Unë nuk votova dhe sot kam një pishman …
Nga Endrit Shabani
Isha rreth 6 vjeç dhe – mbas 5 dekadash spektakël popullor me kuti votimi – Shqipëria po mbante për herë të parë zgjedhje të lira. Atë mbasdite me tu kthyer babai nga puna, u pispillosëm mirë e mire dhe u nisëm për një ngjarje të rëndësishme që zhvillohej 500 metra larg shtëpisë. Me të mbërritur tek qendra e votimit, që praktikisht ishte shkolla e lagjes, pritëm gati një orë në një rradhë të egër që ngjante shumë me rradhat e qumështit të asaj kohe.
Unë nuk e kuptoja mirë se çfarë ishte kjo gjëja e rëndësishme që ndodhte në cep të dhomës së votimit, por nisur nga pasioni me të cilin i përdornin brrylat burrat dhe gratë përreth, mendoja që duhet të ishte diçka tepër e rëndësishme. Këtë mendim dhe një ndjesi kurioziteti vazhdova t’i kisha deri kur votova për herë të parë në 2005. E megjithëse ato erdhën duke u zbehur, sëbashku me kuptimin e votimit, unë kam votuar gjithmonë. Gjithmonë deri këtë Qershor, kur për herë të parë u bëra pjesë e komunitetit më të madh politik në vend, 60 përqindshit që i bëri naftën zgjedhjeve.
Mirëpo, megjithëse jetoj prej disa vitesh jashtë Shqipërie, këtë 25 qershor unë isha në Tiranë. As Bajramin nuk e festoj, dhe as nuk tutem nga vapa. Kështuqë këto broçkullat me vapë, festë dhe emigrant, nuk e shpjegojnë bojkotin tim. As të familjes sime, miqve të afërm, apo të njohurve të tjerë që për herë të parë nuk votuan këtë vit. Ne thjesht këtë vit nuk kishim për kë të votonim. Jo se herët e tjera kemi patur, por këtë herë ndaluam së luajturi lojën e të keqës më të vogël.
“E përse nuk kishe për kë të votoje zotrote?”më tha dikush para pak ditësh.
Si fillim në fletën e votimit unë nuk kisha emrat e atyre që do të më përfaqësonin në parlament, por vetëm emrat e partive, të cilat nuk nënkuptojnë asgjë më shumë se sa emrat e kryetarëve të tyre. Kështuqë zgjedhja ishte midis Ramës, Bashës dhe Metës.
Rama, vinte në zgjedhje jo vetëm pa bilanc për mënyrën se si kishte qeverisur për një mandat, por edhe pa ndonjë premtim konkret se çfarë do të bënte nëse fitonte. E vetmja gjë që garantoi ai këtë fushatë ishte argëtimi. Këtë të fundit e bën vërtet mirë, por unë gjithësesi votoj për Portokallinë.
Në anën tjetër kisha Bashën që megjithëse ka qenë plot një dekadë në pushtet (6 vjet ministër dhe 4 vjet kryetar bashkie), kandidonte si axhami që sapo ka zbritur nga avioni i Amsterdamit (pa pikën e llogarisë apo bilancit personal).
I treti ishte Meta, që deri sa ishte kryetar i LSI sillej si president duke ofruar mandatin e tij për hir të Shqipërisë, ndërsa kur u zgjodh president u shfaq i gatshëm të sakrifikojë Shqipërinë për hir të mandatit.
Së fundmi, përveç partive të mëdha, kisha edhe disa parti të vogla të cilat kryesisht janë riprodhime në miniaturë të partive të përmendura më lart. LIBRA që mund të bënte përjashtim nga kjo kategori, ishte aq e paorganizuar sa as vetë nuk synonte qeverisjen e vendit, por vetëm një apo dy vende në parlament. Çka nuk është keq, por nuk ofron zgjidhje të problemit.
Pra unë kisha aq mundësi zgjedhjeje në këto zgjedhje saç ka dikush në një supermarket që tregton të njëjtën verë të thartuar të vendosur në shishe me madhësi të ndryshme dhe me etiketa të reja e plot ngjyra.
“Pse mo, Rama ta ka fajin që s’ke alternativë?” thonë me shpoti militantët.
Që mungesa e alternativës nuk është vetëm faj i Ramës apo Bashës, kjo është e qartë. Por ama ata kanë një pjesë të mirë të përgjegjësisë duke qenë në krye të një sistemi oligarkik të mbyllur si bunkerët bërthamor të Enverit. Këtë sistem-bunker nuk ka burrë nëne ta depërtojë nga jashtë, ndërsa tek dera rrijnë një dorë bajrakatarësh që kanë zaptuar rubinetët dhe kanë varur çelësat e sistemit në qafë.
Këta bajraktarë modern bëjnë para për tu marrë me politikë, dhe merren me politikë për të bërë para. Për pasojë kanë përqëndruar pushtetin dhe paranë, dhe e trajtojnë pronën publike si ta kenë pazar personal. Ndërsa pjesa tjetër e popullit ka të drejtë vetëm të ëndërrojë për një mundësi skllavërimi në “bajrakun” e tyre.
E duke patur akses në legjislacion, këta bajraktarë janë kthyer edhe në ligj edhe në Maliq, duke e ndërtuar sistemin ligjor si kostum që qepet me porosi për tiu përshtatur interesave të tyre. Dhe nuk është surprizë që interesi i tyre është të bëjnë shumë para dhe të mbeten të patrazuar në pushtet.
Shembulli më i qartë është Kodi Zgjedhor, i cili është hartuar gjithmonë nga drejtuesit e dy partive të mëdha, dhe për pasojë ka favorizuar gjithmonë vetë ata, duke e bërë shumë të vështirë për këdo tjetër që ka ndërmend t’i sfidojë nga jashtë. Për të ta ilustruar, mendo që në këto zgjedhje Partia Socialiste mori 48% të votave, por 53% të vendeve të Parlament. Pra 5%, apo 7 deputetë, nuk ia dha populli por formula zgjedhore (mos harro që me 67 deputet nuk do kishte timon). Po kështu PD-ja fitoi 4 deputet më shumë se ç’do t’i takonte me një skemë tjetër zgjedhore. Nga ana tjetër, Partia LIBRA fitoi mbi 2% të votave, dhe duhet të kishte të paktën 2 deputetë, por që në fakt nuk mori asnjë për shkak të pragut zgjedhor.
Por mos harro që numri i deputetëve në Parlament është vetëm fundi i një proçesi të gjatë të padrejtë, të pabarabartë dhe të pandershëm zgjedhor. Në fushatën zgjedhore, partitë e mëdha kishin rreth 200 herë më shumë kohë televizive për të shpalosur programin zgjedhor, prezantuar liderin dhe madje për të bërë edhe gallatë për shtatë palë qejfe. Mundësi kjo që iu mohua plotësisht partive të reja, duke bërë që votuesi i zakonshëm mos e dinte fare çfarë ofronin këto parti.
Për më tepër, ndryshe nga partitë e reja, partitë e mëdha marrin para nga buxheti i shtetit për të bërë fushatë. Përveç kësaj, ato përfitojnë nga fonde të ligjshme dhe të paligjshme që iu vijnë herë nga biznesmenë që kërkojnë favore, dhe herë nga trafikantë që kërkojnë lirinë. Shtoji kësaj edhe fuqinë korruptuese dhe intimiduese që kanë partitë e mëdha që kontrollojnë pushtetin vendor apo qëndror, për të kuptuar sa e vështirë bëhet përballja në terren.
Së fundmi, partitë e reja janë të diskriminuara tek procesi i numërimit të votave, ku dyshimet për tjetërsim të votës janë shumë të mëdha. Partitë e mëdha kontrollojnë të gjithë trupën e administrimit të zgjedhjeve nga KQZ deri tek numëruesit (pa përmendur kolegjin zgjedhor), duke e rritur rrezikshmërinë që votat për alternativat e reja të ndahen si plaçkë mes partive të vjetra. E shumta që partitë e reja mund të bëjnë është të shohin live se si iu vidhen votat.
Nëse do më tepër prova që mekanizmi partiak është ai që të jep pushtetin, kërko jo më larg se Erion Veliaj dhe G99. Megjithëse një grup frymëzues të rinjsh, G99 nuk mori as një mandat në zgjedhjet e 2009. Mirëpo me t’iu bashkuar PS-së, të njëtët njerëz u zgjodhën kryetar bashkie, deputetë dhe anëtarë të këshillave bashkiak.
Në këto kushte, në një garë të kontrolluar tërësisht nga oligarkët që janë në krye të sistemit, bëhet e pamundur për të patur alternativa të reja në fletën e votimit. Sigurisht që ka raste kur parti të reja lindin si pjesë e lojës së partive të mëdha, por skema të tilla nuk prodhojnë kurrfarë alternative.
“Mirë mo mirë, por po nuk votove s’ke të drejtë të ankohesh” më thonë me kokëfortësi disa dallkaukë.
Ata që ndajnë këtë botëkuptim, duhet patjetër ta mendojnë njeriun si një farë ariu polar që nga dhoma e votimit kthehet direkt në shpellën e tij, për tu zgjuar nga gjumi letargjik katër vite më pas. Një besim të tillë të verbër për ta dorëzuar jetën tek një përfaqësues, dyshoj ta ketë edhe besimtari fetar më fanatik tek përfaqësuesi i Zotit në Tokë.
Gjithësesi unë mendoj ndryshe. E drejta ime për të marrë pjesë në punët publike, për tu organizuar politikisht dhe për tu shprehur nuk ka lindur dhe nuk shuhet me votën time. Jo më kot këto të drejta më garantohen me kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare. E sikur kjo të mos mjaftonte – pavarësisht se sa mund të kisha dashur – mos votimi nuk më përjashton mua nga detyrimi për të paguar taksa dhe tatime. Kështuqë si taksapagues i rregullt unë jo vetëm që kam të drejtë të ankohem, por edhe të ushtroj presion të vazhdueshëm tek ata që i (keq)administrojnë këto taksa.
Por a e di unë se mos-votimi im nuk i pengon partitë që të marrin pushtetin? Sigurisht që e di, por duke qenë se për mua partitë nuk ndryshojnë fare nga njëra tjetra, në thelb është njësoj sikur të kisha votuar. Ama, ndryshimi është se po të kisha votuar do të legjitimoja partinë fituese, të cilës i lind e drejta ta konsiderojë votën time si mbështetje për zullumet e veta. Kështuqë, hollë-hollë unë kam më shumë të drejtë të ankohem se sa ata që me votën e tyre i kanë dhënë forcë morale bajraktarit të rradhës.
E për ta mbyllur, dua të theksoj se hiç fare nuk kam unë pishman që këtë qershor hoqa dorë nga pretendimi se njëri është e keqe më e vogël se tjetri, sepse është e qartë që po t’i heqësh emrat vështirë se mund të dallosh njërin nga tjetri. Votuam në 1992 me shpresën se Berisha do të sillte demokracinë, por ai doli më diktator se Ramiz Alia. Votuam në 1998 se Nano tha që do na kthente paratë e firmave, por në fakt ai na la një thes me borxhe të tjera. Votuam sërish në 2005 Berishën që me ‘duar të pastra’ të luftonte korrupsionin, por korrupsioni i tij desh hodhi në erë gjysmën e Shqipërisë. Votuam në 2013 Ramën që të rilindte ekonominë, por ai e bëri ekonominë rrush, kumbulla e palma. Kështuqë këtë herë më mirë të zgjidhja për të mos zgjedhur.
Por a më mungoi atmosfera e qendrës së votimit? Sigurisht që po. Vetëm se këtë herë nuk kisha më asnjë kuriozitet. Pavarësisht se sa fort do ta shtynin njëri tjetrin, ata burrat dhe gratë tek cepi i dhomës, nuk do të mund ta ndalnin bajraktarin e radhës që t’i vjedhë dhe varfërojë më tepër. Ndërkohë unë, duke shijuar freskun e një mbasditeje vere, e kurseva kohën për të shkruar këto rreshta. E megjithatë, që mos të të gënjej, një pishman e kam këtë herë… Po pse dreqin kam shkuar dhe kam votuar gjithë këto vite?!
(lapsi.al)