“Unë s’kam asnjë problem, nëse vijnë 600.000 sirianë në Shqipëri”

Nga Rezart Lahi – 

Unë s’kam asnjë problem nëse vijnë 600.000 sirianë. Madje do më bëhej qejfi.

1- Të paktën do të ketë kush të punojë se, shqiptarët e ngelur këtu përtojne t’ia prishin lezetin kafes për një rrogë 300 mijë lekëshe edhe pse nuk kanë asnjë ditë eksperiencë në CV.

2- Të paktën do të ketë më shumë konsum se ka disa “Qendra Tregtare”, ku po të vritet dikush nuk ka dëshmitarë se, veç shitëseve nuk shkel njeri tjetër. Shqipërisë i duhen të paktën edhe 1 milion banorë ekstra – shqiptarë, apo jo!

3- Të paktën do të kemi disa njerëz që s’do rendin qorrazi pas partive sa herë vijnë zgjedhje locale, apo kombëtare.

4- Të paktën do kemi edhe ndonjë hidraulik, bojaxhi, teknikë lavatriçesh, apo elektricist (qoftë edhe sirianë që flasin gjysma fjalësh) që të vijnë në shtëpi edhe pasdite, apo në darkë, pasi ustallarët tanë janë si në punë shteti – po i kaloi orari zyrtar bën mire të mos i shqetësosh. Shqiptarët përtojnë.

– Jemi kaq racë dembele në vendin tonë dhe kaq punëtor kur të tjerët na nënshtrojnë. Në Greqi, Gjermani, Amerikë, apo Kanada pastrojmë banjot, këtu të njëjtit njerëz përtojnë të shtypin galexhantin.

Në rastin më të keq edhe emigrantët sirianë janë si ne, dembelë në shtëpinë e tyre dhe punëtorë në emigracion.

Në rastin më të mirë i fusin shqiptarët në konkurrencë siç ndjenë konkurrencën Tiranasit kur njerëz me ambicie dhe punëtorë erdhën nga rrethet dhe patën sukses në qytetin e tyre.

Përveçse racistë, siç jam dhe unë kulturalisht i brymosur, jemi harraqë e mosmirënjohës.

Harraqë se, në ‘90, ’97, apo 2013 ju sulëm Europës herë të paveshur dhe me aroma që kundërmonim nëpër qytetet europiane dhe kërkonim pak mbështetje. Tani edhe mbështetjen që po na kërkohet të japim sillemi si parizienë që nuk e njohim emigracionin.

 

Në vend që të sulmojmë Ramën për çdo vjedhje që bën çdo ditë – për vjedhjet në hapësirë – ku na merr ajrin dhe na e zëvendëson me beton, na bën çdo ditë një tender pa konkurrentë, duke falur lekët tona 5 miqve të tij – në vjedhje, ku jepet 1 milionë euro për të bërë një faqe interneti – ku lejon në mos drejton qarkullime masive heroine nga Shqipëria në Europë – ku shkatërron biznesin dhe forcon të fortët e kriminelët – ku ndërton burgje e fal stadiume e teatro…. shkojmë dhe e sulmojmë për pranimin e 600.000 sirianëve, që më shumë i bëjnë mirë se keq shqiptarëve.

 

Kjo s’ka të bëjë me mikpritjen, por me barazinë. Ishalla ka ardhë dita, ku ne të mund të presim emigrantë. Por, druaj se s’ka ardhur akoma!

SHKARKO APP