Tre kushtet e PD-së për votën finale nuk i pranon Kryeministri Edi Rama
Reforma në drejtësi duket se nuk do të marrë votën e PD-së dhe ndaj edhe ky sezon veror nuk do ti gëzojë ndërkombëtarët, të cilët janë angazhuar përditë në këtë mision impossible. PS dhe LSI e thanë “po” sapo ambasadori amerikan u tha diçka në “vesh”, kurse stoike mbetet PD-ja. Ajo nuk pranon votimin në parim, pa kaluar nen për nen në sitë, çka i komplikon ecëjaket e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, të cilët kanë “grisur” 10 palë këpucë duke shkuar e kthyer nga selitë PS, LSI dhe PD. Shko-hajde-shko e prapë e njëjta rrugë, sa e kanë mësuar përmendësh edhe makinat udhën, nëse shkojnë dhe pa shofer!
E para PD-ja kërkon që votimi për reformën në drejtësi të kushtëzohet me reformën zgjedhore, sepse ka frikë (me të drejtë) se pasi të jap votën për drejtësinë Edi Rama nuk do të jap votën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ndaj selia blu ka vendosur një kusht që zor se PS-ja ia plotëson, ndonëse edhe mundet pasi edhe LSI ka interes të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor para ndonjë të papriture të pakëndshme me Ramën në këto muaj.
E dyta, PD-ja pas heqjes së mandatit të deputetit për Koço Kokëdhimën nga Gjykata Kushtetuese ka kërkuar një amendim në Kushtetutë që sejcili ose sejcila që i hiqet mandati për shkelje kushtetuese nuk mund të kandidojë apo emërohet më në funksione të tilla kushtetuese. E thënë me shkoqur Koço Kokëdhima është pa mandat deputeti, porse synon që në zgjedhjet e radhës të futet prapë deputet pasi është mik i Edi Ramës. Bile ka informacione se kryeministri Rama do ta emërojë ministër të Territorit në vend të Eglantina Gjermenit. Duket se kushti i dytë i PD-së do ti jap pikë në publik selisë blu, pasi ka shumë të drejtë, porse PS-ja nuk do ta pranojë se nuk e lë Koço PS-në të votojë këtë kusht të Bashës.
Kushti i tretë që e vulos përfundimisht mosmiratimin e reformës në drejtësi është se PD-ja kërkon qeveri teknike si kusht që të shkojë në zgjedhje, gjë e cila nuk pranohet kurrsesi nga PS. Dhe është e padrejtë, sepse Rama ka fituar votat në vitin 2013. Nëse nuk i fiton në vitin 2017 është faji i tij.
Por kerkesa e prerë e selisë blu që nuk e voton reformën pa plotësuar qeveri teknike rrëzon gjithçka. Rrëzon edhe dy kerkesat e para që janë në thelb të drejta. Kjo është njëlloj si ajo historia e luftës së dytë botërore kur gjermanët hynë në një fshat francez dhe morën priftin e fshatit për ta pyetur se pse nuk ranë këmbanat kur gjermanët pushtuan fshatin. Prifti para frikës së automatikëve tha : “ Janë njëmijë e një arësye që nuk ra këmbana…”. Dhe komandanti gjerman ndërhyri “Më thuaj një arësye se nuk do të dëgjoj 1000!”. Prifti tha se “ E para nuk kemi këmbanë!…”.
Ndaj nuk mjaftojnë arësyet e tjera, kur selia blu ka si një ndër kushtet qeverinë teknike. Reforma duket shumë larg. Vetëm një fuqi madhore mund ta votojë!
Spiten Prulli