Tri kronika në një koment
Ese nga Tonin Çobani –
Në këto ditë të shtetrrethimit të madh mediat online na kanë shoqëruar 24 orë nonstop. Nga ndonjëherë rrinë pranë e pranë njoftime (a kronika) që të godasin edhe për shkak të pranëvënieve të tyre të rastësishme.
Kronika 1: Njëri nga personat e përfshirë në vjedhjen e bujshme të çantës plot me para në një mjet tip Range Rover në Tiranë (22 maj 2020) ka rrëfyer se nga çanta me 250 mln “kam hequr 30 mijë lekë dhe kam paguar ilaçet”… për babait e sëmurë në spital.
Kronika 2: “Pas publikimit të një videoje në Facebook, në të cilën dy policë të Bashkisë Tiranë shfaqen duke dhunuar një rom riciklues mbeturinash, njëmbëdhjetë organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kërkuan hetim dhe dënim të dhunuesve.” ( Gjergj Erebara, 26 maj 2020)
https://www.reporter.al/organizatat-denojne-dhunen-e-policise-bashkiake-ndaj-ricikluesit
Kronika 3: Vijon jehona e mediave ndërkombëtare lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Pas “Le Monde” është prestigjiozja tjetër “Le Figaro” (26 maj 2020), e cila flet për një zemërim popullor pas aktit të qeverisë (shembjes së Teatrit Kombëtar).
Komenti për mesazhin e përbashkët të të tri kronikat do të ishte: edhe në spital duhet të paguash për ilaçet, policia bashkiake dhunon publikisht një të ri të papunë që mbijeton duke ricikluar mbeturina në kazanët e plehrave: ndërkaq qeveria shemb Teatrin e Tiranës, të vetmin Teatër të Dramës me statusin e “Teatrit Kombëtar”.
Por Shembja e Teatrit Kombëtar nuk është fundi i botës. As thjesht i botës teatrore. Është shkatërrimi i një godine ku luheshin shfaqje për publikun shqiptar (deri sa u shemb nga një fadromë). Dhe shfaqjet luheshin në gjuhën e atij publiku, pra, në gjuhën shqipe (edhe kjo e sulmuar për të mos mbijetuar gjatë).
Aktorët janë teatri: së bashku me regjisorët, skenografët, kostumografët, formuluesit e muzikës, teknikët e ndriçimit… Këto, po, janë teatri. Ata nuk mund të shemben me një fadromë dhe një turrë policësh pa numra identiteti në uniformën e tyre.
Nga ana tjetër dimë se probleme në mes të qeverive dhe trupave teatrore ka pasur në të
gjitha kohërat (por që nuk janë shoqëruar me shembje godinash teatrore). Qysh në kohën elizabetiane kur jetonte e krijonte Shekspiri, deri te censura e realizmit socialist, të cilin teatri shqiptar e përjetoi si barrën e vet më të rëndë. Censura ka qenë shembje e parë e Teatrit, sepse arrii deri te burgosja (dhe internimi) e aktorëve dhe regjisorëve, si : Edi e Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli e Fadil Paçrami,… e sa e sa të tjerë.
Prandaj shembja e Teatrit Kombëtar nuk është fundi i botës teatrore. Por është fundi i një demokracie të vobektë në historinë e re të popullit shqiptar dhe fillimi i një diktature të absurdit real dhe aspak artistik. Pyetjet, që pasojnë, formulohen: A po e kryejnë funksionin e tyre institucionet e shëndetit në Shqipëri dhe mbas tyre vetë qeveria? Po njëmbëdhjetë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (përfshirë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar) dhe paralel me ta policia bashkiake dhe ajo e shtetit, që po dhunojnë qytetarët, me taksat e të cilëve paguhen? Nëse këto gjëra argumentohen me fakte, duhen të përgjigjen institucionalisht nga më i madhi te më i vogli.