Triumfi i oligarkisë – Si mund të mbrojmë demokracinë nga oligarkët?

Ganesh Sitaraman për “The Guardian” / Përgatiti: TPZ.AL 

Disa vjet më parë, teksa po bëja kërkime për të kuptuar se si pabarazia ekonomike kërcënon demokracinë, një koleg i imi më pyeti nëse Amerika në të vërtetë rrezikonte të bëhej një oligarki. Sistemi ynë politik, tha ai, është demokracia. Nëse njerëzit nuk duan të drejtohen nga elitat e pasura, ata mund t’i largojnë me vote këta të pasur. Sistemi, me një fjalë, mund të “manipulohet” për t’ju shërbyer të pasurve dhe të fuqishmëve vetëm nëse njerëzit janë të gatshëm të pranojnë të qeverisen prej të pasurve dhe te fuqishmëve. Nëse publiku i gjerë e kundërshton udhëheqjen nga elitat ekonomike, përse ndodh pra që të pasurit kanë kaq shumë pushtet?

Ishte pyetje e mirë dhe ndërkohë që kisha disa shpjegime të mia, nuk kisha përgjigje përfundimtare. Për fat të mirë, më erdhën në ndihmë dy libra të kohëve të fundit.

Në librin e tij interesant “Oligarkia klasike greke”, Matthew Simonton na çon në botën e lashtë nga ku  erdhi termi oligarki. Një nga kërcënimet kryesore për oligarkinë, ishte se oligarkët do të ndaheshin në një moment dhe njëri prej tyre do të merrte drejtimin e popullit për të rrëzuar më pas oligarkinë.

Për të parandaluar këtë, elitat e lashta greke zhvilluan institucione dhe praktika për të qëndruar të bashkuar. Ndër të tjera, ata kaluan ligjet e shfajësimit, duke parandaluar shfaqjet ekstravagante të pasurisë që mund të nxisnin xhelozi dhe përdorën praktikat e fshehta të votimit dhe konsensusit, për të siguruar që vendimet nuk çonin në konflikte më të mëdha mes tyre.

Si një studiues i klasikëve, Simonton, fokusohet në këto praktika specifike antike në detaje. Por gjetja e tij kryesore është se elitat në pushtet kanë nevojë për solidaritet nëse duan të qëndrojnë në pushtet. Uniteti mund të vijë nga marrëdhëniet personale, besimi, praktikat e votimit ose – siç ndodh shpesh në epokën e sotme meritokratike – homogjeniteti në kulturë dhe vlera, brenda rrethit të tyre.

Ndërkohë që elita sunduese duhet të mbetet e bashkuar që një oligarki të mbetet në pushtet, populli duhet të ndahet, që të mos të jetë në gjëndje të rrëzojë shtypësit. Oligarkët në Greqinë e lashtë përdorën kështu një kombinim të presionit dhe bashkëpunimit, për të mbajtur të gjallë “demokracinë”. Ata dhanë shpërblime për informatorët dhe gjetën qytetarë të gatshëm për të marrë poste në qeveri.

Këta bashkëpunëtorë e legjitimuan regjimin dhe i bënë masat të besojnë tek oligarkët. Përveç kësaj, oligarkët kontrollonin hapësirat publike, për të parandaluar organizimin e njerëzve. Ata i dëbonin njerëzit nga sheshet e qytetit: një popullsi e përçarë në fshat, ishte e paaftë për të protestuar dhe për të përmbysur qeverinë, krahasuar me grupime të përqëndruar në qytet.

Ata gjithashtu u përpoqën t’i mbanin njerëzit e thjeshtë të varur ekonomikisht prej oligarkëve për mbijetesën e tyre. Duke e lexuar analizën e Simontonit, është e thjeshtë të kuptosh se si sot, fragmentimi i platformave tona mediatike është mjeti modern për t’a ndarë publikun, apo se si puntorët e sotëm kanë frikë të flasin apo denoncojnë abuzimet.

Diskutimi më interesant është se si oligarkët e lashtë përdornin informacionin, për të ruajtur regjimin e tyre. Ata kombinuan sekretin në qeverisje, me mesazhe selektive për audienca të caktuara, praktikë shumë e ngjashme me këshilltarët tanë modernë të komunikimit. Oligarkët e përqëndronin pushtetin nëpërmjet ritualeve dhe proceseve.

Në të njëjtën kohë, oligarkët kërkuan të shkatërrojnë monumentet simbol të suksesit demokratik. Në vend të projekteve dhe punëve publike që i dedikoheshin njerëzve, ata përqëndroheshin tek punët që njerëzit i perceptonin si filantropi, taktikë kjo e rëndësishme për të fituar konsensusin popullor.

Oligarkët financonin ndërtimin e një godine të re apo zbukurimin e hapësirave publike. Rezultati: njerëzit vlerësonin shpenzimet e elitës në këto projekte dhe emrat e tyre do të mbaheshin mend përgjithmonë. Në fund të fundit, kush mund të jetë kundër oligarkëve që tregojnë një bujari të tillë?

Si asistent profesor i historisë në Universitetin Shtetëror të Arizonës, Simonton mbështetet tek shkencat shoqërore dhe i lidh ato me studimin e praktikave të lashta. Por, ndërsa ai pranon se oligarkitë e lashta gjithmonë përbëheshin nga të pasurit , ai fokusohet kryesisht në cështjen se si oligarkët përjetësuan fuqinë e tyre politike, jo atë ekonomike.

Për të kuptuar këtë, le të kthehemi tek një klasik i disa viteve më parë, “Oligarkia” e Jeffrey Winters. Winters argumenton se çelësi i një oligarikie, është një bashkësi elitash që kanë resurse të mjaftueshme për të shpenzuar, me qëllim ruajtjen e statusit të tyre. Ai e quan këtë “ mbrojtjen e pasurisë” dhe e ndan në dy kategori. “Mbrojtje e pronës” që do të thotë, mbrojtje e pronës ekzistuese- në kohët e vjetra ky term kishte të bënte me ndërtimin e kështjellave dhe mureve –  ndërsa sot ka të bëjë me ligjin. “Mbrojtje e të ardhurave” që do të thotë mbrojtje e fitimeve; sot do të thotë lobimi për taksa të ulëta.

Winters thotë se vështirësia për të kuptuar se si funksionon një oligariki qëndron në faktin se ne nuk para mendojmë për politikën dhe ekonominë si dy sfera të shkrira bashkë. Në thelb, oligarika funksionon duke përqëndruar fuqinë ekonomike dhe duke e përdorur për qëllime politike. Demokracia është e brishtë para oligarkisë, sepse demokratët fokusohen në garantimin e barazisë politike dhe harrojnë rrezikun indirekt që lind nga pabarazia ekonomike.

Winters argumenton se ka katër lloje oligarkish, secila prej tyre ka për qëllim mbrojtjen e pasurisë nëpërmjet institucioneve të ndryshme. Këto oligarki ndahen në kategori si, oligarki personale ose kolektive, dhe si oligarki që përdorin presionin apo jo.

Oligariktë kundërshtare, si gjeneralë lufte, janë personale dhe të armatosura. Oligarkitë sunduese si mafia janë kolektive dhe të armatosura. Në kategorinë e oligarikive të paarmatosura, oligariktë “sulltanate” ( si psh Suharto në Indonezi) qeverisen nëpërmjet lidhjeve personale. Në oligarkitë civile, qeverisja është kolektive dhe e përforcuar me ligje, jo me armë.

Bazuar në këtë klasifikim, Winters deklaron se Amerika është një oligarki civile. Duke përdorur gjuhën e fushatave të fundit politike, oligarkët tanë përpiqen të manipulojnë sistemin për të mbrojtur pasurinë e tyre. Ata përqendrohen në uljen e taksave dhe reduktimin e rregullave që mbrojnë punëtorët dhe qytetarët ,nga lakmia e korporatave.

Ata ndërtojnë një sistem ligjor të mangët dhe që punon në favor të tyre, në këtë mënyrë, shkeljet e tyre të ligjit ndëshkohen shumë rrallë . Dhe gjithë këtë e arrijnë përmes një fushate lobimi të shtrenjtë, që u jep atyre të drejtën të influencojnë politikën. Në një oligariki civile, këto veprime nuk realizohen nën tytën e pushkës dhe as nga fjala e një personi, por nëpërmjet ligjit.

Nëse oligarikia funksionon, është sepse liderët tanë institucializojnë pushtetin e tyre nëpërmjet ligjit, medias, dhe ritualeve politike. Por cfarë mund të bëhet? Si mundet demokracia të fitojë përsëri?

Winters thotë se fuqia politike varet nga fuqia ekonomike. Kjo sugjeron se një zgjidhje është të krijohet një shoqëri më e barabartë ekonomikisht.

Por si mund të mendojmë se oligarkët do të aprovonin politika, që do të  sillnin pakësimin e pasurisë së tyre, për ta bërë shoqërinë më të barabartë? Për sa kohë që e mbajnë popullin të ndarë, nuk kanë pse t’i tremben protestave dhe kryengritjeve.

Në fakt, disa komentues kanë sugjeruar se barazia ekonomike e fundit të shekullit të 20-të ishte e jashtëzakonshme për shkak të dy Luftërve Botërore dhe periudhës së Depresionit te Madh. Këto ngjarje fshinë shumë nga kursimet e të pasurve të mëdhenj. Sipas kësaj teorie, asgjë nuk mund të ndryshojë, pa një katastrofë tjetër globale.

Simonton jep një zgjidhje tjetër. Ai thotë se demokracia e mundi oligarkinë në Greqinë e lashtë për shkak të “ dobësimit oligarkik”. Institucionet oligarikike mund të kalben dhe të bien njëlloj si çdo intitucion tjetër. Teksa solidariteti dhe praktikat e oligarikut fillojnë të bien, ekziston mundësia që demokracia të risjellë qeverisjen në duart e popullit.

Në atë moment, populli mund të bashkohet deri sa protestat e tyre të sjellin ndryshim. Me gjithë trazirat në politikën e sotme, nuk është e vështirë të mendosh se kjo “kryengritje” është më e mundur sot, seç ka qenë për gjenerata me rradhë.

Dilema është, a do të kemi një dobësim të oligarkëve që më pas mund të sjellë demokracinë, apo oligarkët do të vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre mbi qeveritë…

Ganesh Sitaraman për “The Guardian” / Përgatiti: TPZ.AL 

SHKARKO APP