Tonin Çobani: Komeditë e Fishtës sipas Molerit
Ese nga Tonin Çobani –
Me komeditë e shkruara sipas Molerit nga Fishta nis teatri i Shkodrës (dhe i Shqipërisë). Po ku e muar Fishta modelin e suksesshëm të komedive sipas Molierit?
Është e çuditshme, por diqysh edhe e besueshme fakti që model të ketë qenë një pasha turk (çereku i fundit i shek. XIX), i cili disa vjet më parë se Fishta ka menduar për të përshtatur disa prej komedive të Molierit. Ai pasha turk, Ahmed Vefik Pasha, kur u bë guvernator i qytetit të Bursës, ka ndërtuar aty një teatër, të parin teatër në Perandorinë Osmane. Dhe kjo gjë ka ndodhur më 1879, në të njëjtin vit kur shqiptarët botojnë Abetaren e tyre të Stambollit. Më vjen kjo paralele sot, pas më tepër se140 vjetësh, kur kryetari i shtetit të sotëm turk (jo më një sulltan i Perandorisë Osmane) ka nisur ndërtimin e një spitali të madh (të themi perandorak), pak a shumë, si dhuratë për padishahun e Shqipërisë (padishah quhet në gjuhën turke një kryeministër sulltanor), që e prezantoi me ngut atë projekt në kohën e thellimit të pandemisë kovidiane në Fier, Tiranë, Bursa dhe Ankara.
Teatri aktual shtetëror në Bursa të Turqisë mban emrin Ahmed Vefik Pasha. Ai teatër më 1938 u kthye në një qendër kulturore komunitare. Pas vitit 1952 u përdor si kinema deri më 1957 kur u rindërtua përsëri si teatër. Në vitin 1971 artistët e Teatrit Shtetëror Ahmed Vefik Pasha filluan të japin mësime teorike dhe praktike teatrore, duke trajnuar aktorët e rinj. Teatri Ahmed Vefik Pasha organizon ditët e teatrit në shkolla. Ai ka një kapacitet prej 492 vendesh dhe një teatër dhome. Përveç Teatrit Shtetëror Ahmed Vefik Pasha në Bursa ka edhe teatro të tjerë (teatrot e bashkisë) dhe teatrot private që janë shumë aktivë.
Pas këtij paragrafi paralelet hiqen vetiu: (paralelja e parë) Teatri Shtetëror i Turqisë, d.m.th, që mbahet nga shteti dhe (paralelja e dytë) Teatri Kombëtar i Shqipërisë, d.m.th, që shembet nga shteti pikërisht në ditët e pandemisë kovidiane, kur Tirana përballej me kufizimet më të rrepta se cilido qytet tjetër shqiptar (apo evropian).
Tani të kthehemi tek objekti ynë, duke e parë edhe atë si një paralele të veçantë: Gjergj Fishta dhe Ahmed Vefik Pasha. Të dy me kulturë perëndimore të ngulitur mirë: njëri themeloi teatrin turk (1879), tjetri teatrin në gjuhën shqipe me komedinë “Mjek përdhuni sipas Molierit” (1905) . Të dy edhe diplomatë në Paris: i pari, në Konferencën e Paqes (sekretar i Delegacionit zyrtar të Shqipërisë), i dyti, ambasador (i Perandorisë Osmane). Të dy në përplasje me njerëzit e qeverive të tyre: Gjergj Fishta i detyruar të largohej nga vendi i vet disa herë, Ahmet Vefik i ndaluar të dalë nga shtëpia (vdes me borxhe deri në grykë, duke kryer dënimin me arrest shtëpie). Të dy të ngushëlluar prej komedive të Molierit, duke i përkthyer ato komedi por, më tepër, duke ia përshtatur mjedisit të atëhershëm anadollak të Bursës dhe Shkodrës. Komeditë origjinale dhe të përshtatura nga Molieri nga Ahmed Vefik Pasha shënojnë orientimin demokratik të shtetit të ri të Turqisë, ashtu sikundër veprat e Fishtës sipas Molierit (Dredhitë e Patukut, I ligu për mend…) do të shënonin përgjegjësitë e qytetarëve (dhe të pushtetarëve) ndaj detyrave që merrnin përsipër: aso kohe e deri në ditët e sotme.