Udhëtim në zemër të Afrikës

 

Nga Blendi Fevziu
Komandanti i patrullës ul kokën dhe me një vështrim mosbesues depërton brenda makinës. Pak më parë ka bërë shenjë që shpejtësia të ulet, por gjithsesi kjo është e detyrueshme nga pengesat gjarpëruese që janë vendosur në autostradë, thuajse 100 metra nga postblloku. Në dy anët e tij, të zhytur mes thasëve me rërë, qëndrojnë ushtarë të pajisur më mitralozë, me gishtin në këmbëz dhe gjerdanët me fishëkë që derdhën në anën e armës së rëndë. Janë gjithë sy e veshë. Ju kanë mësuar se befasia është çelsi i suksesit. Nëse je i vëmendshëm; nëse e dallon armikun, nëse e eleminon atë, shpëton. Nëse je neglizhent, nëse nuk ke kujdes, mund të përfundosh nën breshëritë e Boka Haram ose edhe më keq, në shpërthimet e kamikazëve që mund ta shndrrojnë vendrojen plot thasë me rërë në një hiç.

Kur dallon të bardhë ai bëhet befas i kujdesshëm, bën me dorë të ecim dhe në fytyrë i sajohet një buzëqeshje e ngërdheshur!
A ka rrezik nga Boka Haram, e pyes duke qeshur!

Këtu nuk ka Boka Haram, përgjigjet ai, Boka Haram është në veri, në Kanu!

Pas shpinës së tij lartohet shkëmbi i zi i Zumas. Legjendat nigeriane thonë se në zemrën e tij flenë shpirtrat e këqinj dhe të trazuar të Afrikës. Shpirtra që nuk duhen trazuar kurrë. Në të kundërt të ndjekin mbrapa gjithë jetën, ç‘shpirtra kanë trazuar banorët veriut të Nigerisë, pyeta veten të nesërmen ndërsa ulesha në raportin e Kacinës, qindra km në veri të Abuxhës, Kryeqytetit të Nigerisë.

Qyteti shtrihet në kufirin me Nigerin, dikur pjesë e tij që i është bashkuar Nigerisë pas shpalljes së pavarësisë në epokën post koloniale. Mbetjet e fundit të Saharasë bashkohen këtu me pak vegjetacion të zbehtë, duke i dhënë gjithë fushës një pamje të zbërdhylët dhe pa asnjë lloj bukurie. Si mund të jetojnë njerëzit në këtë vend, pyeta veten, ndërsa autokolona jonë bëhej sanduiç mes dy makinash me ushtarë të armatosur rëndë? Ushtarët me kapele dhe uniforma çuditërisht të ndryshme, ngrinin kokat dhe tytat e kallashnikovëve mbi çatinë e hapur të makinës.

Do udhëtonim për në selinë e Guvernatorit të Kacinës, njeriu më i rëndësishëm në provincë, i porsa zgjedhur në mënyrë demokratike, por që e administron Shtetin në një mënyrë të çuditshme. Nigeria është një sistem federal i përbërë nga 36 shtete. Sistemi është po ai që britanikët ngritën për të administruar një territor kolonial. Guvernatorin e emëruar e ka zënë një guvernator i zgjedhur, ndërsa autoriteti më i rëndësishëm moral i zonës është Amiri. Ngjan pak më bejlerët apo pashallarët e dikurshëm të Shqipërisë. Rrjedh ngë e njëjta familje që prej 800 vjetësh dhe e mban postin e tij përjetë. Amiri merr 5 % të të ardhurave të shtetit dhe zgjidh shumicën e problemeve mes banorëve. Më shumë se sa shteti dhe gjykata, vendos Amiri se kush ka të drejtë në një konflikt. Ai jep mendim po ashtu se ku duhet investuar; se ku duhet shtrirë infrastruktura dhe se si duhen zgjidhur problemet e qytetit. Britanikët nuk e prekën autoritetin e Amirit dhe shteti i ri i Nigerisë në 1960 u mbështet edhe më fort mbi ta. Pak kohë më vonë pata mundësinë ta shihja këtë miksim të autoriteteve. Selia e guvernatorit ishte një seri shtëpish një katëshe, të shtrira në një hapësirë të gjerë dhe të rrethuar nga të gjitha anët me ushtarë dhe tela me gjemba. Një oaz sigurie, ku Guvernatori jeton në botën e tij. Një botë që nuk pyet për askënd, që nuk i intereson asgjë. Për të, bota përtej, konfliktet, gjeopolitika, s’kishin asnjë rëndësi. Rrinte rëndë dhe më vonë, kur deklaroi se do na shoqëronte vetë tek Amiri e kuptova edhe më mirë autoritetin, një autoritet i pakuptueshëm në Europë. U nis me një seri makinash të targuara njësoj, më dy kamiona ushtarë dhe një ambulancë që ecte nga pas me nxitim. U nis nëpër ca rrugë të pluhurosura ku banorët e qytetit ecnin me vrap anash makinave dhe e përshëndesnin.

A janë vërtet kaq të lumtur me të, mendova, apo thjeshtë ai përfaqëson një autoritet dhe autoriteti nuk sfidohet në këtë vend?! A i shqetëson këta njerëz gjendja e tyre apo ndihen mirë në mizerjen dhe paditurinë e tyre? Kanë lindur kështu, jetojnë kështu; edhe baballarët e tyre kanë jetuar kështu; edhe fëmijët e tyre besojnë se do jetojnë kështu. Por bota po hapet dhe vështirë që fëmijët e këtyre burrave të pluhurosur dhe të zbathur, që kanë jetuar me qindr vjet me po atë stil jetese, do të duan të jetojnë si prindërit. Vështirë që ata të besojnë sërish tek autoriteti i Amirit. Një burri të rëndë me sytë gjysëm të mbyllur që rrinte ulur në një dhomë të vogël prej baltë mbi të cilën ishte gdhendur viti i ndërtimit, 1348! Për të arritur deri tek ai duhej të kalojë në një seri oborresh dhe korridoresh, në të cilat rrinin ngjeshur njerëz të zhurmshëm dhe të pistë. Njerëz që bërtisnin dhe unë nuk e kuptova asnjë moment nëse ato piskama ishin mirëserdhje apo mos aprovim ndaj nesh. Dhoma u ulët kishte vëtëm një kondicioner dhe një televizor si stolitë e vetme moderne në mes të një Afrike që thuajse nuk kishte ndryshuar prej 700 vitesh!
Presidenti Buhari kishte lindur në Kacina dhe Amiri i këtij shteti kishte edhe më tepër autoritet. Për këtë arsye Bexhet Pacolli që e shoqëronim në vizitë kishte vendosur të merrte një takim me të, duke besuar se respekti ndaj njerëzve të tij do ndikonte tek presidenti për njohjen e Kosovës. Pacolli e njeh mirë Afrikën. Ka vizituar 50 prej 54 vendeve të saj. Ai ka arritur të sigurojë falë lidhjeve personale 28 njohje të vendeve Afrikane për Kosovën. Nigeria ka qenë gati, por ndikimi i Beogradit duket aty ende i fortë. Nigeria, shteti më i madh dhe ekonomia më e madhe e Afrikës, nuk e ka njohur Kosovën. Ndikimi i saj në shtetet rrotull është aq i madh sa njohja duhet marrë me çdo kusht. Rritja e fuqisë së Nigerisë ndihet kudo. Vendi me afro 180 milion banorë ka rritjen ekonomike më të lartë në kontinent, ka Pasanikun më të madh të Afrikës, ka 5 ndër njerëzit më të pasur të planetit; ka një klasë milionerësh marramendës; numrin më të madh të avionëve privatë në botë; rezervat e 10 më të mëdha të naftës në planet; është vendi i 21 më i zhvilluar ekonomik. i botës, pjesëtar i G21 e njëkohësisht një popullsi që vuan fort nga varfëria. Vendi numëron mbi 100 milion të varfër, me një kontrast të frikshëm mes të pasurve dhe të varfërve. Konfliktet etnike e kanë cfilitur atë, si ky i fundit i Boka Haram. Popullsia e ndarë mes veriut mysliman dhe jugut kristian po ashtu ka krijuar jo pak probleme. Muhamad Buhari, presidenti i ri është i pari shef i opozitës që rrëzon me zgjedhje të lira një President në pushtet. Deri më sot Presidentët ose i kanë vrarë ose kanë vdekur. Buhari ka fituar me një diferencë prej 3 milion votash dhe në ceremoninë e tij janë mbledhur 54 Presidentë nga bota. Përfshi Sekretarin Amerikan të Shtetit Kerri.

Boka Haram duket shqetësimi i tij kryesor. Këta na e pranon edhe një njeri i afërt i Presidentit ndërsa ecim me nxitim në rrugët e Kanu, qytetit ku Boka Haram ka sulmuar dy herë dhe ku ata janë më aktivë. Në rrugë janë vendosur pengesa dhe ka kudo postblloqe, çfarë kërkon Boka Haram e pyes mikun tim?
Janë kundër mënyrës perëndimore të jetesës më përgjigjet ai! Nuk duan që vajzat të shkojnë në shkollë, nuk duan ligje dhe besojnë më shumë tek sheriati!

Kush janë e pyes sërish?
Nuk e di më thotë. Askush nuk e di kush janë liderët e saj dhe cila është filozofia. Boka Haram mund të jetë secili prej këtyre që sheh në rrugë. Mund të jetë edhe ky ushtari apo oficeri që qëndron në Postbllok për të na ruajtur prej tyre.

Para nesh ecën një makinë me ushtarë që mbajnë në kokë berreta me ngjyra të ndryshme dhe unifoma që dallojnë nga njëra – tjetra. A mund që dikush prej tyre të veshë në mbrëmje edhe uniformën e errët të Boka Haramit, mendova. Që një ushtar si ai të jetë kaq i dyzuar, një kërcënues i sigurisë e njëherazi një ruajtës i saj? Makina ecën me shpejtësi dhe ushtarët duken edhe më agresivë. Kanë vështrime depërtues dhe kontrollojnë përreth me bindjen se ai që nuk ka mendjen e pëson. Kush cedon i pari vdes i pari. Po kush i vret ata realisht?

A është militanti i Boka Haramit që i qëllon një prej tyre? Po aq i varfër dhe me po ato probleme si ai? A është vrasja e një të varfëri nga një tjetër i varfër në emër thjeshtë të një ideologjie pa sens? A janë ata të dy njësoj. Po me ato probleme që sjell varfëria dhe që dikush ka gjetur t’i shfryjë në këtë mënyrë, në këtë drejtim, duke shpresuar.
E kisha vështirë t’i jepja përgjigje gjithë këtyre pyetjeve në mbrëmje, ndërsa Kanu e Boka Haram kishte mbetur mbrapa dhe ne qemë kthyer sërish në Abuxha. Kryeqyteti federal, i ndërtuar në 30 vitet e fundit. Me një arkitekturë moderne ai synonte të rregullonte gjithë problemet e kryeqytetit të vjetër dhe tradicional, Lagosit, e njëkohësisht të refelektonte gjithë shkëlqimin e një Nigerie të fuqishme, të bekuar nga fitimet e naftës.

Kisha udhëtuar brenda ditës në dy realitete të ndryshme: në luftë dhe në paqe; në varfëri dhe në luks; në Afrikën tipike e tradicionale dhe në kapitalizmin modern. Ishin të gjitha reflektim i një shteti, i Nigerisë, ku si në shumë vende të botës, kontastet mbeten të mëdha. A kam të drejtë ta paragjykoj këtë vend, pyeta veten të nesërmen, ndërsa avioni fluturonte mbi shkretëtirën e pamasë të Saharasë. Si shqiptar mendoj se jo. Edhe pse jam i bindur që shumë bashkëpatriotë të mi mund ta shohin me përçmim Afrikën, unë që kam udhëtuar disa herë aty, e di që për shumë gjëra ne jemi më afër me ta dhe më larg me Europën ku jetojmë…
Abuxha Maj 2015

SHKARKO APP