Tritol dhe terror, një histori e gjatë kriminale

Një dosje e gjithë shpërthimeve dhe atentateve me tritol. Rikthimi i terrorit në javën e dytë të shkurtit dhe një histori e gjatë mbi të gjithë episodet kriminalë që kanë ndodhur në vitet e fundit në Shqipëri …

Duhet shumë pak për të destabilizuar një qytet si Tirana dhe për ta vënë atë nën shenjën e terrorit. Disa shpërthime tritoli, disa të tjerë të mbetur në tentativë dhe më pas, çfarë nuk bën eksplozivi, e bën me gjuhën e saj të zakontë politika. Edhe njëherë si përherë: e majta dhe e djathta, qeverisja dhe opozita dëshmuan një distancë të pafundme me njëra­tjetrën mbas valës së papritur të atentateve me tritol në Tiranë. Pozita duke e gjetur frymëzuesin e atentateve tek gjuha agresive e opozitës dhe opozita duke pretenduar se shteti po goditet nga krimi për shkak të bashkëpunimit të tij me segmente të caktuar kriminalë.

Data 10 shkurt do të shënonte katër episode të njëpasnjëshëm me tritol; në fillim farmacia në pronësi të babait të ministrit të brendshëm dhe më pas hedhja në erë e banesës së një zyrtari të lartë të policisë. Po në të njëjtën ditë, një sasi e pashpërthyer eksplozivi u gjet në stacionin e autobuzit pranë rrugës Myslym Shyri dhe dy ditë më pas, të enjten në mëngjez, një sasi tjetër, më e madhja e gjetur ndonjëherë në vendngjarje, e pashpërthyer në afërsi të gjimnazit Petro Nini Luarasi. Në të dy rastet e fundit, me të njëjtin mekanizëm shpërthimi, celularët që do ta mundësonin atë, kishin marrë thirrje hyrëse. Domethënë komandën: zjarr! Fatmirësisht nuk shpërthyen. Po kështu, një tjetër alarm për bombë u konsumua të enjten mbasdite tek sheshi Ataturk, në Tiranë dhe publiku ndoqi ”live” përpjekjet e policisë për të vënë situatën nën kontroll. Për fat të mirë sërish nuk pati probleme dhe bëhej fjalë vetëm për një alarm të rremë. Që natyrisht ndikon në nervat e publikut dhe të policisë. E cila, duket se në këtë rast ka mundur të marrë dhe asistencë urgjente nga FBI­ja amerikane.

Burime të rezervuara i pohuan Revistës ‘Java’ se tashmë hetimi ka një përmasë ndërkombëtare, por pa dhënë më shumë hollësi. Historia me tritol Çfarë ndodhi në këtë javë të çmendur shkurti, ka pasur një të ngjashme në dimrin e vitit 2013, kur në mënyrë të papritur në Tiranë e gjetkë pati një serial të frikshëm dhe të përgjakshëm shpërthimesh me tritol. Fundi i vitit 2013, muajt e parë të qeverisjes së socialistëve, shënuan dhe pikun e atentateve me tritol.

Plot 85 të tillë. Nga ta, vetëm 12 të zbuluar.

Një histori që nisi si një histeri e krimit dhe që u shua po aq papritur sa dhe nisi. Revista Java ka mundur të sigurojë një dosje të plotë me të dhëna zyrtare mbi atentatet me tritol dhe ato bëhen publike për herë të parë. Janë të dhëna të cilat përfshijnë dy kategori atentatesh, ato kundër jetës dhe ato të shkatërrimit të pronës me eksploziv. Të parat përfshijnë një hark kohor nga viti 2005 dhe të dytat nisin me vitin 2009. Janë 20 episode atentatesh me eksploziv, të cilët kanë shënuar 24 viktima. Qytetet më të prekur janë Tirana dhe Vlora me nga pesë të vrarë, Shkodra, Saranda e Bajram Curri me nga dy vrasje, Durrësi, Fieri, Elbasani e Kolonja me nga një viktimë. Vrasja e gjyqtarit Skerdilaid Konomi në Vlorë në 9 shtator 2011, e Aleksandër Kekës në 18 qershor 2009, kanë qenë dy nga atentatet më të bujshme me eksploziv. Të dy këto episode kriminalë kanë mbetur ende pa autorë. Viti më i rëndë ka qenë 2011 kur janë kryer pesë vrasje me shpërthime eksplozivi dhe vitet më ”të qetë” kanë qenë 2007-­ta dhe 2013-­ta. Edhe atentatet me eksploziv kundër pronës kanë pasur një dinamikë të caktuar që herë rritej e herë zbriste: në vitin 2009, 13 episode, 2010 48 episode, 2011 12 episode, 2012 69 episode, 2013 85 episode dhe 2014 72 episode. Me një mesatare zbulueshmërie të autorëve nga 8 për qind më e ulta deri në 23 për qind me e larta. Domethënë, më pak se një krim në dhjetë i zbuluar në rastin më të keq dhe pak më pak se një krim në katër i zbuluar në rastin më të mirë.

Katër vjetët e fundit

Duke nisur me vitin 2011, Revista Java ka bërë një skedim të atentateve më të bujshme me lëndë eksplozivë. Një histori fatkeqe dhe famëkeqe terrori që nuk godet vetëm shënjestrat e paracaktuara, por që ngjall tmerr dhe panik në publik dhe kërcënon jetë të pafajshme njerëzore.

Në 18 mars 2011, në Durrës, tentativë vrasjeje ndaj biznesmenit Pirro Bare. Lënda plasëse ishte vendosur poshtë makinës së tij; Në fshatin Mollas të rrethit Kolonjë, katër vetë përgatisin lëndë plasëse në mënyrë artizanale, por pas shpërthimit, vritet një qytetare e pafajshme, Liljana Xake;

Në 4 prill 2013, në Gjirokastër është plagosur rëndë nga shpërthimi në makinë Rudi Haxhiraj;

Në 3 maj 2013 shpërthen në ecje e sipër makina e Sulejman Sulos në superstradën Fier­Lushnjë, ai dhe bashkëshortja e tij plagosen rëndë;

Në 16 shtator 2013, në Shkodër është plagosur rëndë Kujtim Çardaku, me detyrë efektiv në Drejtorinë e Policisë Qarkut Lezhë;

Në 13 dhjetor 2013, në oborrin e Kryeministrisë është çaktivizuar lëndë eksplozive nën automjetin e Prefektit të Qarkut Vlorë Besnik Dervishi;

Në 23 janar 2014 në Durrës është vrarë me lëndë plasëse Xhemal Çela, biznesmen ndërtimi;

Në 7 shkurt 2014 në Vorë vritet Baki Xhabafti 40 vjeç;

Në 28 gusht 2014 në qytetin e Vlorës është vrarë Isuf Kokaj, 42 vjeç.

“JAVA”

 

SHKARKO APP