Udhëheqës të Kosovës! Mos i merrni gjërat si të mirëqena dhe të dhëna përgjithmonë!
Nga Mal Berisha
Nderimi i shqiptarëve për Amerikën
Në trojet shqiptare gjenden më shumë monumente që nderojnë personalitete amerikane të cilët e kanë ndihmuar kombin shqiptar sesa në tërë Ballkanin e ndoshta edhe më gjërë, në Evropë. Që në kohën e Mbretit Zog, Porti i Shëngjinit e pat marrë emrin e Presidentit Wilson. Sot në dy kryeqytetet tona shqiptare, në Tiranë dhe në Prishtinë gjënden shtatore dhe emërtime që nderojnë burra shteti amerikanë. Ajo e Presidentit Wilson zbukuron një shesh me po të njejtin emër në një zonë nga më të bukurat e kryeqytetit. Jo larg prej tij gjëndet Rruga “George W Bush” ndërsa në qendër të qytetit Fushë Krujë qëndron po shtatorja e inaguruar ditën e vizitës së parë të atij vetë, ose thënë ndryshe e Presidentit të Parë në Shtëpinë e Bardhë që vizitoi Shqipërinë duke i ofruar asaj antarësimin në NATO si dhe njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në Prishtinë, shtatorja e Presidentit Bill Klinton qëndron krenare anash Bulevardit me të njejtin emër dhe më tej edhe një bust i Magdalenë Ollbrajtit e stolis qytetin. Një rrugë që lidh Shqipërinë me Kosovën që nga Fierza deri në Punashec të Gjakovës mban emrin e kongresmenit Eliot Engël. Po ashtu anë e mbanë Kosovës gjënden rrugë e sheshe me emrat e Senatorit Robert Dole, Sekretares së Shtetit Magdalenë Ollbrajt, Presidentit George Huber Bush dhe të riut George W Bushi, Gjeneralit Westley Clark, diplomatit Richard Hoolbruke dhe shumë të tjerë.
Kjo është shprehje mirënjohje ndaj këtyre figurave që e mbrojtën kombin tonë nga coptimi, dëbimi dhe genocidi për mëse një shekull. Ndihmesa e këtyre amerikanëve të mëdhenj nuk do të ishte e tillë pa ndihmesën e bashkësisë shqiptaro – amerikane e cila që prej fillimit të shekullit të njëzetë arriti që ta bënte çështjen shqiptare në Ballkan një çështje që të tërhiqte interesin e Amerikës. Amerika e kuptoi më mirë se kushdo se Ballkani ishte Fuqi Baroti dhe Kosova ishte vendi ku një ditë ajo fuçi mund të merrte zjarr.
⦁ Kontributi i Bashkësisë Shqiptaro – Amerikane në zgjidhjen e çështjes tonë kombëtare
Dëshmia e rradhës e kontributit të bashkësisë tonë shqiptaro – amerikane është ajo i Luftës në Kosovë, kur pa ndërhyrjen e Amerikës, mbase edhe sot e kësaj ditë rajoni do të ishte në flakë. Roli i shqiptaro – amerikanëve në këtë rrjedhë historie ishte i pazevendësueshëm. Për ta ilustruar këtë dua të përmend veprimtarinë e organizatave tona të cilat ndihmuan në zgjidhjen e çështjes së Kosovës në vitet ’90 e veçanërisht në vigjilje të luftës së vitit 1998-1999. Ishte Federata Pan Shqiptare e Amerikës, VATRA, e para dhe në traditën e saj Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane dhe Këshilli Nacional Shqiptaro – Amerikan të cilët iu kthyen parullës noliane:
“Mbahu nëno mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”
Dua të nënvizoj këtu kontributin e Joseph DioGuardit i cili në nëntor të vitit 1989 ishte shfaqur në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit në Beograd për t’ë dërguar në zyrën e Millosheviçit një letër të nënshkruar prej senatorit Robert Dole dhe 12 senatorëve të tjerë amerikanë, republikanë dhe demokratë, për lirinë e Kosovës. Që andej ai udhëtoi për herë të parë në Prishtinë dhe aty mbajti fjalimin e tij historik përpara Hotelit “Grand” kundër Sllobodan Millosheviçit. DioGuardi e vizitoi Jugosllavinë edhe dy herë të tjera deri sa iu ndalua hyrja nga rregjimi serb. Po ashtu ai, si republikan, udhëtoi në Shqipëri bashkë me kongresmenin demokrat Tom Lantosh me datën 30 maj 1990. Aty pa me sy atë çfarë po lente mbrapa komunizmi, i cili ishte në grahmat e fundit.
Zyra e Lidhjes Qytetare Shqiptaro – Amerikane gjëndej në një qytezë të quajtur Ossining në veri të qytetit të New Yorkut. Aty janë shkruar shumë dokumente të cilat kanë pasur një rëndësi shumë të madhe historike dhe një ndikim të madh në fatin e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimin e Kosovës. Aty sygjeroheshin Rezoluta Kongresi, fjalime patetike, organizoheshin takime me kongresmenë e senatorë, politikanë, studiues, analistë politikë dhe miq të popullit shqiptar. Nga ajo zyrë bëheshin telefonata, niseshin letra e mesazhe drejt Administratës, Kongresit dhe Senatit Amerikan si dhe kancelarive evropiane. Që aty i bëhej thirrje ndërgjegjes së njerëzimit për të ndërprerë një proces shfarosjeje dhe genocidale ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Që aty organizoheshin takimet me kongresmenët Benjamin Gilman, John McCain, Henry Hide, Tom Lantosh, Joseph Biden, Joseph Liberman, Gjeneralin Westley Clark, e sa e sa të tjerë. Që aty organizoheshin demonstratat që mbushnin sheshin përpara Capitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington DC. Ndërkohë, Federata Pan – Shqiptare e Amerikës VATRA e drejtuar nga ingj. Agim Karagjozi dhe Këshilli Nacional Shqiptaro – Amerikan, NAAC, bënin edhe ato të njejtën gjë të mbështetur nga aktivisti i shquar Harry Bajraktari, i afërt me mikun e njohur të shqiptarëve, kongresmenin Eliot Engel, e sa e sa të tjerë.
⦁ Mbledhje ndërpartiake e Komitetit të Mardhënjeve me Jashtë në Kongresin Amerikan për Kosovën, Mars 1999
Një ndër ngjarjet që i dhanë trajtë të ardhmes së Kosovës ishte mbledhja e Komitetit të Mardhënjeve me Jashtë të Kongresit Amerikan, në Marsin e vitit 1999. Aty u organizua një seancë dëgjimore ku u paraqitën argumenta pro dhe kundra në lidhje me mundësinë e fillimit të bombardimeve kundër objekteve ushtarake serbe.
Atë ditë bashkë me një grup shqiptaro – amerikanësh vajtëm në Washington DC. Të gjithë ishim shpresëplotë se do të bënim më të mirën për të bindur politikë-bërësit amerikanë që të na ndihmonin për çlirimin e Kosovës. Në anën ballore të sallës së atij komiteti qëndronin të ulur anëtarët e tij të cilët do të dëgjonin mendimet e dy paneleve, me nga tre anëtarë. Atë e drejtonin kongresmenët, Benjamin Gilman dhe Tom Lantosh. Zhvillimi i asaj seance dëgjimore ishte ndoshta vendimtare për fatin e Kosovës, pasi administrata mbështetej shumë në opinionin e këtij komiteti. Pasi u dha një panoramë e shkurtër, por e qartë dhe e plotë mbi situatën në Kosovë, u hap debati.
Paneli i parë dhe kryesor përbëhej nga senatori republikan Robert Dole, ish – ambasadorja reganiane e SHBA – ve në Kombet e Bashkuara, zonja Jeane Kirkpatrick dhe ish Sekretari i Shtetit, Henry Kisinger, që të tre republikanë ndërkohë që administrata ishte demokrate.
Senatori Dole u ngrit dhe me lapsin në dorën e tij protezë, e përshkroi udhëtimin e sapo përfunduar një javor në Shkup. Ai foli për dëshmitë e shumta të barbarizmave që kishte mbledhur atje për Kosovën, për shpërnguljen masive të popullsise, vrasjet, torturat dhe përdhunimet. Ai u ndal tek Millosheviçi dhe krimet e tij. U shpreh i pakënaqur me veprimet e një “lideri ushtarak” kosovar të cilin e kishte kërkuar ta takonte në Shkup në pamundësi për të hyrë vetë në Kosovë, por që i kishte thënë se ai ishte “në front në Drenicë”. “Për habinë time”, – tha ai, “po atë ditë pashë në televizion se ai ishte duke mbajtur një konferencë shtypi në hollin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë”. Toni i tij ishte tepër kritik. Senatori e mbylli fjalën e tij me thirrjen për ndërhyrje të ashpër ushtarake kundër Serbisë. “Krimineli Millosheviç”, – tha ai, – “duhet goditur ashpër, pa mëshirë dhe kështu do të mbrohej një popull, i cili po shkonte drejt shfarosjes. Ai kriminel kupton vetëm një gjuhë dhe ajo është gjuha e bombave”, e mbylli ai fjalën e tij.
Pas tij e mori mikrofonin Ambasadorja Jeane Kirkpatrick, një zë shumë i respektuar në politikën e jashtme amerikane. Ajo mbajti të njejtën linjë. E qartë, e kthjelltë, me shumë argumete ajo foli gjatë për historinë e terrorit serb ndaj shqiptarëve dhe se ata duhej të mbroheshin me çdo mjet dhe këtë mund ta bënte vetëm Amerika, bazuar në vlerat e saj demokratike dhe të ruajtjes së të drejtave të njeriut dhe të kombeve të vegjël, siç kishte bërë ndaj këtij kombi edhe Presidenti Wilson.
Pas tyre do të fliste njeriu më me autoritet në fushën e diplomacisë jo vetëm në SHBA, por edhe në gjithë botën, Henry Kisinger. Ai u ndal tek “ruajtja e sovranitetit” të një shteti, përmendi rastet kur ndërhyhet ushtarakisht dhe kur jo, dhe pse nuk mund të ndërhyhej ndaj Jugosllavisë pasi ‘çështja duhej zgjidhur vetëm me mjete diplomatike!?’
Pastaj i erdhi radha zonjës Shirley Cloise – DioGuardi, Këshilltare për çështjet e Ballkanit pranë Ligës Qytetare Sqiptaro Amerikane; Ilir Zherkës, President i NAAC, (Këshilli Kombëtar Shqiptaro – Amerikan), dhe më pas një përfaqësuesi të Institutit CATE, një organizatë jo qeveritare shumë e afërt me serbët. Argumentet e dy të parëve ishin tërësisht në një linjë me ato të Senatorit Dole dhe Ambasadores Kirkpatrick, ndërsa e këtij të fundit me ato të Henry Kisinger-it.
⦁ Libri “Shpëtimi i Hebrejve” në Shqipëri në dorën e Henry Kisinger
Pas këtyre fjalimeve u bë një pushim i shkurtër. Bashkë me Agim Aliçkajn, një aktivist i paepur i çështjes së Kosovës, iu qasëm Henry Kisingerit. Ne kishim me vete disa kopje të librit “Shpëtimi në Shqipëri”. Në tetor të vitit 1997 Liga Qytetare kishte botuar atë libër me parathënien e dy kongresmenëve Tom Lantosh dhe Benjamin Gilman. Roli i këtij libri ka qenë i jashtëzakonshëm dhe kontributi i DioGuardit në këtë drejtim është i pazëvendësueshëm. Ky i fundit më pat dhënë të drejtën ta përktheja dhe e shpërndamë edhe në shqip në dy mijë kopje. Z. Aliçkaj me libër në dorë iu afrua z. Kisinger dhe i tha:
“Ju lutem, pranoje këtë libër prej meje! Ju njiheni si një diplomat, piloglot, filozof dhe historian si dhe shkrimtari më i madh i politikës globale. Lexojeni dhe do të mësoni sesi një popull që sot është për vete në prag të shfarosjes, i ka mbrojtur hebrejtë në kohët e tyre më të vështira, ani pse për vete ishte i pushtuar nga nazistët gjermanë!”
Kisingeri e mori librin në dorë, e shpalosi për një moment dhe i tha:
“Të siguroj që do ta lexoj me vëmendje!”
Raporti i lëshuar atë ditë nga Komiteti i Mardhënjeve me Jashtë i Kongresit Amerikan nga antarë të të dy partive, demokratët në pushtet dhe republikanët në opozitë, i hapi dritën jeshile fillimit të bombardimeve të NATO – s kundër objekteve ushtarake jugosllave. Ky ishte një moment historik.
⦁ Mëngjes lufte në Ossining, New York
Mëngjesi i parë pas fillimit të bombardimeve të forcave ajrore të NATO–s kundër Jugosllavisë më gjeti në Ossining, në zyrën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro – Amerikane. Tani edhe Amerika kishte nevoje për ne, shqiptaro – amerikanët prandaj u shfaqëm në të gjitha kanalet televizive e radiofonike përfshirë VOA, CNN International, Fox-TV, BBC-TV, NBC, MSNBC, WPIX, dhe CNBC. Kjo vazhdoi gjatë gjithë kohës së luftës dhe disa kohë më pas. Pata rastin dhe nderin të paraqisja pikëpamjen shqiptare rreth asaj që po ndodhte në Kosovë në njëmbëdhjetë emisione të drejtpërdrejta televizive në CN8 Comcast Network, me gazetaren Lyn Doyle, i cili transmetonte për 110 milionë shikues të pjesës lindore të ShBA–ve, nga Trenton, New Jersey
Në çastin kur Presidenti Klinton iu drejtua Kombit Amerikan, natën e 24 Marsit 1999, pikërisht kur avionët e parë të NATO – s u nisën nga baza ajrore italiane Aviano, midis tjerash tha:
“Vijën e kuqe midis Serbisë dhe Kosovës e ka caktuar Presidenti Bush dhe këtë e dinte mirë Sllobodan Millosheviçi.”
Ndërsa i pari njeri që i bekoi ato bombardime ishte Henry Kisinger. Ai i tha CNN-it:
“Duhet shpëtuar populli shqiptar i Kosovës nga shfarosja. Këtu është në pikpyetje edhe vetë nderi i Amerikës! Tani nuk ka më kthim mbrapa!”
⦁ Pas mëse njëzet vjetësh
Në fakt liria që gëzon sot Kosova është produkt i rezistencës së vendosur të popullit të vet, angazhimit të shqiptarëve në Amerikë dhe kudo në botë dhe së fundmi, por jo për nga rëndësia, i politikës dypartiake amerikane që i ka rrënjët që nga Konferenca e Paqës në Paris me mbrojtjen që i bëri Presidenti Ëilson Shqipërisë. Çfarëdo tendence për t’i dhënë mbështetjes amerikane ngjyra politike të njëanshme, të brendshme dhe të ditës, është tërësisht e kundërt me të vërtetën.
A kemi sot një mbështetje të tillë? Po tu kthehemi emrave që përmenda më lart na rezulton se vetëm ndonjëri prej tyre është ende i pranishëm në politikën e sotme amerikane. Por çfarë kanë bërë politikanët shqipëtar këto njëzet vjet? Në pikpamjen time ata kanë “fjetur në dafina”, nganjëherë, madje ndonjëri është kapur në flagrancë në interceptime telefonike ku kanë rezultuar se besojnë se me amerikanët ata edhe mund të luajnë…! Në përgjithësi ndihma amerikane është marrë si e mirëqenë dhe një dhuratë e përhershme e rënë “nga qielli”.
Ata burra dhe gra politikanë amerikanë, që për arësye moshe dhe përfundimi karrjere sot nuk janë më në listën e miqëve tanë duheshin zevendësuar në këto njëzet vjet me politikanë të gjeneratës që pasoi.
Në fakt, përveç kongresmenit Eliot Engel, nuk rezulton të ketë ndonjë politikan tjetër aktiv në grupin e miqve të shqiptarëve ne Kongres apo Senat. Ata burra dhe gra të mëdhenj amerikanë që e shpëtuan Kosovën nga kthetrat a kasapit të Ballkanit, sot nuk janë zevendësuar me të tjerë të kategorisë së tyre. Në vend të tyre sot janë grupet lobiste të paguara nga politikanët shqiptarë të cilat i shërbejnë kujtdo që ua mbush kuletën më mirë. Fatkeqësisht ata paguhen nga grupe politike të cilat më shumë sesa shqetësimin për ruajtjen e integritetit territorial, prosperitetin ekonomik dhe rritjen e standarteve demokratike të Kosovës, shqetësohen për agjendat e tyre politke të brendshme, për mposhtjen e kundërshtarit duke u shtirur gati primitivisht se kush është më pro- amerikan se tjetri.
⦁ Për ShBA – në, çlirimi i Kosovës dhe qëndrueshmëria e saj janë çështje strategjike të sigurisë në Rajonin e Ballkanit
Atë natë bombardimesh, Henri Kisinger pat thënë se shpëtimi i Kosovës nga kthetrat e Millosheviçit ishte një çështje nderi për Amerikën. Në atë moment ashtu ishte por pas njëzet vjetësh ajo është më shumë se aq – është çështje strategjike më vlera të mëdha për ruajtjen e paqës në rajonin tonë, i cili u qetësua vetëm me çlirimin e Kosovës, me 12 qershor 1999.
Këto ditë ka pasur një artikull të gazetës “The Washington Times” e cila edhe pse përfaqëson pikëpamjen e një pakice, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, duhet të jetë e qartë se pikëpamjet e tilla po fitojnë terren me shpejtësi të dukshme në qarqe të rëndësishme amerikane. Ne shqiptarët nuk duhet të kemi iluzione se sot kemi shumë më pak mbështetës në Amerikë sesa njëzet vjet më parë. Kjo ka ardhur në këtë gjëndje thjesht dhe vetëm për fajet tona.
⦁ Mbështetja amerikane duhet të ruhet dhe të forcohet për të mirën e Kosovës dhe jo të emrave të përveçëm në Kosovë
Shembujt dhe emrat që përmenda më lart na bëjnë të mendohemi se çështja shqiptare në Ballkan dhe ajo e Kosovës në veçanti duhet të vazhdojnë të gëzojnë mbështetje dypartiake në qarqet amerikane. Millosheviçi ndoqi një politikë gjenocidale që kërcënonte paqen, stabilitetin dhe interesat thelbësore të Shteteve të Bashkuara. Një Kosovë plotësisht e pavarur, demokratike dhe e prosperuar ishte dhe është në interesin srategjik të Sh.B.A., si atherë ashtu edhe sot. Çdo dobësim i pozitës së Kosovës minon qëllimet e përcaktuara të politikës së jashtme amerikane, e bën rajonin të prekshëm nga ndikimet e jashtme keqdashëse të Serbisë dhe që këtej të Rusisë dhe Kinës dhe kështu kërcënon paqen dhe stabilitetin në një rajon shumë të paqëndrueshëm si yni. Çdo largim domethënës nga politikat e mëparshme do të zhbëjë përparimin e madh që Kosova dhe rajoni kanë bërë në dy dekadat e fundit, do të fuqizojnë regjimin autoritar të Vuçiqit dhe do të legjitimojë depërtimin rus në Ballkanin Perëndimor.
⦁ Nuk ka vend për vetëkënaqësi
Duke pasur parasyshë ndryshimet e vërteta dramatike, gjeopolitke që janë parë viteve të fundit, shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të lejojnë të vetëkënaqen me besimin e thjeshtë se Amerika na don dhe askush nuk ka se çfarë të na bëjë. Në fakt ato që kemi parë në Afganistan, Ukrainë apo Siri janë një mësim se gjërat nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë. Ato edhe mund të ndryshojnë ndërsa politikanët e Kosovës duhet që të dëshmojnë se përse e meritojnë mbështetjen e Amerikës? Kjo duket më së pari se si sillen ata vetë më Kosovën, territorin e saj, Kushtetutën e saj, popullin e saj. Mbi të gjitha, nëse në Washington, çdo politikan shqiptar i Kosovës ka një agjendë të vetën apo të grupimit të vet politik, në formën e përçarë me të cilën ne shqiptarët paraqitemi përpara botës, ato grupe lobiste që paguhen me taksat e shqiptarëve të Kosovës, i bëjnë më shumë dëm se sa nder çështjes tonë.
Tani mbetet vetëm një rrugë për të kthyer vemendjen dhe besimin ndaj shqiptarëve aty ku ishte para njëzet vjetëve: Unifikim i faktorit shqiptar dhe harmonizmi i qëndrimeve të të gjitha partive për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës; respekt dhe bashkëpunim me bashkësinë shqiptare në Amerikë e cila ka bërë aq shumë dhe mund të bëjë prapë dhe më shumë, por jo e parcelizuar; investim moral dhe përpjekje për mbajtjen lart të interesave amerikane, qëndrueshmërine rajonale dhe dëshirën amerikane për të ndihmuar kombin tonë.
Është momenti që, pikërisht kur kujtojmë heronjtë dhe viktimat e luftës të mos harrojmë se politika si çdo gjë tjetër ka dialektikën e vet.
Fragmentarizimi i lobimit në Washington, përçarjet politike dhe shkelja e standarteve demokratike kushtetuese, përfshirë këtu korrupsionin, e mbajnë Kosovën në stanjacion, në mos e kthejnë edhe mbrapa.
⦁ Liria, pluralzimi dhe demokracia kanë dhimbjet e veta
Një politikani i madh amerikan, mik i vyer i Kosovës, kur Kosova ishte në agimin e lirisë pat thënë:
“Kur të çliroheni do të ndjeni gëzimin e madh të fitores por nëse e keqpërdorni lirinë do të ndjeni edhe dhimbjet e forta që sjell pluralizmi dhe të drejtat politike që iu janë mohuar deri më sot.”
Mesa duket ato dhimbje këtë kohë po ndjehen më shumë se asnjëherë.
Vërtetë Kosova ka ndryshuar dhe ka përparuar shumë në këto njëzet vjet por edhe ka humbur shumë në raport me mundësitë që iu dhanë nga aleati ynë i përhershëm, Amerika dhe miqtë tjerë. E megjithatë nuk është vonë për udhëheqësit kryesorë që të ndërmarrin masa të menjëhershme por shumë efikase për të bërë që Kosova të ndjekë një rrugë të qartë për të konsoliduar shtetësinë e saj dhe të bëhet një vend me një shoqëri me të vërtetë të bashkuar, demokratike dhe të prosperuar. Këtë udhëheqësit e saj ia kanë borxh sa miqve tanë ndërkombëtarë, aq edhe shqiptarëve që dhanë jetën e tyre për liri, atyre që kontribuan kudo që janë, si dhe brezave të ardhshëm të shqiptarëve.
Mal Berisha
Antar Nderi i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, Ish aktivist i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane,
Shënim:
Autori ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbetërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe si dhe antar i stafit Ndërkombëtar të UNMIK – ut në Kosovë.