Tri arsye përse nuk duhej të dorëhiqej Vangjush Dule
Nga Artur Zheji
Fillimisht u tha dhe qarkulloi si një çudi pozitive që nënkryetari i Kuvendit do të bashkëjetonte me nënkryetarin e ri, Shpëtim Idrizi, në kryesimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Dhe kjo do të ishte një gjë pozitive. Shqiptarët kanë ditur dhe dinë të bashkëjetojnë me pakicën greke në Shqipëri. Këtë, përpos të tjerash e rrëfejnë edhe martesat e shumta ndërmjet grekëve dhe shqiptarëve, martesa të qëndrueshme që nuk kanë krijuar asnjëherë “skandal” etnik dhe nuk janë parë kurrë shtrembër nga shumica.
Edhe kjo “martesë” institucionale që po vinte në Kuvendin e Shqipërisë, do të ishte një hap shumë pozitiv për çmitizimin e “Çështjes Çame” nga njëra anë dhe refuzimin primitiv që Athina i bën edhe sot e kësaj dite hapjes së një dialogu.
Arsyeja e parë që Vangjel Dule nuk duhej të largohej nga kryesimi i Kuvendit të Shqipërisë, që i bënte nder dhe i jepte një dukshmëri politike, elektorale dhe njerëzore të dorës së parë, është se po të lexosh programin e partisë që ai drejton, duhet logjikisht të ishte në mbështetje edhe të Çështjes Çame, në fushën e të drejtave të njeriut, të së drejtës së pronës dhe në të drejtën e dinjitetit.
Pra ky largim, kinse për arsye të moralit të cenuar politik apo lojëra fjalësh si këto, jo vetëm që bie në kontradiktë të hapur me moralin e platformës politike që ai drejton, duke e përgënjeshtruar atë, por e përforcuar nga një deklaratë e rrufeshme e Athinës zyrtare kundër Shpëtim Idrizit, nxjerr në pah një sinkronizim të qartë të Vangjel Dules me Athinën zyrtare.
Askush nga përfaqësuesit e pakicave në Greqi, nuk do të hipte dot në një lartësi institucionale kaq të lartë sa Vangjel Dule në Shqipëri.
Sepse sa për kujtesë të adhuronjësve syperënduar të Tsiprasit në Fshatin tonë, as edhe ay, Tsipras pra, nuk njeh të drejtën e asnjë pakice etnike në Republikën e Greqisë.
Atë Çame në radhë të parë.
Arsyeja e dytë se përse Dule nuk duhet të jepte dorëheqjen është sepse kjo përbën edhe një dështim politik të bashkëjetesës reale, në nivelin institucional. Ardhja e tij në krye të Kuvendit ishte një sukses politik i emancipimit shqiptar ndaj trajtimit ekselent të pakicave, por ishte edhe një sukses i vetë zotit Dule, i cili ka ndoshta shoqërinë më të gjerë dhe është më i “përkëdheluri” nga klasa politike shqiptare. Përtej deklarimeve formale politike, Vangjeli ka qenë dhe është si në shtëpinë e vet në Tiranë, ndoshta më shumë sesa në Athinë.
Arsyeja e tretë që Vangjel Dule nuk duhet të jepte dorëheqjen është edhe dëshmi e një paaftësie thelbësorë që partia apo partitë e pakicës greke në Shqipëri kanë në raport me Athinën. Që këto parti të mirëfinancohen, kanë nevojë që të krijojnë alarmizëm, shpeshherë fals dhe elektoral, për gjendjen kritike të pakicës greke në Shqipëri. Por ama, çdo “përparim” i statusit të tyre, ata, mund ta vlerësojnë edhe si një sukses të tyrin politik.
Duke zbatuar në mënyrë mekanike urdhra nga jashtë Shqipërisë, dashamirësia apo elektoralizmi i tyre pëson një dëm të pallogaritshëm. Reputacioni i tyre individual po ashtu.
Të largohesh sepse nënkryetar Kuvendi u zgjodh Shpëtim Idrizi, është një fyerje e pamerituar për shqiptarët që e hipën në atë poltron, nga më të lartit e institucioneve shqiptare. Dhe zoti Dule e di shumë mirë, shpresoj që edhe Athina që e hoqi duhet ta dijë, se askush në Shqipëri nuk rrudhi buzët dhe nuk shprehu asnjë shqetësim që kryetari i PBDNJ u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa tani që dha dorëheqjen, sigurisht që rrudhja e buzëve dhe zhgënjimi është më se i natyrshëm. Për mënyrën se si kjo dorëheqje do të përdoret.
Sepse tanimë dihet se çfarë do të ndodhë.
Për të fituar pikë të rreme ndaj gjoja profilit nacionalist të Ramës, me sa duket Athinës zyrtare që ndaloi vizitën e Ministrit të vet të Jashtëm që të vizitonte Tiranën, i duhen argumente në “betejën” për naftën në ujërat territoriale shqiptaro-greke.
Është tanimë e padurueshme që kolegë apo politikanë, nga mosdashuria për Ramën, të mos duan që edhe nafta miliarda euroshe të mund t’i takojë Shqipërisë, duke inkurajuar Kryeministrin që ta mbrojë atë.
Është padyshim edhe në dinjitetin e Kryeministrit që të kërkojë edhe mbështetjen e Opozitës në këtë betejë reale për mirëqenien e shqiptarëve.
Në këtë rrafsh të mbrojtjes së interesave shqiptare, lufta politike e Shumicës me Pakicën, apo anasjelltas, nuk ka bythë të rrijë.
E kujt i plas në fund të fundit, për fitoren apo humbjen e zgjedhjeve lokale, në raport me pasurinë kolosale të Detit Jon, që mund t’i përkasë Republikës së Shqipërisë?!
Sepse kjo do të mund të ishte një Rilindje e Vërtetë e ekonomisë shqiptare.
Ja pse largimi i Dules, përpos buzëqeshjes së tij simpatike dhe shqipes perfekte që ai flet si të ishte shqiptar etnik, shkakton trishtim dhe zhgënjim njëherësh.
Mapo