Tito nuk ishte serb, as Jugosllavia Serbi
Nga Ruben Avxhiu
Koha për t’i dhënë fund hiles së diplomacisë serbe kundër pavarësisë së Kosovës
Diplomacia dhe media e Kosovës duhet t’i kundërvihet propagandës serbe të rishkrimit të historisë së Jugosllavisë.
Titoja nuk ishte serb, madje e kufizoi Serbinë duke ia ndarë Malin e Zi, duke shpallur republikat e Bosnjes dhe Maqedonisë dhe në fund duke krijuar dy krahina autonome.
Titoja ishte thjesht një diktator, por është e pamundur të mos shihet këtu një proces i dobësimit të Serbisë në kuadrin e federatës jugosllave.
Kjo nuk do të thotë se Tito ishte pro-kroat, pro-boshnjak apo pro-shqiptar. Në llogjikën e thjeshtë dhe llogaritëse të diktatorit, për të sunduar një grup popujsh, duhet së pari të dobësosh më të fortin mes tyre.
Nuk është çudi që nëse do të kishte jetuar edhe 20 vite të tjera, Titoja mund ta bënte Kosovën republikë por kjo fantazi ka pak vlerë sot.
Ajo që ka vlerë është moslejimi i Serbisë që të mjelë lidhjet dhe kapitalin e simpatisë për Titon në “vendet e paangazhuar” për të sabotuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Kjo është në fakt, çfarë po ndodh që nga viti 2008, pa ndonjë kundërtim serioz.
Sot, kur media serbe nxjerr paturpësisht në publik, bisedat private me diplomatët e Etiopisë, ka nxjerrë përsëri kokën legjenda e Etiopisë si aleate e Serbisë në kohën e Titos.
Kjo nuk është e vërtetë. Shtetin e Titos, Serbia e shkatërroi duke dashur ta kthejë në një Serbi të Madhe. Titon nacionalistët serbë e urrenin dhe ia kanë uruar dhe festuar si vdekjen ashtu edhe harresën.
Tani po vrapojnë ta zhvarrosin dhe ta valëvisin kufomën e kujtimit të tij si ndonjë simbol kombëtar, duke ia dalë t’i vjedhin edhe të paktën një dekadë historisë së Kosovës në marrëdhëniet me vendet e “botës së tretë” ashtu si bënë me Perëndimin deri më 1999.
Sigurisht, politikanët që ishin ende fëmijë në kohën e Titos, aq u bën që dikur diktatori jugosllav kishte marrëdhënie të mira me vendet e tyre. Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën ka arsye konkrete se pse nuk e bëjnë. Por legjenda e “Titos serb” është tymnaja që pengon presionin e opinionit publik në këto vende, të cilat kanë qenë vetë vende të kolonizuara dikur, që ta njohin më në fund Kosovën.
Ky konflikt me Etiopinë që sipas Serbisë kërkon 100,000 dollarë që të mos e njohë Kosovën hedh dritë mbi dy mundësi në lojën diplomatike të Serbisë.
E para, që një numër vendesh ndoshta nuk e njohin Kosovën se nuk kanë ndonjë nxitim në atë drejtim dhe ndërkohë përse të mos shijojnë dhuratat që vijon t’ju hedhë Serbia, si bursa studimore për studentët, lidhje ekonomike të favorshme në kurriz të vetë popullit serb apo edhe favori i madh, që ka të bëjë zakonisht kur ndërhyn ustai i madh (lexo: Rusia).
Kjo lloj pengimi i njohjes së pavarësisë nuk mund të jetë i përjetshëm. I bazuar në përfitime konkrete dhe jo në parime, ai do të skadojë në momentin që Serbia nuk do të ketë më se çfarë rë japë.
Në këtë rast sigurisht, nëse është hapur loja e përfitimeve nuk është çudi që një vend si Etiopia të kërkojë një copë më të madhe. 100 milionë dollarët që ia paska borxh Serbisë. Po çfarë të drejte të lutem. Jugosllavia është trashëguar nga të gjitha përbërëset e saj. Etiopia këtë borxh duhet t’ia ndajë të shtatë shteteve, përfshi edhe Kosovës. Ashtu siç do të marrë Kosova barrën e saj të borxhit jugosllav, ku janë paratë e këtyre borxheve të kundërta që Serbia po mblidhka apo po falka urtë urtë nëpër botë?
E dyta që do të ishte edhe më flagrante, mund të jetë ajo që Etiopia thjesht po kthen fletën dhe po bëhet gati të njohë Kosovën dhe është Serbia që është lëshuar nga një anë duke i ofruar falje borxhesh etj e nga ana tjetër duke e turpëruar në publik këtë shtet afrikan. Nga inati që po i duket se po njeh Kosovën dhe nga frika se mos e ndjekin shembullin edhe vendet e tjera afrikane po nxiton ta paraqesë kthesën etiopiane si një veprim huliganësh shantazhues e jo një veprim të natyrshëm diplomatik e politik.
Zgjidhni kë variant të doni, po asnjëri nuk është pozitiv për të ardhmen e fushatës serbe kundër njohjes së Kosovës.
Etiopia është edhe selia qendrore e Bashkimit Afrikan. Ndoshta Kosova butësisht dhe me modesti duhet ta shfrytëzojë të çarën e fundit duke u ndalur pak më shumë në të vërtetën e të kaluarës jugosllave, ku shqiptarët ishin të kolonizuarit dhe serbët kolonizatorët e fundit europianë.
Në janar, e gjithë Afrika do të mblidhet për samitin e radhës në Etiopi. Hashim Thaçi si kryeministër i vendit nuk duhet të mungojë aty, nëse vizita do të ishte e mundur. Serbët pa dyshim do të shkojnë të sillen si vëllai dashamirës, duke fshehur racizmin dhe nënvlehtësimin që i bënë këtij kontinenti që kur dolën nga zgjedha e Titos e deri në 2008 kur e humbën betejën diplomatike me Kosovën në Perëndim.