Tri argumentet e Arushës
Nga Veton Surroi
Elaborimi intelektual i zyrtarëve të Kosovës e Shqipërisë të ideve të Dobrica Qosiçit
1. Është një barsoletë e vjetër, bile kaq e vjetër, saqë ka kohë që nuk tregohet. Vetëm citohet fundi i saj në formë pyetjeje: “a je me mu a me arushën?”, dhe të gjithë e dinë për çka bëhet fjalë, shumica madje qesh.
Barsoleta, të cilën as unë nuk po e tregoj, hyri në punë gjatë tërë vitit të kaluar, ndërsa përflitej koncepti i këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe një personalitet i njohur prokosovar i Kongresit Amerikan u zu në befasi kur shkoi për të folur me përfaqësues të lartë të Administratës Amerikane, dhe në pyetjen përse Administrata Amerikane shtyn përpara idenë, gjithnjë deri atëherë të papranueshme, të këmbimit të territoreve dhe popullsive në bazë etnike, mori përgjigjen nga zyrtari i lartë i Administratës:
– Nuk po e kërkojmë ne, po e kërkojnë kosovarët.
Rrëfimi anekdotal ka një rreth të plotë të barsoletës. Ideja për ndarje etnike dhe, konkretisht për kufijtë e rinj shqiptarë e serbë, e lindur ndër akademikë nacionalistë serbë, të identifikuar me Dobrica Qosiçin, dhe e prezantuar diplomatëve amerikanë që në tetëdhjetat e pastaj të nëntëdhjetat e shekullit të kaluar, iu prezantua amerikanëve për herë të parë si opsion kosovar në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Brenda kontekstit të barsoletës, zyrtari i Administratës Amerikane, dhe kjo është ndoshta metaforë më e gjerë për të gjitha ankesat që i bëjnë kosovarët ndaj diplomatëve amerikanë dhe europianë, e dha një përgjigje të thjeshtë: mos e kërko arushën te ne.
2. Kosovarët që folën me argumentet e arushës janë lehtë të identifikueshëm; numri i zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës që janë angazhuar për idetë e Dobrica Qosiçit mbetet në një. Numri i përkrahësve publikë, qoftë si vartës në Kosovë, qoftë si aventurierë në Shqipëri, mund të ketë qenë edhe pak më i madh, por mezi i kalon gishtërinjtë e një dore. Dhe ndonëse mund të duket me rëndësi se kush u prezantua publikisht si vartës apo si aventurier, ndoshta më me rëndësi është që të shënohen argumentet e, ta quajmë ashtu, narracionit të Arushës, të cilat iu servuan opinionit publik me arrogancën që rëndom e kas vetëm injoranca.
T’i marrim, atëherë, tri shpjegime të Arushës.
Një: pse ky preokupim me kufijtë, kur tashmë kufijtë e ish-Jugosllavisë kanë ndryshuar me pavarësinë e Kosovës?
Dy: të gjithë ata që klithin kundër këmbimit të territoreve, se gjoja kjo do të sjellë kataklizëm në regjion, duhet të kujtohen se e njëjta gjë thuhej se do të ndodhte edhe me pavarësinë e Kosovës; se ditën kur do të shpallej pavarësia do të iknin të gjithë serbët nga Kosova dhe do të shpërthente dhuna gjithandej.
Dhe tre: çka mërzitemi ne për Bosnjën a Maqedoninë? Nëse këmbimi ynë territorial na hyn neve në punë, çka po lodhemi ne për Bosnjë a Maqedoni, ku mund të ketë trazira për këmbime etnike territoriale?
3. Arusha nuk ka mundur t’i zgjidhte tri argumentet më të mira.
Një, deklarimi i një zyrtari shqiptar (i Kosovës dhe Shqipërisë) se çfarë është problemi i ndryshimeve kufitare kur kufiri i ish-Jugosllavisë ka ndryshuar me pavarësinë e Kosovës, është pjesë e narracionit që e ka bërë Serbia që nga pavarësia e Sllovenisë (shumë më herët se ajo e Kosovës). I tërë narracioni juridik i Beogradit është se po ndryshohet, me dhunë të të tjerëve, një shtet sovran, prej të cilit po i këputen pjesët. E vërteta, tashmë e sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare, është se ka ndodhur një çintegrim i ish-Jugosllavisë, dhe pjesë e atij çintegrimi janë shtetet e pavarura, mes të cilave edhe Republika e Kosovës. Ky narracion juridik u vërtetua së fundmi me mendimin e GJND-së rreth të drejtës së Kosovës për të shpallur Pavarësinë.
Por, kur një person zyrtar shqiptar thotë se me Pavarësinë e Kosovës kufijtë kanë ndryshuar, atëherë Kosova paska një faj në të drejtën ndërkombëtare që do shlyer. Dhe, ai faj mund të shlyhet me vendosje kufijsh të rinj.
Dy, deklarimi i një zyrtari të Kosovës (i cili kishte shpallur para nja pesë vjetësh se Kosovës i janë liberalizuar vizat, por për këtë deri më sot nuk paska dëgjuar Bashkimi Europian) se shpallja e këmbimit territorial është e njëjtë me shpalljen e Pavarësisë – nuk do të trembet kush, nuk do të ketë kurrfarë pasojash – mund të ketë qëllimin më të mirë për shpjegimin e argumentit të Arushës, por nuk i bën mirë krahasimit. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ka qenë – ta përkufizojmë në një formulë të thjeshtë – fryt i konsensusit më të lartë të mundshëm mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa shpallja e arritjes së një marrëveshjeje për dëbim të sa më shumë serbëve nga Kosova dhe të shqiptarëve nga Serbia mund të jetë fryt i një marrëveshjeje mes Arushës dhe partnerëve të saj. Paralelja e vë në kandar shpalljen e Pavarësisë, si aktin madhor politik të sovranitetit, me çfarëdo pazari ditor që të bëjnë politikanët e kësaj apo garniturës së ardhme. Arusha vetëm duhet të identifikojë, siç ka bërë tani, se cila garniturë i hyn në punë.
Dhe tre: çka mërzitemi ne për Bosnjë e Maqedoni? Pyetjen mund ta bënte një banor i Fixhit apo njëri prej arrogantëve në oborrin e të vetmit përkrahës të konceptit të Dobrica Qosiçit në pushtetin e sotëm të Kosovës. Pos solidaritetit bazik njerëzor, aty hyn edhe një element i shpërfillur prej partnerëve të Arushës: parimësia. Lufta në Bosnjë është zhvilluar në bazë të rivizatimit të kufijve e lufta në Maqedoni, falë Marrëveshjes së Ohrit dhe rolit vendimtar të shqiptarëve në të, ka përfunduar mu duke penguar idenë e ndarjeve territoriale-etnike. Pavarësia e Kosovës është shpallur, në fund, mu falë këtij parimi, të tërësisë multietnike. Leksioni i thjeshtë, që nga rrëfimet në shkolla fillore, është se nuk mund ta shpëtosh shtëpinë tënde duke ndihmuar që të digjen shtëpitë e fqinjëve.
4. Ka sinjale gjithandej regjionit, Europës e SHBA-së, se është duke u konsumuar aventura – ideja e këmbimeve territoriale.
Por, sikundër barsoletat, edhe atëherë kur harrohet rrëfimi e mbetet fjalia e fundit –si në “a je me mu a me arushën” – rrëfimet e Arushës do të mbeten. Do të kërkojnë jetëgjatësi. /Koha Ditore/