Udhëtimi i pamundur në kohë

 

Nga Artur Zheji

 

Të udhëtosh në kohë është e pamundur. Por mendoni se sa i dobishëm do të ishte për njerëzimin udhëtimi në kohë. Me disa kthime pas në kohë dhe me disa ndreqje në gabimet që bëjmë në zinxhirin e ngjarjeve të jetës, ne apo të dashurit tanë, do të mund të jetonim më shumë dhe shumë më mirë. Fatmirësisht kemi kujtesën. Edhe kujtesa nëse kthehet mbrapsht me besnikëri, mund të rindërtojë bollshëm filmin e vetvetes.

Filmin, por jo atë që iku pas, e që pas nuk kthehet më!

Sepse njeriu udhëton në kohë, duke patur si “times machine” kujtesën, pra dhe ndryshimet nga njeriu te njeriu, shpeshherë përcaktohet nga aftësia e tij për të udhëtuar. Në kohën që iku dhe në hapësirën që nuk është më po ajo.

Si edhe e shikoni, tani në valë të nxehtë të fushatës, tundimi për ta shtjelluar këtë temë është pak të them, jashtëzakonisht më tërheqës se sa të rendisësh radhonj e radhë për fushatën zgjedhore që po jetohet këto ditë.

Mirëpo duke qenë se jemi në kornizën e një gazete politike, të cilën njerëzit e blejnë me shpresën që të kuptojnë diçka më shumë për të sotmen e afërt politike të gjërave, ku një ese për Kohën, Udhëtimet në Kohë të së Ardhmes apo në Kohë të së Shkuarës, do të ishin piktura për korniza të tjera…

Me pakënaqësi të thellë, më duhet të ndez një çibuk tjetër e të ndrroj duhan pra, si i thonë fjalës. Për fushatën pra, që po i afrohet fundit.

Mirëpo kjo “përtesë” për të shkruar mbi fushatën e tashme zgjedhore nuk se vjen vetëm nga tundimi marramendës për të shkruar për Udhëtimet në Kohë, që padyshim do të shuante kureshtjet më të jashtëzakonshme njerëzore.

Çështja është se kjo Fushatë është, pak të themi e Zakonshme.

Asgjë heroike nuk po shpaloset dot në të. Asgjë e pangjashme apo tronditëse në mënyrë themeltare nuk të tërheq vëmendjen në mënyrë të posaçme.

Kjo sepse, Dyshimet janë gjithmonë më të shumta se Besimi, që më të shumtat e fjalëve që thuhen edhe kësaj radhe, do të mund të kthehen në vepra. Pikërisht në kohën kur nevoja për të rikonceptuar me themel Qytetin apo Fshatin, apo Bregdetin shqiptar, është sot, më shumë se kurrë.

Kjo ndjehet edhe në këtë Fushatë zgjedhore, pasiqë programeve perfekte u mungojnë paratë e duhura publike për zbatimin real të këtyre programeve. Kjo është njëra anë e medaljes.

Nga ana tjetër, mungojnë sprovat e besueshme, që trysnia e parasë së ndërtuesve do të mund të mos fshijë mjaft nga paragrafët më tërheqës të këtyre programeve.

Rezistenca morale apo ligjore, ndaj parasë që blen dhe zhbën programet, që gëlltit lulishte, vret pyje apo mbjell beton të shëmtuar në det, është e sprovuar tashmë.

Më së shumti, zgjedhjet i fiton ajo. Paraja që blen programet, dhe jo programet që votojnë njerëzit.

Si anëtar i një Partie Pozitiviste, që nuk ekziston, kam dashur mjaft herë, edhe përtej interesave të mia të vogla, të pranishme edhe tek unë si tek çdokush, të anoj më shumë nga Besimi, sesa te Dyshimi. Në kuptimin e asaj të thjeshtës fjalë që thotë, më mirë të bëjmë diçka të vogël më mirë, se sa të bëjmë keq, duke thënë që, më mirë në këtë vend nuk mund të bëhet kurrë.

Kam dashur të besoj se në thellësinë e fundme të Njeriut dhe të Njerëzores ka sidoqoftë një shkëndijë të së Mirës, që si edhe na mësojnë Librat e Shenjtë të çdo feje, e kemi dhuratë Hyjnore që në ngjizjen tonë më të hershme. E pra, kjo shkëndijë duhet të vendosë një Cak, një tavan, përtej të cilit, pa kuptuar se si, të bërit keq për qytetin, fshatin apo detin tënd, duhet të bërtasë diku në brendësi të këtyre krijesave mëkatare.

Duke respektuar mosbesimtarët, që këtë Shkëndijë nuk e njohin, do të doja të besoja se, së paku Arsyeja e shëndoshë do të bërtiste edhe ajo. Sepse në këto 25 vite marrëzie ndërtimtare përshembull, plazhet e njohura të Durrësit, Kavajës, Shëngjinit, Sarandës, janë sot, ca geto antituristike. Po ashtu shumë nga qytetet tona janë burim sëmundjesh astmatike, kanceroze apo shkak neurozash masive, sepse ngjajnë edhe ato me ca geto.

Geto dhe Kryevepra të Dëshpërimit urban. Krejtësisht antinjerëzore. Dhe ende nuk mund të themi se “Shkëndija” është ndezur apo se arsyeja e shëndoshë ka filluar të bërtasë.

Në shumë filma hollivudianë, heronj imagjinarë, kthehen pas në kohë përmes makinave të kohës të së ardhmes dhe korrigjojnë krimet e së shkuarës, duke dashur të shmangin tragjeditë e të sotmes apo të së nesërmes së tyre. Këta personazhe, duke u kthyer pas në kohë, këpusin disa nga hallkat e zinxhirit të së Keqes, që buron kryesisht nga makutëria njerëzore, duke korrigjuar në mënyrë inteligjente dhe të arsyeshme historinë njerëzorë të një shekulli më pas.

Më thoni, kush do të mundte ta bënte dot këtë në Shqipëri? Mos u nxitoni të më kujtoni që Makina e Kohës nuk është shpikur ende. Kaq besoj e dini, se edhe unë e di.

Por urbanistët, shkencëtarët e qyteteve pra, nëse do të rekomandonin shpyllëzime masive betonesh në qytete, si edhe po bëhet fatmirësisht në disa segmente bregdeti të privilegjuara, a jemi gati të paguajmë koston përkatëse? Sepse pa një shpyllëzim betonesh, pyllëzimet e drurëve janë të pamundura në këto farë qytetesh.

Dihet pra që përgjigja është jo, kur nuk mundemi ende, në zona të mbipopulluara, të ndalojmë ndërtimet e reja, që ua shtrëngojnë lakun qyteteve edhe më shumë. Deri sa t’i vdesin. Mjafton që paraja të rrjedhë. Kush vdes nga kjo, le të vdesë…

Ose të përshtatet! Ky është morali i kapitalizmit tonë primitiv të ndërtimeve.

A nuk ju thashë që do të ishte më argëtuese t’ju kisha shkruar se çfarë mendoj për Udhëtimet në Kohë?

Sepse në të vërtetë, diku thellë, unë mendoj që një ditë kjo ndoshta do të jetë e mundur. Kini edhe ju besim në këtë. Do të ishte e vetmja zgjidhje. Pavarësisht se për këtë nuk ka zgjedhje. Së paku tani afër.

Mapo

 

SHKARKO APP