udhëheqësit jugosllavë janë antimarkistë, shovinistë dhe se kanë bërë punë armiqësore etj.”. Pas mitingut, i kishin thënë se të nesërmen fjalimi i tij do të botohej në shtyp dhe me siguri që jugosllavët do të zemëroheshin shumë më sovjetikët. Prandaj fjalimi i tij duhej zbutur. Hoxha shkruan se në fund ishte detyruar të bënte një kompromis: fjala “armiqësore” të zëvendësohej me atë “antimarksiste”, por të nesërmen në gazetën “Pravda” u pa se ishin hequr të gjitha deklaratat antijugosllave.
E njëjta kërkesë, për “heshtje” në shtyp, por kësaj radhe në atë shqiptar, erdhi dy vjet më vonë kur Hrushovi mbërriti në Tiranë. “Pra se të niseshim”,- shkruan ai,- “i informuam miqtë shqiptarë, se nuk dëshironim që publikisht, në praninë tonë, të adresohej ndonjë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe udhëheqjes së saj. Në ata periudhë Shqipëria mbante marrëdhënie shumë të acaruara me Jugosllavinë dhe zhvillonte kundër saj një duel gojor dhe në shtyp. Unë isha i mendimit se kjo gjë po sillte dëm. Prandaj e shqyrtuam mes nesh dhe njoftuam Enver Hoxhën se nuk dëshironim që gjatë kohës së qëndrimit të delegacionit tonë në Shqipëri të vazhdohej konflikti në shtyp midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”. Hrushovi tregon se shqiptarët ishin paralajmëruar që miqtë sovjetikë edhe nëpër mitingje të mos përfshiheshin në diskutime të tilla. “Në përgjithësi”, shkruan ai “nuk kishim dëshirë që nëpër mitingje shokët shqiptarë ta ngrinin këtë problem, sepse kështu në njëfarë mënyre do të detyroheshim të reagonim. Ishte e natyrshme që ne të mos e mbështetnim një duel të tillë dhe për më tepër mes përfaqësuesve më të lartë të dy vendeve. Në asnjë mënyrë kjo nuk do të shërbente në përmirësimin e marrëdhënieve tona me Jugosllavinë dhe mund të merrej si shpallje e një lufte ideologjike dhe politike mes popujve tanë, midis shteteve tanë”. Sovjetikët nuk donin që një gjë e tillë të ndodhte dhe prandaj i kishin kërkuar shqiptarëve që “ta merrnin parasysh dëshirën” e tyre. Siç shkruan Hrushovi, gjatë vizitës së tij, nëpër mitingje dhe në mbledhje të tjera, shqiptarët iu shmangën kritikës ndaj Jugosllavisë, por dukej qartë se e përballonin me vështirësi. Ai dëshmon, se gjatë kësaj vizite, në biseda me dyer të mbyllura, shqiptarët ishin përpjekur t’i bindnin se me jugosllavët nuk mund të kishte pajtim, se ata nuk ishin komunistë dhe plot gjëra të tilla. “Ne nuk u mirëkuptuam dot me ta”,- shkruan Hrushovi në librin e tij, “ndonëse edhe ne nuk i përkrahnim të gjitha gjërat që ndodhnin në Jugosllavi. Madje një mendim të tillë ne e kishim shfaqur publikisht në vendin tonë, por nuk donim ta bënim këtë edhe në Shqipëri. Në përgjithësi ne nuk mund të pranonim se ata nuk janë komunistë dhe se Jugosllavia nuk është një vend socialist. Ajo kishte qenë një etapë tashmë e tejkaluar në botëkuptimin tonë. Për çështje konkrete ndonjëherë ne kalonim edhe në sharje, por mendonim se në thelbin e vet ata janë komunistë, ndonëse pozicione të veçanta teorike dhe praktike ata i interpretojnë sipas mënyrës së vet”.
Në kujtimet e tij Hoxha dëshmon gjithashtu për të njëjtat acarime – pajtime në marrëdhëniet sovjetiko-jugosllave. Periudha të cilat ai nuk i quan si momente kur sovjetikët “kalonin në sharje” por momente kur “Hrushovi sulmonte keq Titon”. Ishin pikërisht këto periudha, kur Hoxha dëshmon se Hrushovi i thoshte vetë atij se “Titoja duhej demaskuar më fort dhe pa pushim”. Por vizita e Hrushovit në Shqipëri, në vitin 1959, nuk kishte përkuar me ndonjë moment të tillë. Përkundrazi. “Në maj të vitit 1959”, shkruan Hoxha tek “Hrushovianët”, “udhëheqja sovjetike na dërgoi një radiogram, me të cilin na njoftonte se ai “për shkaqe të kuptueshme, në fjalimet e tij nuk do ta prekë çështjen jugosllave dhe shpreson se miqtë shqiptarë në fjalimet e tyre do ta kenë parasysh siç duhet këtë gjë”. Atë që Hrushovi në kujtimet e tij e quan thjesht “kërkesë për të marrë parasysh dëshirën” e tij, Hoxha, gjithashtu në librin me kujtime e quan thjesht “kusht”. Një kusht të cilin ai thotë se duhej t’i bindej thjesht sepse ardhja në Shqipëri e kryetarit të qeverisë sovjetike dhe njëkohësisht të partisë që udhëhiqte bllokun komunist, kishte një rëndësi të veçantë për forcimin e pozitave ndërkombëtare të Shqipërisë. “Vendosëm ta pranonim kushtin e Hrushovit vetëm gjatë ditëve që ai do të qëndronte në Shqipëri, dhe me t’u larguar ai nga Shqipëria, të vazhdonim si më parë luftën tonë të palëkundur kundër revizionistëve jugosllavë”, shkruan Hoxha duke rrëfyer se si edhe pse kishte premtuar “heshtjen ndaj jugosllavëve”, Hrushovi nuk e kishte besuar. Prandaj duke iu trembur ndoshta një surprize si ajo e Leningradit, akoma pa u përshëndetur me udhëheqësin shqiptar, kishte nxituar të fliste i pari: “Duhet ta dini se unë nuk do të flas kundër Titos”. Gjithsesi, edhe pa folur, çështja jugosllave kishte qenë mes tyre. Sepse qëndrimi ndaj Titos do të ishte një nga shumë arsyet e prishjes së afërt. (Iva Tico)
Ka shkruar Hrushovi
-Në rast se Shqipëria do të shpenzonte nga buxheti i vet mjete për mbajtjen e ushtrisë, atëherë nuk do t’i mbeteshin fonde për nevoja të tjera: për zhvillimin e ekonomisë, industrializimin e vendit, për ndërtimin e socializmit. Dhe ne u sollëm me dashamirësi ndaj nevojave të Shqipërisë.
-Falë pozicionit të vet Shqipëria përbënte një kërcënim serioz për veprimtarinë e bllokut ushtarak të NATO-s në detin Mesdhe. Prandaj në atë kohë ne u morëm vesh me shqiptarët për të ngritur tek ata një bazë nëndetësesh.
-Nëse do të flisnim për veten tonë, në mënyrë të veçantë ne nuk kishim ç’të pretendonim: Shqipëria ishte një vend tepër i varfër dhe nuk kishte asgjë në kuptimin e rezervave… Madje edhe atë sasi mizerabël nafte, të cilën Shqipëria filloi ta nxjerrë me ndihmën tonë, po vetë ne ia blinim.
-Ne i propozuam Shqipërisë të ndërtonim atje një radiostacion të fuqishëm, që do të ndiqte qëllime propagandistike… Ne gjithashtu ndërtuam një port të madh në Shqipëri.
-Nuk e mbaj mend se në cilin vit ministri i punëve të Jashtme, apo një veprimtar shoqëror grek kishte ardhur në Bashkimin Sovjetik. Unë gjithashtu e prita atë. Shqiptarët janë njerëz shumë dyshues, iu krijua përshtypja se ne po zhvillojmë bisedime me grekët për ndryshimin e kufirit në favor të Greqisë.
-Në Shqipëri zbatohej një sistem i tillë: nëse dikush gabonte dhe këtë e konstatonin Hoxha, Shehu dhe Balluku, atëherë të tre bashkë jepnin ndëshkimin… E tëra kjo i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini për zhdukjen e kundërshtarëve.
-Liderët shqiptarë, me metodat e tyre të ekzekutimeve të fshehta dhe të hapura, krijuan një parti e cila mbahej e bashkuar vetëm nga frika.