Tregu i lirë në mëshirë të bandave mafioze
Forum E Premte, 16 Prill 2021 10:07
Nga Berat Buzhala
Me fjalë të tjera, PDK dhe LDK, ekonominë e lirë të tregut e kanë interpretuar dhe po e interpretojnë siç e interpretojnë Kuranin brigadat e ISIS'it. Dhe siç edhe pritet, të gjendur përballë këtyre hordhive barbare, qytetarët fillojnë ta shikojnë me simpati një model po kaq të pështirë ekonomik, siç është ai i promovuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Çmim të lartë po paguan kapitalizmi në Kosovë. Dhe jo vetëm kapitalizmi.
Kjo kastë politike ka potencial dhe aftësi që ta ndotë edhe 'ujin e bekuar'.
Nëse do t'i shihte këta politikanë, tok me vëllezërit dhe bijtë e tyre barbarë, Adam Smith do ta kishte rimenduar edhe njëherë teorinë e tij të ekonomisë së tregut të lirë dhe të hapur.
Abuzimet e tyre janë flagrante. Keqkuptimi nuk ka si të jetë më dramatik sesa kaq.
Me fjalë të tjera, PDK, LDK, AAK dhe Nisma, ekonominë e lirë të tregut po e interpretojnë pak a shumë siç e interpretojnë Kuranin brigadat e ISIS'it.
Shih për ketë kemi ardhur në një situatë që të fillojmë t'i vëmë në dyshim gjithë ato që i kemi mësuar dhe lexuar për 'tregun e lirë'. A nuk i kanë sot këto dyshime edhe ata islamistë të moderuar tek e shohin spektaklin makabër të djegies së pilotit jordanez?
Dy modele: Njëri më i poshtër se tjetri
Prandaj, shtrohet pyetja, por kjo pyetje shtrohet vetëm për ne shqiptarët, se a më adekuat për zhvillimin e shtetit tonë është sistemi kapitalist i udhëhequr prej mafiozësh politik në njërën anë, apo një sistem ekonomik i centralizuar dhe i kontrolluar prej shtetit, gjoja prej shtetit, në anën tjetër?
Sistemi i parë ekonomik është sponsorizuar dhe përkrahur më së shumti nga PDK dhe LDK, mirëpo disa vlera kësaj metodologjie i kanë shtuar edhe udhëheqësit më të lartë të AAK’së dhe Nisma's.
Sistemi i dytë, që e kundërshton të parin, pra që e sponsorizon para popullit Lëvizja Vetëvendosja, flet për një ekonomi të ndryshme. Në fakt, për një sistem tjetër. Gurutë e Lëvizjes besojnë se përse gjendja është kështu si është tek ne, nuk kanë faj personazhet, por sistemi. Dhe prandaj fshihen prapa 'shtetit', që është një kategori abstrakte.
Në fakt, shteti për LVV'në është veçse një eufemizëm. Sepse 'shteti' nuk qeveris, ai nuk është person. Por 'shteti' i Kurtit dhe i shpurës së tij është po aq kriminal, sa edhe shteti i PDK'së dhe LDK'së. Sepse prapa shtetit të Kurtit fshihen persona po aq mafiozë dhe po aq kriminelë sa këta të PDK-LDK, të involvuar prej vrasjeve ordinere, vrasjeve politike, e deri në shitblerje të ndyta dhe të lara më gjak.
Pikërisht për ketë arsye Kurti dëshiron t'i qetësojë gjakrat e qytetarëve të dëshpëruar nga skamja dhe humbja e shpresës, duke ua përmendur 'shtetin' si garant, sepse në këto troje kur përmendet 'shteti' mendohet pak a shumë në ekonominë jugosllave, për të cilën edhe më tutje ka nostalgji. Paçka që ekonomia jugosllave prej fillimit e deri në fund ka qenë një 'skemë pirmidale'. Ka qenë një projekt politik, për shkak të pozitës gjeografike të atij shteti. Por tash ec e bindi gjakovarët që kjo është ashtu siç po them unë.
Kjo sepse nuk janë të largëta kujtimet për mjekësi falas, për bujqësi dhe blegtori të mbështetur dhe te kontrolluar. Për pasaportat jugosllave, me të cilat udhëtoje prej Fushë Kosovës deri në Munich. Për vendet e punës. Për fabrikat anekënd. Për Trepçën. Për Obiliqin.
Por kjo ishte ashtu siç ishte, sepse Jugosllavia ishte ashtu siç ishte. Dhe pikërisht përse ishte ashtu siç ishte, edhe përfundoi ashtu siç përfundoi. Përndryshe edhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës ekonomia ishte e kontrolluar prej shtetit, por banorët atje po vdisnin urie, duke qenë të punësuar që të gjithë.
Marrë parasysh këto, pikëpyetja ime për Kurtin është kjo: mashtrues par excellence, ose psikopat ideologjik?
Kaq për LVV'në, Kurtin dhe shkollën e tyre, e cila po rekruton dita-ditës më shumë simpatizues kryekëput për shkak të mënyrës sesi e kanë prezantuar kapitalizmin në Kosovë forcat konvencionale politike, pra PDK dhe LDK.
(Sa për digresion: Për disa vite kam qenë pjesë e eshalonit të parë, duke shpresuar që gjërat do të përmirësohen. Jo që nuk ndodhi kjo, por për fatin tim të keq, e tuajin, gjendja vetëm sa eskaloi. Por së paku provova. Dhe për ketë tentativë të palavdishme timen jam në gjendje të rrëfehem pa asnjë kompleks sa herë ta kërkojë nevoja).
Tash më lejoni të kthehem edhe njëherë tek bandat ordinere, modeli i tyre i tregut të hapur. Tek kushtrimi i tyre, pervers, për më shumë investimeve të huaja dhe për më shumë përfitime tonat. Tonat në kuptimin e familjes.
Përse, pra, u keqkuptuam kaq rëndë me nocionin e 'tregut të lirë'. Përse çfarë funksionon në Perëndim, nuk bën tek ne.
T'i marrim gjërat me radhë.
Adam Smithi V.s. Blerim dhe Shkëlqim Devolli
Në vendin tonë tregu kurrë nuk ka qenë i lirë. Pikë. Ka qenë i lirë vetëm pazari, ku shiten gjërat e dorës së dytë, por jo tregu në kuptimin smithian.
Tregu i Adam Smithit ka qenë krejtësisht i kontrolluar. Jo me ligje, e as prej shtetit. Por prej njerëzve të shtetit. Prej pushtëve të pushtetit. Dhe jo vetëm prej këtyre, por edhe prej njerëzve të afërt me njerëzit e pushtetit. Edhe me njerëzit e afërt me njerëzit e afërt.
Qe një shembull: Sot Korporata Devolli, në interpretim e sipër të 'tregut të lirë' ka zhvatur, ose i ka bërë të sajat, përveç tjerash, edhe organet shtetërore. Pra, Qeveria e Kosovës, Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, ART'ja e Kosovës, PTK'ja e Kosovës, Homologimi i Kosovës, Gruri i Serbisë, krundet e Serbisë, Terminalet e Kosovës, ATK'ja e Kosovës, Tamli i Kosovës, birra e Kosovës… ka kaluar në pronësi të dy vëllezërve Devolli, Blerimit dhe Shkëlqimit.
Qeveria, përpara se ta luajë rolin e një referi të ndershëm dhe të dashur për të gjitha palët në lojë, jo vetëm që e ndan drejtësinë me hile, por tashmë i ka veshur paturpësisht fanellat e devollëve.
Sigurisht nuk e keni harruar dasmën, saktësisht synetinë, që kjo familje kishte realizuar dhe ku kishin kënduar e hedhur vallë të gjithë pushtët e pushtetit – ai formal dhe ai joformal. Vallëzonin dhe këndonin edhe rregullatorët e pavarur.
E konsekuencat e kësaj synetie vazhdojmë t'i ndiejmë. Pikërisht për shkak të devollëve vlera e ish-kompanisë më profitabile në Republikë, PTK'së, po devalvohet sikur dinari i ish-Jugosllavisë në kohën e sanksioneve ndërkombëtare. Paga e humbte gjysmën e vlerës derisa sillej prej vendit të punës në shtëpi. Kjo është njëra.
E dyta, Terminalet Doganore. Tashmë, thuhet se Dogana është shndërruar në shërbim të kësaj familjeje, me bekimin e pushtetit. Shumë kisha pasur dëshirë të kisha pasur qasje në importin e grurit që devollët e bëjnë nga Serbia, e që e shesin në vendin tonë si miell.
E treta, monopoli mbi homologimin e veturave. Në ketë rast shteti, as formalisht nuk është kujdesur aspak për 'tregun e lirë dhe të hapur'. Çmimet dhe tregu janë lënë nën mëshirën e kësaj familjeje.
Dhe tash, këto janë vetëm disa prej bizneseve, të lidhura në mënyrë mafioze në mes të shtetit dhe familjeve të ndryshme. Këtu nuk dëshiroj t'i ndërthur mandej edhe bizneset e tjera të këtyre familjeve, që nuk kanë lidhje direkte me shtetin, por që realisht janë të ndërlidhura ngushtësisht me pasurinë e krijuar në mënyrë të pandershme.
Të më ndjejnë familja e sipërpërmendur. Ata nuk janë rasti i vetëm. Të gjitha partitë i kanë financuesit e tyre, të cilët janë mbi tregun e lirë.
Për sa kohë Isa Mustafa ishte Kryetar i Prishtinës, tregun e ndërtimeve, ose lejeve të ndërtimeve e kishte përqendruar tek lidhjet e tij të shkurtra, partiako- familjare. Për shembull lejet e panumërta te deshishkëve. Dhe jo vetëm. Kjo vetëm po më bie ndërmend.
Banda Pretoriane
Ideja është kjo: gjatë gjithë këtyre viteve tranzicion ideja zhvillimore dhe progresive e kapitalizmit dhe tregut të lirë, mbi të cilën është ndërtuar Europa Perëndimore që sot e njohim, është bastarduar dhe ngjason me ekonomitë mafioze të shteteve të dështuara afrikane ose të Amerikës Latine.
Tregu i lirë është lidhur jashtëzakonisht ngushtë, sikur thoi më mishin, me trupat e pavarura të rregullatorëve.
Për çka po flas konkretisht?
Bankat?Kompanitë e sigurimeve? Nafta?
Kush i kontrollon këto dhe a është i lirë dhe i hapur tregu, në mënyrë që qytetarët të përfitonin çmimin më të volitshëm?
Padyshim që nuk janë.
Gjatë mandatit tim si deputet, duke qenë pjesë e Komisionit për Ekonomi, disa herë jam përballur me anëtarët e Komisionit të Pavarur të Konkurrencës, trupë kjo e themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Me fjalë të tjera këta do të duhej të ishin Garda Pretoriane e ekonomisë së lirë. E këta realisht janë vetëm Banda Pretoriane e Qeverisë së Kosovës, për ta mbajtur ekonominë të kontrolluar tërësisht.
A ka shpresë?
Gjasat janë minimale që diçka pozitive do të ndodhë shpejt në vendin tonë. Ndonëse një numër i madh i qytetarëve kanë ngelur krejtësisht të papërfaqësuar. Nuk i besojnë as njërit e as kampit tjetër. Por kjo nuk është kurrfarë sinjali që ata të gjithë do të bëhen bashkë e do t'i dalin përballë këtyre dy stuhive, njëra më e rrezikshme sesa tjetra. Madje, për fatin e tyre të keq, pikërisht ka qenë kjo kategori, shumë më liberale e shoqërisë, që kanë hequr dorë prej idealeve të tyre. E tilla ka qenë ORA e Veton Surroit dhe i tillë ka qenë FER'i i Ilir Dedës dhe Shpend Ahmetit. Këta të fundit, madje, jo që e braktisën kauzën, por u bashkuan me të kundërtën e tyre. Kaq sa i përket seriozitetit. Ndonëse bindjet liberale nuk duhet të janë peng i individëve. Ata mijëra që e kishin votuar Ilir Dedën në FER dhe ata dhjetëra mijëra që e kishin votuar Veton Surroin në ORA, ose tek e fundit edhe ata ca pak që na kishin votuar neve disave në PDK ekzistojnë edhe më tutje, nëse tashmë nuk gjenden në ndonjë kamp në Hungari. Kjo sepse, siç e thash edhe më lart, duket se të parët që e braktisin anijen dhe të fundit që janë të gatshëm për beteja epike rrugëve të Prishtinës janë votuesit liberalë. Sepse edhe më tutje nuk kanë ardhur në shprehje kauzat e tyre. Ca dromca të kauzave të tyre po përpiqet t'i rrëmbejë LVV'ja, për t'i tërhequr ata në rrugë, në mënyrë që t'i realizojë qëllimet finale nacionaliste, krejtësisht të kota dhe të paperspektiva.
Ne na ndajnë prej ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe disa ditë dhe për ketë askush nuk është i gëzuar.
Ata që e shpallën janë të zënë në hajni, të tjerët janë të zënë në përzgjedhjen e mjeteve për ta zhbërë 17 shkurtin.
E ata të tjerët që nuk i përkasin as taborit të parë, e as taborit të dytë me gjasë tashmë ose janë nisur për në Hungari, ose do të nisën këto ditë. Realisht Kosovën shtet nuk e do askush. Disa e kanë plaçkitur deri në fund, e të tjerët e urrejnë deri në fund.