Tre cilësitë e kryetarit të ri të PD

Nga Frrok Çupi /

Mund të tingëllojnë si 10 cilësitë e komunistit në epokën reale të Partisë Komuniste… Por edhe vetë ajo Partia i kishte ‘vjedhur’ nga Bibla me cilësitë e dishepujve…

Ndërsa këto tre cilësi, po të krahashohen me ‘Biblën’, i përshtaten më shumë vetë Jezusit se dishepujve. Janë  cilësi nderi dhe shëlbese:

E Para,

Të ketë qenë ndër themeluesit e Partisë Demokratikë në vitin 1990, në qendër apo në periferi- njësoj është. Të ketë ngrënë shkopinj gome nga policia e Partisë në pushtet dhe të jetë burgosur nëpër ato biruca të tmerrshme. Mundësisht, para qelisë së tij, të ketë ardhur një turmë e madhe demokratësh, mundësisht edhe vetë Azem Hajdari, dhe të ketë liruar të burgosurin politik të fillimit të epokës së Demokracisë. Kjo do ta lidhte përjetë këtë person me Partinë Demokratike; dhe si kryetar do të bënte jo autokratin, por shërbëtorin.

E dyta,

Të ketë mbetur duke jetuar, që atë ditë kur themeloi PD-në, vetëm me pagën e tij të djersës së ballit. Të mos ketë as vjehërr, as kunat hajdut e batakçi që vjedh tenderë e ku të mundet, dhe i sjell vjedhjet në shtëpi. Nuk është puna se dikush i vodhi ‘për ty si kryetar’ por se pasi të t’í dorëzojë këto vjedhurina, atëherë ti bëhesh shërbëtor jo i PD, por i krijesave çnjerëzore. Mundësisht, edhe sikur të kenë zbardhur ca thinja, të mos i lyejë flokët. Madje edhe kravatë të ketë vënë, vetëm në dasmën e tij. As të mos gënjejë, as të mos mashtrojë ‘për qejf’ këdo që të dalë në rrugë. Madje as të mos buzëqeshë si në librin e Viktor Hygo “Njeriu që qesh”. As të mos e ‘pickojë gjarpri” kur dikush e kritikon në Parti… Ky është për kryetar Partie.

E treta,

Të ketë dalë përballë policisë së shtetit, pa skafandër, pa kamxhik, pa roje, në krye të protestuesve që kundërshtojnë pagesa idiote në toll-in e Rrugës së Kombit. Madje edhe në kohën kur liderët nga partia e tij demokratike bashkëpunojnë fshehurazi me qeverinë, ky të dalë në ballë bashkë me popullin. Kështu ka ndodhur në vitin 1990 e 91, por tani liderët kanë marrë miliona dhe nuk guxojnë të mbrojnë popullin… Madje punojnë përditë, edhe si opozitë, si e si të mashtrojnë popullin, me qëllim që qeveria ta kapë popullin të trullosur. ‘Kandidati’ për kryetar i PD, pas protestës, të jetë gati të shkojë në shtëpi apo në burg; por jo si kryetari i tanishëm që i bën me sy qeverisë: “Eeeee, ja ku jam, jam në Tiranë, hajde më burgosni!”.

Dhe pas kësaj, ky ‘kandidat’ të vijë në Kuvendin e PD në Pallatin e Kongreseve dhe t’i tregojë të vërtetat edhe kryetarit Basha edhe sekretarit Ristani, që nuk kanë asnjë lidhje me PD, përveç përfitimeve…

Dhe një cilësi e vetme e PD:

Partia Demokratike duhet të ketë cilësinë dhe zotësinë që ta kërkojë dhe ta pranojë këtë kryetar; nuk ka nevojë të kërkojë Sali Berishën. Kandidati i ri mund ta ketë emrin ‘Ibsen’, ndoshta nga Henrik Johan Ibsen, dramaturg i madh i shekullit 19. Babai i këtij kandidatit që po propozoj, ishte më mendjehapur se këta ‘baballarët e qulltë” që rrojtën në Tiranë; ai ka njohur dramat e Ibsen, prandaj ia zgjodhi emrin për të birin.

Veritas.com.al/

SHKARKO APP