Tregu apo politika po kërkon punëtorë të huaj në Shqipëri?
Nga Klodian Tomorri –
Dialogu i Kryeministrit me një sipërmarrës në Shkodër për importin e krahut të punës nga vendet e treta është kurorëzimi i një procesi tinëzar të nisur vite më parë. Diku nga fundit i 2018-ës, disa nga biznesmenët më të mëdhenj të vendit, hodhën në publik idenë për hapjen e Shqipërisë për emigrantët dhe puntorët e huaj.
Nën moton dikush ikën- dikush vjen, ata deklaruan se vendi ka nevojë për konsumatorë dhe punonjës, ndaj një nga gjërat më të rëndësishme do të ishte liberalizimi i mundësive dhe hapja e tregut të punës për të huajt.
Politika u vu menjeherë ne jetë. Në shkurt të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi një ligj, i cili hoqi totalisht kufizimet për të huajt që duan të punojnë në Shqipëri duke u dhënë hapësirë bizneseve të punësojnë njerëz nga jashtë pa patur detyrimin të kërkojnë më parë për punëtorë vendas.
Paralelisht ky proces u shoqërua edhe me lehtësimin e vizave të punës për të huajt. Me pak fjalë, praktikisht Shqipëria u shndërrua në një han pa porta. Por a është kjo një strategji për të ndihmuar ekonominë e vendit apo ka të tjera interesa?
Nga këndvështrimi ekonomik, importimi i punonjësve nga jashtë bën sens vetëm për vendet e zhvilluara. Arsyeja është e thjeshtë. Prodhimi ekonomik i një vendi është rezultat i kombinimit të tre faktorëve; kapitalit, punës dhe produktivitetit. Por për të gjeneruar rritje ekonomike, kapitali dhe puna duhet të rriten në mënyrë proporcionale.
Nëse shton pafundësisht vetëm njërin prej faktorëve, prodhimi shtesë vjen gjithmonë e duke u ulur. Fjala vjen, në një fabrikë prodhimi makinash, shtimi i një linje montimi, pra shtimi i kapitalit pa shtuar punonjësit për ta operuar atë, nuk do ta rrisë prodhimin e makinave. Në ekonomi, ky quhet ligji i të ardhurave zbritëse.
Vendet e pasura kanë stok të lartë kapitali dhe nuk mund të rrisin më ekonomitë e tyre duke shtuar kapitalin. Ndaj rruga e vetme që të ushqejnë rritjen ekonomike, është të importojnë krahë shtesë pune. Kjo është arsyeja se pse në ekonomitë e zhvilluara, papunësia është gjithmonë afër normës së saj natyrale, pra të papunë janë vetëm ata që nuk duan të punojnë. Por Shqipëria ka problemin e kundërt.
Në funksionin e prodhimit, ekonomia shqiptare vuan mungesën e kapitalit dhe jo të punës dhe kjo manifestohet qartësisht në normën e papunësisë. Aktualisht norma zyrtyare e papunësisë është mbi 12 për qind. Pra, vendi ka krah pune të pashfrytëzuar, por ka nevojë për investime në fabrika, makineri dhe pajisje, të cilat zgjerojnë kapacitetin e prodhimit.
Për këtë arsye, importi i punëtorëve nga jashtë është një lojë, e cila në finale prodhon shumën zero. Nuk e rrit tortën e prodhimit ekonomik, por vetëm zëvendëson disa punëtorë vendas me disa të tjerë nga jashtë.
Politika e dyerve të hapura në tregun e punës nuk është nevojë e ekonomisë. Nuk është as një zhvillim i diktuar nga tregu. Sot Shqipëria është vendi me pagat më të ulëta në Europë dhe për rrjedhim duhet të ishte vendi i fundit i synuar nga emigrantët.
Nëse vendet e tjera fqinje si Serbia, Maqedonia e Veriut, por edhe Kroacia, Rumania, Bullgaria, të cilat kanë paga më të larta dhe shumë më tepër kapital se Shqipëria, nuk e kanë nevojën e importimit të punëtorëve nga jashtë, atëherë si mund ta ketë Shqipëria?
Në këtë pikë natyrshëm shtrohet pyetja, se cili është qëllimi i hapjes së tregut të punës për punëtorët e huaj? Në të vërtetë arsyeja është sërish ekonomike. Por jo për të mirën e përbashkët.
Ata që përfitojnë janë thjesht një grup i vogël interesi, në kurriz të gjithë të tjerëve. Këto janë bizneset e mëdha, të cilat përmes importimit të punonjësve nga vendet e treta, mund të mbajnë të ulët koston e punës. Ndërsa klasa politike do ta ketë më të lehtë të qeverisë njerëz të nënshtruar.
Praktikisht, kjo politikë është një lloj “spastrimi etnik”, për interesa të ngushta ekonomiko-politike. Por në afatgjatë, ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet të ardhmes së një vendi. Nëse importimi i krahut të punës nga jashtë do të ndodhë masivisht, në finale kjo politikë do të krijojë një ekonomi, e cila ka për të qenë përjetësisht e orientuar drejt sektorëve me produktivitet të ulët. Ndryshe, një ekonomi e cila ka për të qenë përjetësisht e varfër.