Tregu dhe çmimi i energjisë elektrike
Për të mos ngelur vetëm në një përfundim të tillë teorik dhe praktik të përdorur në mënyrë abuzive nga politika dhe qeverisja në Shqipërinë e pas viteve 90-të, mjafton të marrësh në analizë vetëm një treg, tregun e energjisë dhe çmimin e saj. Një analizë e tillë është e domosdoshme, pikërisht tani kur diskutohet rritja e mundshme e çmimit të energjisë, pikërisht njërit prej kolonave të fushatave elektorale në këto vite, ose kolonës së mashtrimit për një ekonomi të varfër, delikate dhe për një treg të shtrembëruar deri në dhimbje. Më së pari dhe më së shumti, analiza duhet të jetë e thjeshtë deri atje sa ta “marrë vesh edhe gjyshja”. Në vitin 1996, çështja e energjisë dhe, veçanërisht e çmimit të saj, ishin në themel të reformave të tregut. Madje për të qenë më realistë, specialistët e Bankës Botërore që atëherë me largpamësi hodhën në diskutim rritjen e çmimit të energjisë, duke parë me dhimbje se si abuzohej me prodhimin, transmetimin dhe përdorimin e energjisë elektrike: Mjafton t’u hedhësh një vështrim të shpejtë raporteve ndër vite, për të parë dhe kuptuar se ku qëndron mashtrimi dhe abuzimi. Edhe sot ekonomia shqiptare përdor, për fat të keq, në pjesën më të madhe energjinë elektrike, me arsyen e thjeshtë “e lirë dhe e abuzueshme”. Duke filluar nga mospagimi i energjisë së konsumuar nga konsumatorët privatë dhe bizneset privatë, te humbjet në rrjet, te politikat djallëzore të maskuara nën emrin e mosrritjes së çmimit, duke përdorur për këtë qëllim edhe premtime për uljen e TVSH- së në 6 për qind, te riorganizimet e ish- korporatës energjetike për të arritur në ditët e sotme te KESH, OSSH (OST), CEZ dhe te ndërhyrja në tregun e energjisë nëpërmjet politikave të çmimeve. “Laissez faire” thuhet se nënkupton: leri djajtë të shkojnë, mos u përpiq të përmirësosh njerëzimin me anë të veprimit të arsyeshëm. Por “Laissez faire” thotë: lejoni çdo individ të zgjedhë se si ai dëshiron të bashkëpunojë në ndarjen shoqërore të punës; lejoni konsumatorët të përcaktojnë atë çfarë duhet të prodhojnë sipërmarrësit. Pra, është veprimi i pavarur i secilit individ kundrejt veprimit të vetëm të qeverisë. Është liria kundrejt plotfuqishmërisë së qeverisë. “Laissez faire”, thotë se politika dhe qeverisja nuk prodhojnë energji alternative me çmime të cilët “me të vërtetë” u përshtaten konsumatorëve, por energji elektrike të lirë nga shitja e së cilës nxirren fitimet më të mëdha. Është objektivi i politikës dhe qeverisjes ta drejtojë prodhimin e energjisë drejt kënaqësisë së çmimeve të “vërtetë” të konsumatorëve dhe nëse po cilët janë çmimet e vërtetë? Politika dhe qeverisja në rastin e energjisë elektrike nuk mund të vendosë se çfarë duhet të përdorë KESH, me çfarë çmimi duhet t’ia shesin prodhuesit private energjinë e prodhuar KESH-it, sa duhet të jetë çmimi i shitjes së energjisë nga KESH te CEZ, e kështu me radhë. Politika dhe qeverisja janë një “Zot i Mirë” vetëm në qoftë se bëjnë vetëm atë çfarë përkrah qytetari në lidhje me ndërhyrjen e politikës dhe qeverisjes në tregun e energjisë me qëllim që të shohin se dëshirat e tyre (premtimet e politikës dhe qeverisjes) po arrihen. Vetëm kjo do të ishte një ndërhyrje e drejtë dhe e vërtetë, në të kundërt të gjitha ndërhyrjet e politikës dhe qeverisjes në tregun e energjisë dhe çdo tregu në përgjithësi thjesht, i shpallin luftë konsumatorit. Me fjalën “politikë energjetike”, përfitimet e saj, natyrisht, janë ato që ka secili në politikën dhe qeverisjen e vet, sepse sikundër është parë askush nuk ka marrë parasysh se politika dhe qeverisja që janë vënë në praktikë të jetë ndryshe nga politika dhe qeverisja vetiake e forcave politike. Për çdo ekspozim të difekteve të manifestuara dhe të pakundërshuara të politikave ndërhyrëse në tregun e energjisë, përkrahësit e politikës së çmimit kundërveprojnë në të njëjtën mënyrë, duke arsyetuar se këto gabime kanë qenë rezultat i ndërhyrjes së gabuar të politikës dhe qeverisjes paraardhëse dhe ajo çfarë përkrahet është ndërhyrja e mirë dhe jo ndërhyrja e keqe.
Çdo veprim i ndërhyrjes së politikës dhe qeverisjes te biznesi duhet të ndikojë në mënyrë direkte dhe indirekte rritjen e konsumit dhe jo të kundërtën e tij. Ashtu sikundër ndërhyrja e politikës dhe qeverisjes ndryshon të dhënat e tregut, duhet gjithashtu të ndryshojë vlerësimet dhe sjelljen e konsumatorëve. Por në qoftë se synimi i politikës dhe qeverisjes është thjesht t’i detyrojë në mënyrë direkte dhe indirekte konsumatorët të konsumojnë energji elektrike, përveç atyre energjive që ato do të kishin konsumuar në mungesë të ndërhyrjes së politikës dhe qeverisjes në tregun e energjisë me anë të përcaktimit dhe diktatit të çmimit, nuk dalin në pah probleme të veçanta që të shqyrtohen me hollësi nga ekonomistët. Kur politika dhe qeverisja duhet merret me zgjedhjet e konsumatorëve nuk duhet bërë pyetja çfarë motivesh e shtyjnë një njeri të blejë një energji “a” dhe të mos blejë një energji “b”. Thjesht, duhen analizuar/investiguar efektet që bëjnë të mundur përcaktimin e çmimeve të tregut të energjisë dhe si rrjedhim prodhimin me anë të sjelljes konkrete të konsumatorëve. Këto efekte nuk varen nga konsideratat të cilat i çojnë konsumatorët të blejnë energjinë “a” dhe të mos blejnë energji “b”; ato varen vetëm nga veprimet reale të blerjes dhe abstenimit për të blerë. Është e parëndësishme për përcaktimin e çmimeve të bombolave të gazit nëse njerëzit i blejnë ato si rezultat i dëshirës vetiake të tyre, ose për arsye se politika dhe qeverisja i detyron të gjithë të përdorin gazin në vend të energjisë elektrike. Gjëja e vetme që llogaritet është madhësia e kërkesës.
Në qoftë se është e vërtetë se politikës dhe qeverisjes autoriteti i vjen nga Zoti dhe i besohet nga urtësia hyjnore për të vepruar si roje për turmën e paditur, atëherë sigurisht është detyra e saj të kontrollojë çdo aspekt të sjelljes së subjektit. Politikanët dhe qeveritarët “realistë” dështojnë në njohjen e rëndësisë së thellë të parimeve të nënkuptuara, sepse ato përpiqen të mos merren me problemin, por argumentojnë se rrugëzgjidhja e tyre udhëhiqet vetëm nga konsiderata praktike. Shqetësimi i vërtetë i ekonomistëve është se politika dhe qeverisja duhet të përqendrohen mbi ato veprime të ndërhyrjes së tyre në tregun e energjisë që synojnë t’i detyrojnë sipërmarrësit dhe kapitalistët t’i venë në punë faktorët e prodhimit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që ata do të bënin në qoftë se ato do t’i bindeshin vetëm diktateve të tregut. Nëse bëhet një gjë e tillë, nuk ngrihet pyetja nëse një ndërhyrje e tillë është ose nuk është e mirë apo e keqe nga çdo pikëpamje e paracaktuar, por vetëm kërkon përgjigje nëse i arrijnë apo jo ato qëllime të cilët ata i mbrojnë dhe i mbështesin mbi atë që po përpiqen të arrijnë. Analiza e ndërhyrjes së politikës dhe qeverisjes nuk do të ishte e plotë në qoftë se nuk do t’i referohej dukurisë së korrupsionit. Ka pasur dëmtime në çdo veprim të ndërhyrjes së politikës dhe qeverisjes në procesin e tregut që, e parë nga këndvështrimi i qytetarëve të interesuar, nuk do të duhej të cilësohej as si konfiskim dhe as si dhuratë. Si rregull, një individ ose një grup individësh pasurohet në kurriz të individëve ose të një grupi tjetër individësh, por në shumë raste, dëmtimi i bërë te disa njerëz nuk korrespondon me çdo përparësi për njerëzit e tjerë. Fatkeqësisht zyrtarët nuk janë engjëj, sepse ata shumë shpejt marrin vesh se vendimet e tyre për biznesmenët nënkuptojnë ose humbje të konsiderueshme, ose nganjëherë fitime të konsiderueshme. Sigurisht ka gjithashtu burokratë që nuk marrin rryshfet, por ka të tjerë që mezi presin të marrin përparësi për çdo mundësi “të sigurt” të “ndarjes” me ato të cilët i favorizojnë vendimet e tyre. Thjesht, nuk mund të shmanget favoritizmi në shumë fusha të administrimit të masave ndërhyrëse të politikës dhe qeverisjes; për shembull, në dhënien e licencave, sepse një licencë e tillë për të licencuarin ka një vlerë përfundimtare me para në dorë. Kujt duhet t’i jepet dhe kujt duhet t’i mohohet një licencë? Nuk ka ndonjë kufi neutral ose objektiv në dispozicion për ta bërë vendimin të lirë nga animi dhe favoritizmi. Nuk ka rëndësi ndryshon apo nuk ndryshon paraja duart në një çështje, sepse skandali është i njëjtë kur licenca i jepet njerëzve të cilët kanë ose priten të bëjnë gjëra të tjera për shërbime të vlefshme (për shembull, hedhjen e votës) për njerëzit nga të cilët varet vendimi. Pra, korrupsioni është një efekt i rregullt i ndërhyrjes së politikës dhe qeverisjes në treg. Ndoshta çmimit të energjisë i ka ardhur koha për t’u rritur, por kjo kohë nuk përkon me kohën kur konsumatorëve t’u ofrohen disa alternative dhe jo justifikime të tharjes së baseneve nga shtrigat. Për ta mbyllur ia vlen të citojmë Friedrich August von Hayek-“Road to Serfdom” “Kontrolli ekonomik nuk është thjesht kontrolli i një sektori të jetës njerëzore, i cili mund të ndahet nga pjesa tjetër; ai është kontroll i mjeteve për te qëllimet tona. Dhe ai që ka kontrollin e vetëm të mjeteve duhet të përcaktojë gjithashtu cilëve prej qëllimeve i duhet shërbyer, cilat vlera duhet të radhiten më lart dhe cilat më poshtë – shkurt, për cilët njerëz duhet besuar dhe luftuar.”.