Trishtim në prag dimri! Pas dy javësh protestë durimi ka sosur

Artan Fuga

Pas 14 ditësh protestash studentore dhe që studentët kanë braktisur mësimin, gjendja është e trishtët. Shpresa ime se më në fund do të hapeshin, shtroheshin dhe zgjidheshin problemet e rënda të akumuluara prej njëqind vjetësh në arsimin, shkencën dhe edukimin shkollor të rinisë shqiptare, që Shqipëria t’i bashkohej emancipimit dhe revolucionit të madh shkencor që ka përfshirë të gjithë botën,

po zverdhet,
zbehet,
bjerret,

si gjethet në dimër!

Qeveria nuk ka ndërmend të pranojë se pa hequr këtë kupolë ligjore që i merr frymën dhe e bën inefikas arsimin e lartë shqiptar, që i merr jetën rinisë shqiptare dhe e bën atë të paaftë për të gjithë jetën, kriza dhe kalbëzimi kombëtar do të vazhdojë.

Nuk do ta abrogojë ligjin sepse një ligj i ri do t’a fuste vendin në një krizë politike meqë ky parlament e ka hallin për pushtetin e pesë vjetëve të ardhshme dhe jo për t’iu përgjigjur nevojave të rinisë për arsim.

Dhe në vend të bëjë këtë bashkëbisedon te Gjeologjiku me një dorë pedagogësh të lodhur duke harruar se industria e gjelogjisë dhe e minierave në Shqipëri i ka mbathjet në fund të këmbëve.

A thua se arsimi i lartë shqiptar për ndërtesa vuan!

Cfarë dialogu!!!

Opozita po nxjerr disa ish universitarë deputetë që tani kujtohen të thonë se përgjegjësia është e ligjit për arsimin e lartë, pikërisht nga ata që katër vite më parë ishin midis atyre që nën zë ose me veprime mbështesnin pikërisht atë ligj të sotëm sotëm që kritikojnë dhe bëhen trima pas kuvendi!

E mbështesnin si pedagogë tani e kritikojnë si politikanë!

Opozita nuk ka një ligj alternativ për arsimin sepse nuk ka dashur ta bëjë për interesat e veta të ngushta. Cfarë i thotë rinisë : përmbyseni këtë qeveri, kur nuk u premton asgjë studentëve!

Politika i ka tradhëtuar studentët dhe ne pedagogët që luftojmë prej vitesh për një universitet të ri!

Arsimi është tradhëtuar nga politika dhe e shumta përdoret për luftën politike midis uzurpatorëve të skenës publike shqiptare.

Studentët nuk po dinë se cfarë duhet të kërkojnë dhe si! Ato 8 kërkesa as nuk dihet se kush i ka shtruar, as nuk dihet se ku janë konceptuar, as nuk u del Zot njeri! Duke e mbuluar gjithçka me një vello misteri!

Ato kërkesa ashtu sikurse janë formuluar, pa asnjë shpjegim, të shkëputura nga kritika e mekanizmave konkrete të zhvillimit të shkencës dhe arsimit, nuk të cojnë dot askund!

Mirë që studentët nuk i kanë, por përse nuk dëgjojnë kur u thuhet se ka gjëra të tjera që duhet të kërkojnë nëse duan të dalin nga robëria dhe bodrumet ku i ka futur shoqëria e prindërve të tyre qofshin këta të papunë, politikanë apo pedagogë?

Përse nuk dëgjojnë?

Unë sot e kam një përgjigje sepse pas dyjavësh durimi ka sosur. Sepse dikush apo disa i pengojnë studentët, ata që njoh unë me mijra, të artikulojnë kërkesat që duhen që ta shkundin njëherë e mirë barrën që u kanë ngarkuar mbi supe dhe që i bën skllevër të humbur për jetë!

Dikush i pengon!

Media as ka fuqinë dhe as nuk dëshiron të nxjerrë mbi dallgë interesin e vërtetë studentor. Nuk investigon, nuk e con kamerën në thellësinë e masës studentore, nuk analizon sepse politizon dhe shkon atje ku janë ata që bërtasin më shumë, te ata që vijnë në studio. Por, a është ai vërtetë zëri studentor?

Si nuk kërkojnë studentët rrëzimin e kuadrit ligjor në fuqi kur nuk ka dyshim që ai ligj i trajton si skllevër? Si është e mundur që kur flet për të drejtat e studentêve ka studentë gjoja të zgjedhur, pikërisht ata që i kundërshtojnë?

Më raftë pika mua për studentët e zgjedhur që përfaqësojnë studentët dhe që janë nën kontrollin e dekanëve dhe të disa pedagogëve uzurpatorë!

Media nuk ka gazetarë specialistë të arsimit, rinisë, shkencës. Nuk di të raportojë për to.

Drejtuesit e agjencive dhe të bordeve ministrore dhe jo pak drejtues fakultetesh, antarë senatesh, nuk ndihen sepse janë mësuar me këtë sistem të kalbur dhe të paturpshëm që merr në qafë jetë studentësh dhe tallet me ta.

Emra pa fund plagjiaturash dhe askush nuk ka moralin të deklarojë : Poshtë vjedhësit e dijes! Politika i mban ende në gjirin e vet!

Unë kam frikë se Shqipëria e humbi shansin që në sajë të pakënaqësisë dhe ndershmërisë studentore të shtronte dhe zgjidhte një herë të vetme cështjet e arsimit, edukimit dhe shkencës.

Tani 1000 mijë vjet errësirë rrezikojmë!

Studentët e gjorë kanë mbetur pa drejtim pa zë, pa ndërgjegjen e asaj që duhet të bëjnë dhe kërkojnë realisht.

Cdo minutë që kalon shoh gjethe që zverdhen, dobësohen dhe bien në këtë prag dimri që do të zgjasi nëse jo ndryshe edhe 30 ose 50 vjet të tjera.

Shqipëria paska zgjedhur që të jetë një muze në qiell të hapur i prapambetjes dhe sakrifikimit të brezit të ri!

Cfarë trishtimi!

Pas dy javësh përpjekje duket se je i zhytur në një zhurdhëri planetare, ku askush nuk dëgjon, dhe në vend të arsyes sundon hipokrizia e një mbështetjeje fallco që secili për modë dhe për të larë gojën thotë: Ah jemi me rininë!

Ndërkohë e shoh këtë rini plandosur për tokë, rrëzuar, plagosur tek lufton në një natë të errët nuk dihet se me cilin, nuk dihet se për kë, nuk dihet se për çfarë!

SHKARKO APP