Tri dilemat e Vjeshtës që vjen
Nga Artur Zheji
Dilema e parë lidhet, me shëndetin politik brenda Shumicës. Rama dhe Meta i fituan edhe këto palë zgjedhje, që nuk ishin as të lehta dhe as të vështira. Shkodra rezistoi si antimajtiste, si një qytet me kujtesë të thellë që ka alergji dhe refuzim të qëndrueshëm ngjyrën e kuqe. Lezha shkoi djathtas, ndërsa Tirana u kthye majtas, me një diferencë mbresëlënëse votash. Durrësi mbeti majtas, Vlora, Korça dhe Gjirokastra gjithashtu. Kukësi mbeti djathtas, Pogradeci bëri një eksperiment befasues blu, po ashtu edhe Selenica dhe Përmeti. Në të tërën e vet, Shumica aktuale do të qeverisë më shumë se 70% të territoreve dhe popullsisë, edhe në rrafshin vendor.
Tani pra pushteti i Shumicës, është edhe më i madh. Edhe më i gjerë, edhe më i detajuar.
Porse kjo e bën më të fortë paradigmën që thotë se “pushteti është më vështirë të mbahet sesa të fitohet”, thënie që gabimisht i referohet Hoxhës, porse origjinën burimore e ka nga traktati “Princi” i Machiavellit.
Sepse mbajtja dhe qeverisja e këtij pushteti kaq të gjerë, politik, ekzekutiv, legjislativ dhe së fundi vendor, është një harxhim jo vogël energjish, ndonëse përllogaritet si një hambar i ardhshëm votash për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017.
Përllogaritet, por gjithçka varet nga rezultatet. Ato ekonomike në radhë të parë. Pasiqë, betejat me flamurin e antiberishizmit apo shqupizmit, kanë një efekt gjith’ e më të vogël tashmë. Sa më shumë rrjedh koha që konsumon tanimë pushteti dhe pushtetarët e rinj.
Luksi dhe përkujdesja për garderobën, frekuentimi gati maniakal ndër “beatu center”, vëmendja e posaçme dhe vanitoze për paraqitjen, për dashnoret, për menynë e ushqimit, për pushimet dhe udhëtimet super të shtrenjta, nga ministrat dhe superdrejtorët e rinj, i rrëfejnë popullit sërish përrallën e vjetër, se natyra njerëzore, në thelb të saj është ajo që është. Pavarësisht dhe përtej partive apo ngjyrave të parullave politike.
Egoiste pra, dhe me dëshirën pa kufi, për të qenë mbi tjetrin, më me shumë para’, gjë dhe plaçkë. Në të vërtetë, përjetimi i përsëritur në mijëvjeçarë, iluzionit të mbramë, se duke jetuar më mirë dhe më ndryshe se të tjerët, në luks dhe bollëk, zvogëlohet më me sukses dhe më mirë ankthi i vdekjes, që përgjon pas dere.
Mirëpo murgjit e ndritur budistë, që e kanë të përçastshëm dialogun me vdekjen, mendojnë krejt ndryshe. Por ata janë larg.
Larg dhe Lart, në manastiret e tyre malore. Analfabetizmi i niveleve të larta, që bën fole në popullatën karrieriste për të cilën po flasim, me capak përjashtime, nuk e njeh dot as parimin e Ekuilibrit të marrëdhënieve njerëzore, as parimin e Harmonisë së Qenies, e aq më pak parimin e Energjisë së brendshme që çliron Meditacioni.
Dilema e dytë, që do të sendërtohet këtë Vjeshtë, ka të bëjë me marrëdhëniet në brendësi të kësaj Shumice, të shumtë në numra dhe në pushtete.
Si do të jenë ato?
A ka vërtet një hatërmbetje dhe një tension real mbaszgjedhor, ndërmjet Ilir Metës dhe Edi Ramës, si edhe pëshpëritet rëndom në korridoret e pallateve të pushtetit apo në rrethet e specializuara të komentatorëve politikë? Të atyre që kanë ca instrumente të gjithkundgjindshëm dhe që masin rrahjet e zemrës apo tensionin arterial të “komandantëve” të tyre?
A do të ketë ky tension manifestime të dukshme këtë Vjeshtë që vjen, apo do të mbahet në siguresë dhe do të shfryhet përmes ca valvulave anësore shkarkimi, në nivelet dytësore e tretësore të strukturës së pushtetit?
Të dy personazhet, Rama dhe Meta, janë sot jo vetëm në kulmin e pushtetit të tyre, por edhe në kulmin e eksperiencës politike. Ata e dinë se një çarje e zhurmshme dhe me tym baruti ndërmjet tyre, sjell automatikisht pesë pasoja kryesore:
- Zgjedhje të parakohshme
- Vënie në diskutim të pushtetit që kanë sot në duar
- Ndërprerje të ciklit reformator, i cili po ecën gjithsesi
- Çoroditje ekonomike dhe administrative për vendin
- Rënie të prestigjit politik kombëtar dhe ndërkombëtar të reputacionit personal të tyre
Nën këtë optikë, gjykoj se Vjeshta mund të ketë fërkime episodike. Sepse Testi kryesor do të jetë situata parazgjedhore e vitit 2017 dhe sidomos përcaktimi i Presidentit të ri të Republikës. Nga një konflikt Rama-Meta ka vetëm humbës. Dhe këtë, edhe Rama edhe Meta e dinë mirë, andaj ata u shtrëngojnë, si dhe kanë bërë deri më tani, rregullisht frerët radikalëve të tyre anti-PS apo anti-LSI.
Dilema e tretë e kësaj Vjeshte është edhe situata brenda Pakicës, apo më konkretisht në gjirin e Partisë Demokratike. Rezultati zgjedhor 2015 karakterizohet nga rezistenca dhe qëndrueshmëria e bastioneve tradicionale.
Lulëzim Basha bëri një Fushatë Zgjedhore elegante dhe të moderuar. Gjithmonë e më tepër PD po fiton dimensionin e një partie që synon të kolaudojë një stil të ri. Përmbajtësor dhe strukturor. Ashtu si i përket një alternative pushteti i dhjetëvjeçarit të dytë, të mijëvjeçarit të tretë.
Mirëpo duket se edhe në PD, Vjeshta që vjen, nuk duket të jetë e qetë. Herët a vonë Basha, disi kundër natyrës së vet të butë, duhet të lajë hesapet me ata, jo të pakët, që në një formë ose tjetër vënë në diskutim lidershipin e tij. Pra këtë vjeshtë, Lulëzim Basha duhet të ushtrojë forcë dhe komandë më të tendosur në brendësi të radhëve të veta, duke vendosur kritere të reja kontributesh opozitare, në sistemin e karrierave brenda PD-së.
Sepse është fakt që jo pak personazhe postmbajtëse në PD janë më së shumti sehirxhinj dhe ironikë apo kritizerë të papunë, zotërues pronash apo llogarish bankare të majme, por asgjë më shumë. Është pikërisht kjo kategori që ndoshta fryn me pasion, legjenda apo episode periferike, me rapsodinë pambarim të marrëdhënieve të ftohta apo të tendosura Berisha-Basha. Sepse kësaj kategorie i lypset një këngë lufte, për të realizuar ambicien apo luftën e tyre të brendshme ndaj Kryetarit të “Butë”.
Megjithëse kjo hipotezë apo legjendë, është e vargëzuar me art, interesat politike dhe ekzistenciale që e lidhin Berishën me Lulëzim Bashën janë në të vërtetë, më të mëdha sesa ato, që dialektikisht mund ta ndajnë.
Sepse një çarje Berisha-Basha do të ishte një çarje de facto e Partisë Demokratike dhe këtë nuk mund ta dëshirojë as Saliu dhe as Luli.
Vjeshta që vjen, do të sjellë një përgjigje edhe për këtë realitet dinamik që përjetohet në Partinë e madhe të Opozitës, duke sendërtuar kështu edhe Dilemën e Tretë të parashikueshme që na pret pas gushtit.
Pra le t’i gëzohemi Teatrit të mbyllur edhe për ca kohë.
Sa të hapet Sezona e Re, mbas 15 shtatorit.
Mapo