Tsipras: BE të respektojë zgjedhjen e popullit grek
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras këmbënguli para eurodeputetëve se vota “Jo” në referendumin e së dielës, nuk ishte vota kundër Europës, por një mesazh për ngritjen e një respekti të plotë mes BE-së dhe Greqisë.
“Referendumi nuk ishte kundër BE-së, nuk ishte kundër bisedimeve, por ishte një mesazh i qartë dhe i sinqertë se në bisedimet tona duhet të ekzistojë respekti i plotë. BE duhet të respektojë zgjedhjen demokratike që ka bërë populli grek. Ne duam t’u rikthehemi negociatave për këtë”, tha Tsipras.
Ndërkohë, Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk kërkoi me urgjencë gjetjen e një marrëveshjeje mes Eurogrupit dhe Greqisë sa i përket borxhit të Athinës. Tusk kërkoi nga pala greke që të paraqesë propozimet e saj sa më shpejt dhe shtoi se nga mungesa e ujdisë të gjithë humbasin.
“Nëse kjo nuk do të ndodhë, do të vijë fundi i bisedimeve dhe pasojat dihen. Të gjithë dalin humbës nëse s’ka një marrëveshje. Pasoja do të ketë edhe mbi BE-në, por pjesa më e rëndë e tyre do të bjerë mbi Greqinë, ndaj është me rëndësi një marrëveshje urgjente”, deklaroi Tusk.
Presidenti i KiE-së u ndal edhe tek çështje të tjera që shqetësojnë BE-në, si kriza e emigrantëve, azilkërkuesit dhereferendumi britanik për qëndrimin ose jo në Union.