Tjetër betejë sllavo- shqiptare! Ç’rol luan Rusia?
Nga përplasjet me armë mes policisë dhe luftëtarëve guerilas në veri të Maqedonisë kanë vdekur rreth 40 persona. Rrezikon të ketë një tjetër konflikt mes sllavëve dhe shqiptarëve- si në vitin 2001. Një rol këtu luan edhe Rusia
Nga Boris Kalnoky, Die Welt
Pas luftimeve në fundjavë mes forcave të sigurisë maqedonase dhe shqiptarëve të armatosur, qarqet e sigurisë në Kosovë presin një konflikt më të gjatë dhe më të madh në vendin fqinj- nëse liderët e rajonit nuk mblidhen menjëherë për të gjetur një zgjidhje politike, tha një burim i mirëinformuar në kryeqytetin kosovar, Prishtinë.
Luftimet në Kumanovë kanë sjellë rreth 40 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Shumica e viktimave ishte nga njësiti “Tigri” i Ministrisë së Brendshme.
Sipas të dhënave nga njohës të mirë të situatës në Prishtinë, shqiptarët e kapur nga njësitë speciale maqedonase janë keqtrajtuar rëndë në qeli. Disa prej tyre dhe janë të plagosur rëndë. Edhe civilë janë arrestuar, mes tyre një familje me tre fëmijë.
Që në vitin 2001 ka pasur një konflikt të armatosur mes shqiptarëve dhe sllavëve të Maqedonisë, me 200 viktima dhe rreth 1 mijë të plagosur. Konflikti përfundoi me një marrëveshje paqeje në Ohër. Udhëheqja maqedonase premtoi më shumë të drejta kolektive për shqiptarët. Rreth një e treta e popullsisë në Maqedoni janë shqiptarë etnikë, të cilët jetojnë pranë kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë.
Qeveria në Shkup bëri të ditur të dielën se një pjesë e luftëtarëve shqiptarë kanë ardhur nga një vend fqinj- duke nënkuptuar Kosovën.
Këtë pretendim e kanë rrëzuar autoritetet në Prishtinë.
Një burim nga qarqe të sigurisë në Prishtinë tha për gazetën Welt se mund të ketë edhe kosovarë të implikuar në luftime. Edhe në vitin 2001, një pjesë nga klani kosovar ishte pjesë e luftimeve.
“Ka një lidhje më të ngushtë mes nesh dhe shqiptarëve të Maqedonisë, shumë më e ngushtë se mes atyre dhe Shqipërisë vetë,” tha ky burim.
Edhe pretendimet e Shkupit se luftëtarët shqiptarë duan një konflikt të ri, ka gjasa të jetë i vërtetë.
“Duket kështu, sikur një pjesë e shqiptarëve, që sulmuan me armë në vitin 2001, duan ta bëjnë sërish këtë, për shkak se qeveria në Shkup nuk ka zbatuar Marrëveshjen e Ohrit”.
Konflikti mund të zgjerohet nëse nuk ndërhyjnë qeveritë e rajonit, por edhe SHBA dhe BE.
Qeveria e Maqedonisë është nën presion të brendshëm politik prej muajsh, pasi ka përgjuar mbi 20 mijë persona, mes tyre politikanë dhe gazetarë. Prej javësh në vend ka protesta masive.
Mundet që aktivistët shqiptarë e kanë zgjedhur këtë moment dobësie për të nisur një konflikt. Por është e mundur edhe që qeveria ka vendosur të shpërthejë këtë konflikt, duke devijuar vëmendjen nga problemet e saj të brendshme. Opozita ka deklaruar se do vazhdojë protestat deri në rrëzimin e Gruevskit.
E gjitha kjo ka shkaktuar edhe valë në politikën e jashtme. Qeveria ruse mbështet Gruevskin dhe ka dënuar betejën dhe protestat ndaj tij. Ministria e Jashtme foli qartë për një përpjekje të qarqeve perëndimore për të destabilizuar Maqedoninë.
Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe po përpiqen për një integrim të shpejtë dhe të plotë në BE- ndërsa Serbia, ish- kundërshtare e luftës në Kosovë- ka po ashtu simpatinë e Moskës.
Nëse nuk ka një zgjidhje të shpejtë politike, qarqet e sigurisë në Prishtinë shohin se shteti maqedonas do jetë në rrezik të madh. Ai është vendi më i paqendrueshëm në Europë, pa një ushtri të vërtetë, me vetëm dy milionë banorë, por me një pakicë të madhe shqiptare. Bullgaria po ashtu pretendon se maqedonasit janë bullgarë në thelb. Edhe Ministria e Jashtme në Sofje ka bërë thirrje për një hetim të plotë të ngjarjeve.
Serbia i sheh maqedonasit si serbë dhe ka pozicionuar ushtrinë në kufirin me Maqedoninë. Greqia e konsideron emrin Maqedoni si grek. Pastaj janë shqiptarët që ëndërrojnë një ndryshim kufijsh- në fakt ëndërrojnë një Shqipëri të Madhe- atdheun e tyre me Maqedoninë verilindore dhe Kosovën si pjesë.