Turneu gjerman i Bashës, mes Berishës dhe Metës
Nga Mero Baze
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nisi një turne tek aleatët politik të Partisë Demokratike në Gjermani, me shpresë për të marrë një mbështetje para fillimit të fushatës elektorale. Me sa shihet nga deklaratat e politikanëve gjermanë që ka takuar Basha, ka disktuar me ta për problemin Berisha dhe për problemin Meta. Nga aq sa lexohet publikisht deklaratat e atyre që ai ka takuar, duket sikur Basha ka tentuar të bëjë një balancim rreth kërkesës së tyre për tu larguar nga Berisha me kërkesën e tij, që ata ta mbështesin qoftë edhe dorëheqjen e përkohshme të zotit Meta. Deputeti Roderich Kieseëetter ishte më i sinqertë kur tha pas takimit se: “Ai (Basha) e sheh veten si shefin përgjegjës të Partisë Demokratike, i cili sigurisht që ende mbështetet tek këshillimi i Berishës…“.
Kjo në fakt është e gjithë esenca e asaj që Basha bën në takimet ndërkombëtare, madje dhe me diplomatët e huaj rreth Berishës. Të gjithë e mbajmë mend sesi ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu, edhe pse kishte qenë kritik me Bashën, pasi ky i fundit u zgjodh kryetar i PD-së filloi të mbajë një linjë miqësore me të dhe shpërtheu kundër tij publikisht pas protestave për armët kimike, kur deklaroi se Basha i kishte premtuar në zyrë se ishte pro tyre. E vërteta ishte se në takimet me të, Basha mbante qëndrim kritik ndaj Berishës, ndërsa publikisht fliste si Berisha.
E njëjta histori po përsëritet dhe në këtë turneun gjerman të tij. Duket qartë që aleatët politik të PD-së po i kërkojnë atij të reformojë PD-në dhe të lërë pas trashëgiminë e Berishës. Dhe po ashtu, duket se Basha si çdokujt edhe atyre u ka dhënë të drejtë. Si kompesim për këtë, u ka kërkuar që ai të mbështetet në lëvizjen e fundit politike kundër Metës, duke i mbështetur kërkesën e tij për dorëheqje, qoftë dhe të përkohshme.
Disa prej tyre nuk e kanë problem ta bëjnë këtë. Kjo është një praktikë aq e vjetër në politikën shqiptare, sa tashmë është bërë bajat. Mjaftojnë dy-tre telefonata për aleancë politike dhe Basha nga një anë mund të sigurojë dhjetë deklarata për dorëheqjen dhe Meta nga ana tjetër 20 të tjera kundër. Sigurimi i një solidariteti politik në raste të tilla është banalitet që nuk sjell asgjë. Berisha ka mundur të siguroj deklarata mbështetëse dhe për vjedhjen e votive më 26 maj, madje dhe për vrasjet më 21 Janar. Rama ka mundur të sigurojnë solidaritet politik dhe për greva urie apo protesta. Këto janë praktika që shqiptarët ua kanë pirë lëngun. E vetmja gjë thelbësore që ka ndodhur në këtë turne, duket se është sprova në të cilën Basha është vënë kur i është kërkuar të reformojë PD-në, duke i kërkuar t’i japë fund drejtimit nën këshillat e Berishës.
Ky është një mision delikat i Lulzim Bashës, i cili në të vërtetë vlen më shumë sesa ai mendon, nëse e maskon me ndonjë deklaratë kundër Ilir Metës. Çështja e Metës është çështje e këllqeve politike që Basha ka në Tiranë për të diktuar dorëheqjen dhe jo çështje soldiariteti. Disa prej tyre e thanë qartë që ajo është çështje e brendshme e politikës shqiptare. Të tjerë janë gati të soldiarizohen me këtë kërkesë të Bashës, por problemi i tyre është nëse po flasin me Bashën apo me Berishën. Çështja e distancës nga Sali Berisha, ndryshe nga kjo është çështje që vendos nëse Lulzim Basha do të merret seriozisht nga aleatët e PD-së apo do të vazhdoj të shikohet si një njeri që e merr për dore Berisha dhe e shëtit nëpër korridoret e SHQUP-it.
Dhe ata nuk kanë për tu zhgënjyer nga Basha kur ai të bëj siç thotë Berisha. Ata do të zhgënjehen prej tij, kur t’ia përmendin publikisht çfarë Basha u ka thënë për Berishën dhe ky i kapur në panik, të mohojë që s’ka bërë kurrë biseda të tilla me ta. Siç i ndodhi me ambasadorin amerikan në Tiranë!
"Gazeta Tema"