Trofeu i artë i Ilir Metës

Nga Roland Qafoku

Më 28 prill mbushen 3 vjet nga zgjedhja si president i Ilir Metës dhe në këtë përvjetor duket se ai po merr fitoren e parë ndaj përballjes së fortë me mazhorancën socialiste. Të paktën sipas të dhënave paraprake, raporti i Komisionit të Venecias i jep të drejtë atij në përplasjen me parlamentin lidhur me Gjykatën Kushtetutese, një përplasje të cilën ai e cilësoi grusht shteti dhe puç i hapur i kësaj mazhorance. Dhe nëse kjo konfirmohet zyrtarisht, padyshim që Meta duhet të ngrejë lart trofeun e fituar në një betejë të pandërprerë pothuajse 1-vjeçare me mazhorancën.

Nuk nishin të paktë ata përfaqësues të PS-së që në prag të këtij përvjetori betoheshin se “do t’ia festonin” Metës duke e shkarkuar në mënyrë spektakolare dhe fraza se “kjo është çështje ditësh”, linte të kuptohej qartë se Meta nuk do vijonte më të mbante detyrën e kreut të shtetit. Por tashmë kjo mazhorancë ka bërë prapakthehu me 180 gradë dhe kjo ia ka shtuar edhe më shumë vlerën kësaj fitore. Janë katër momente që ky Komisioni i Venecias i jep të drejtë presidentit dhe që tregojnë qartë dhe hapur se ai jo vetëm ka patur të drejtë juridikisht, por edhe politikisht. Pikat më të rëndësishme të Komisionit të Venecias:

Të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese.
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek Presidenti. Betimi tek Presidenti është parakusht për marrjen e detyrës”. Dispozitat e miratuara kohët e fundit, por që ende nuk kanë hyrë në fuqi…duhet të lihen mënjanë, pasi ato duket se janë jokushtetuese.

I takon parlamentit të vendosë nëse shkarkimi do të ulte apo shtonte tensionet dhe në fund të fundit, do t’i shërbente, apo do të dëmtonte synimin e ruajtjes së balancave dhe kontrollit, në një situatë kur parlamenti dhe pushteti vendor dominohen nga e njëjta parti. Pyetja që duhet t’i bëjë vetes parlamenti është ‘a do të ndihmonte vazhdimi i procedurave të shkarkimit për unitetin e popullit?’

Deri këtu Meta ka në dorë një trofe dhe kaq. Por ajo që e bën të artë këtë trofe është mbështetja që ka marrë nga diplomacia amerikane. Deri para raportit kishte një ngazëllim në mazhorancë dhe te mbështetësit e saj në media duke ushqyer opinionin me teza se Meta jo vetëm nuk e kishte mbështetje, porse SHBA ishte kundër tij në të gjitha planet. Disa madje e etiketonin armik të SHBA-së, armik të ndërkombëtarëve e etiketime që të huajtë I kishin bërë dale. Por Ambasada amerikane reagoi vrik pas publikimit të raportit paraprak duke I ulur kundërshtarët me këmë në tokë. Teksti i ambasadës në faqen zyrtare në facebook ishte më shumë se sa një mbështetje për Metën dhe një shuplakë për kundërshtarët e tij:

“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë”

Pasi jemi të sqaruar, ndonëse jo ende zyrtarisht ka një dilemë që lidhet po me presidentin Meta. Tani çështja shtrohet si do ta përdorë Meta këtë trofe të artë? A do vijojë ai aksionin politik me manifestime? Dhe më e rëndësishmja, çfarë do të bëjë ai më 15 mars, a do të zbatojë ato që tha gjatë manifestimit të 2 marsit? Vlen të kujtojmë atë që ai tha në fund të fjalimit të tij:

“Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze që luan me sovranitetin, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë u jap fjalën, në emër të këtij flamuri, se pas dates 15 mars, kur të përfundojë reforma zgjedhore, nëse ata nuk do e marrin seriozisht, unë Ilir Meta, betohem se do ta firmos atë dekret në mes të parlamentit, në mes të krimit, dhe do i bëj thirrje gjithë popullit shqiptar. Unë i pari dhe gjithë populli kuqezi”,

Por është raporti i Komisionit të Venecias që po shërben si zjarrfikës i kësaj situate. Pas kësaj, Meta jo vetëm është qetësuar nga ky raport, por ka shumë gjasa që komandën prapaktheu të mazhorancës nuk do ta zhfrytëzojë për revansh. Kjo u duk edhe në komentin e parë publik lidhur me raportin paraprak. Nga Shkodra ku po ndiqte një ndeshje basketbolli Ilir Meta tregoi vërtetë “qetësi dhe drejtësi” kur tha:

“Mendoj se kjo është një çështje e Venecias, duke qenë se vetë Venecia ka shkruar Kushtetutën tonë. Kjo mbetet që prej 115 ditësh një çështje e drejtësisë, e hetimit që të bëjë veprimet e duhura që askush në Shqipëri të mos dalë mbi Kushtetutën edhe mbi ligjin”. Në këtë situatë duket se aksioni politik nga aksioni juridik janë dhe larg dhe afër. Janë larg sepse mes presidentit dhe mazhorancës beteja sapo ka lënë pas kulmin e saj dhe askush nuk e di si dhe sa mund të zgjasë. Por, gjithashtu janë afër sepse vetëm një marrëveshje politike e zgjidh këtë situatë.

Në një analizë të javës së kaluar hodha idenë se nuk është çudi që në një situatë të tillë ku Meta ka fituar dhe Rama ka humbur, në horizont dalin zgjidhje si ato të kaluarat. Në media kanë nisur zërat sipas të cilëve emisarët kanë nisur nga kontaktet për marrëveshje. Do ishte spekulim të parashikoje se a mund të ndodhë dhe se çmund të ndodhë realisht. E vetmja gjë që mund të themi me siguri është që ky është vërtetë moment i artë i Ilir Metës. Të presim.

SHKARKO APP