Turizmi shqiptar duhet t’i japë fund turizmit “shqiptarçe”

Nga Mero Baze

Parlamenti miratoi sot një ligj të ri për turizmin, i cili përmirëson disa aspekte ligjore të administrimit dhe standardeve të turizmit, në një kohë që Shqipëria ende vuan nga kthimi i turizmit në një treg real konkurrues dhe i rëndësishëm për ekonominë kombëtare. Për ta kthyer turizmin në një prioritet kombëtar, Shqipëria ka nevojë të bëjë jo vetëm investime domethënëse në turizëm, por dhe të orientojë gjithë politikat e zhvillimit të saj në funksion të turizmit.

Për këtë shkak, zhvillimi i turizmit është më shumë një qasje politike sesa ligjore dhe se e ardhmja e tij ka të bëjë me të ardhmen e ekonomisë shqiptare, pasi është nga shanset e pakta që kemi për të pasur sukses.

Ka disa mite, që në turizmin shqiptar duhen rrëzuar, me qëllim që ai të ngrihet nga biznes familjar në një degë të ekonomisë kombëtare dhe nga një turizëm i një vendi ish-komunist, në një turizëm të një vendi në zhvillim.

Shumica e artikujve në shtypin perëndimor, që ushqehen dhe nga operatorët tanë turistikë, janë tërheqja e turistëve të lirë, të atyre që nuk duan të shpenzojnë, që mund të flejnë me 20 euro apo dhe me çanta shpine rrugëve. Si ushqim shpirtëror, u serviret fakti që kemi qenë vend komunist që kemi bunkierë, madje që dhe ishullin tonë më të bukur Sazanin, po e hapin për të parë ku kanë fjetur oficerët.

Ky turizëm nuk është se nuk vlen, por nuk na sjell turistë cilësorë, por të lirë dhe pa ndonjë peshë në ekonominë tonë. Shqipëria duhet të shikoj me guxim tek turizmi masiv mesatar i restorteve dhe pse jo në disa pika dhe tek turizmi i luksit. Nëse ka një statistikë turpëruese për Sali Berishën për tetë vite në pushtet, është se ai nuk ndërtoi dot asnjë hotel turistik në bregdetin shqiptar. Ata që kanë mbushur bregun e Sarandës dhe Vlorës janë thjesht motele të mëdha ose të vogla. Shqipëria nuk ka ansjë hotel me pesë yje dhe kjo është një mungesë e vizionit politik të qeverisë.

Edi Rama duhet të tejkaloj pengesat burokratike dhe problemet që vijnë nga administrata e paaftë shqiptare dhe duhet të udhëheqë me guxim koncesione të tilla nga qeveria, që i japin shans ndërtimit të resorteve masive, në  se paku në dy-tre pika ende te virgjëra të Shqipërisë nga Velipoja në Borsh, për të garantuar turistin mesatar perëndimor ose lindor, që sjell në Shqipëri të ardhura reale për turizmin. Përvoja suksesi ka plot dhe janë të gatshëm, që nga Turqia e deri në brigjet jugore të Mesdheut. Këto resorte janë një arsye e fortë për zhvillimin e bujqësisë në ato zona dhe krijimin e një tregu bujqësor dhe blegtoral vendas efiçent, i llogaritshëm dhe i parashikueshëm për çdo sezon. Investime të tilla kërkojnë guxim dhe vizion politik dhe jo apartaçik që të bllokojnë për një letër, dy vjet. Në fund, nuk vlejnë shifrat e sajuara për turizmin, por çfarë lë pas çdo qeveri. Deri tani Edi Rama ka prishur dhe ka mundësuar rivitalizimin e disa territoreve për turizëm. Tani nuk ka më kohë të humbasë. Çdo zonë e vlefshme për turizëm masiv, duhet të ofrohet me gjithë garancitë ligjore për turizëm masiv, që kënaq interesat e turistit mestar dhe ofron kushte normale të kontrollueshme dhe të sigurta.

Po kaq të vëmendshëm duhet të jemi dhe ndaj disa pikave të turizmit luksoz që mund të krijojmë, sidomos në Jug të vendit në rivierë, ku fshatrat turstikë që po jepen, duhet të detyrohen për resorte luksoze që ofrojnë turistin e shtrenjtë.

Shqipëria nuk mund të mbetet peng i turistëve të lirë, atyre nga Kosova dhe nostalgjikëve të bunkerëve apo çizmeve ushtarake, që nuk na bëjnë punë.

Guximi i qeverisë për të ofruar garanci ligjore për operatorë ndërkombëtarë turizmi dhe për t’i dhënë vendit një zhvillim real në industrinë e turizmit, do të jetë e vetmja meritë ose dështim i saj. Kështu siç është, ka qenë gjithmonë. Ky nuk është turizëm dhe as industri turizmi, por pazar shqiptar i turizmit.

Turizmi masiv shqiptar i periudhës 20 korrik deri më 25 gusht, ku gjithë populli shqiptar lë punën dhe shkon në plazh dhe ky quhet sezon turistik, nuk funksionon si industry, por si traditë. Dhe si një traditë që më shumë prish punë. Hotelet dhe shërbimet turistike janë të paafta të përballojnë një superfluks për një muaj, ndërkohë që janë 11 muaj pa punë dhe e gjitha kthehet më shumë në një zakon për të shkuar në plazh sesa në një sezon turistik. Ankesat e pafundme për kushtet dhe shërbimet vijnë nga fakti se në shërbimet turistike përfshihen familjarët, të cilët nuk kanë mundësi të punësojnë profesionistë për një muaj.

E njëjta gjë duhet thënë dhe për turzimin malor, i cili thuajse nuk ekziston. Qeveria duhet të nxisë, qoftë dhe me subvencione ndërtimin e së paku dy-tre hoteleve të famshme dimërore në vend, që të mos jenë thjeshtë fjetore, por vende zbavitje dhe mundësi turistike për fundjavat e dimrit. Qindra shqiptarë udhëtojnë çdo fundjavë në dimër drejtë Malit të Zi, një vend me ofertë minimaliste turistike, ndërkohë që mundësitë e Shqipërisë janë disa herë më të larta, por nuk ka ende asnjë hotel apo resort turistik dimëror ashtu si dhe veror. Edhe Thethi e Valbona, që janë bërë të famshme si vende të turizmit malor, janë bërë për stinën e verës dhe jo për dimrin. Kjo degë e turizmit në Shqipëri është inegzistente dhe duhet investuar me shumë guxim. Në funksion të këtij turizmi, duhet vendosur dhe agro-turizmi si dhe turet malore të turizmit, që vitalizojnë një numër të madh fshatrash të bukur shqiptar, që deri më sot janë kufizuar tek një byrek në Dardh dhe një gotë verë në Voskopojë.

Të gjitha këto janë fusha ku qeveria duhet të nxisë me guxim investimet.

Nga ana tjetër, turzimi i rrëmujshëm shqiptar i sezonit të plazhit, është një masakër fiskale, një gjobvënie kolektive dhe një mundësi e vogël për buxhetin e shtetit. Në asnjë plazh të Shqipërisë nga Ksamili në Velipojë nuk të jep dikush biletë fiskale, kur ta shet shezlonin 20 euro, apo deri 150 euro në bregdetin Jalë-Dhërmi. Askush nuk të jep biletë në parkim dhe në anë të rrugës kombëtare, ku të kërkojnë lekë në Jalë dhe Dhërmi. Askush nuk të jep faturë tatimore në restorante dhe kafene, në hotele dhe shtëpi me qera. Nuk besoj se ka një muaj të vitit ku lëvizin miliona euro jashtë kanaleve zyrtare, pa marrë asgjë buxheti i shtetit. Dhe kjo pastaj kthehet në pamundësi për investime në zonat turistike dhe përkeqësim të infrastrukturës në atë zonë. Kjo pengon diferencimin e atyre që shërbejnë mire, nga ata që shërbejnë keq dhe i lë të gjithë në lojë për shkak të parave të zeza në xhep.

Që Shqipëria të flasë për turizmin, duhet t’i japë fund me guxim këtij lloj turizmi që bën. Kjo nuk është as industri, as traditë dhe as një rrugë që të çon diku. Kjo është një anarki turistike, nga e cila nuk fiton askush, as ata që s’na japin faturën fiskale, pasi në fund dhe ata bien viktimë e këtij sistemi të dështuar. Turizmi është një pikë ku ekziston nevoja për politika të qarta, të guximshme të parashikueshme dhe konkuruese në tregun ndërkombëtar. Është i vetmi shans që kemi, që përmes tij të ngjallim dhe bujqësinë dhe blegtorinë, si dhe të përmirësojmë territorin. Shanset e tjera i kemi djegur. Nëse një qeveri do hyjë në histori në këtë vend, do të hyjë vetëm nëse ia del të bëjë vërtetë diçka për turizmin. Kaq sa bëhet, bëhet vet, bëhet keq, bëhet në mënyrë të padobishme, joefiçente, të paparashikueshme dhe të paperspektivë. Është rasti kur qeveria duhet të diktoj vizionin e saj dhe jo të iki zvarrë pas vizioneve amatoreske emocionale dhe rastësore.

TEMA

SHKARKO APP