Unë them mendimin tim, ti tund kokën tënde

Nga Enkel Demi

Të enjten është dita e kapjes. Dikur sapo mori pushtetin Edi Rama thoshte që të enjten e ka ditën që merret me opozitën, sepse ditët e tjera ia kushton punëve të qeverisë. Prej kohësh kjo ditë e fundjavës ngjan me një shfaqje të tipit “Apartamenti 2XL”, ku të gjithë aktorët improvizojnë. Fjala vjen, kjo e enjte risolli në jetë epitetin “kokëqepë” që ishte zhytur prej vitesh në harresë. Apo kur një zonje i drejtohesh në mënyrë përkeqësuese me emrin Manushaqe. Anipse ky emër nuk shkakton kurrfarë shije të keqe, gjithsesi gjuha ka ngjyrimet e saj emocionale. Këtë duhet ta dijë më mirë se kushdo Ylli i Shamunaqes, partizani i vogël i teatrit me kukulla, ku thuhet batuta elegante: “Sa i butë qenke ti, mër Zhelal”.

Në jetën e sotme politike kemi edhe Yllin e Shamunaqes, edhe Zhelalin, edhe kokëqepën, frikacakun, qelbësirën, halabakun, shokun e Visit. Të tërë këta shpërthejnë të enjten, të cilën Lorenc Vangjeli e konsideron pa të drejtë si e enjtja e doktorit. Jo, Lenc, është e enjtja e të gjithëve si tek “Apartamenti…”, kur Ed’ Oga i thërret me radhë aktorët në skenë.

Kaq ndikuese është tashmë e enjtja në mediat elektronike sa nuk ka televizion informativ që nuk e jep drejtpërdrejtë. Në fakt, detyrim ligjor ka vetëm RTSH, por të tjerat i tërheq pas shikueshmëria. Kjo do të thotë që spektakli është i garantuar. Sherrnaja mbledh shikues, ndaj jepet pa ndërprerë. Më pas faqet elektronike, veçanërisht në fundjavë, propozojnë batutat që nuk u dëgjuan me zë të lartë, sepse mikrofonët qenë bërë memec. Është një farë rubrike që ngjan me ndodhitë e llogjeve të Kavajës, pra e lehtë, gazmore, megjithëse lexon tmerre.

Sot, të jesh njeri kundër politikës është në modë. Madje, ka një trend që nëse kërkon të formosh disi opinion publik duhet të jesh anti-politik, mundësisht t’i fusësh në një kallëp të tërë. Unë nuk mendoj kështu. Them se politika është një zeje në shërbim të qytetarit, e cila duhet bërë nga profesionistë, ashtu si hidrauliku, elektriçisti që bëjnë shkollat profesionale aq shumë të dashura për qeverinë. Por, sot politika ka shkaktuar një zvjerdhje me publikun deri në neveri, sepse nuk prodhon më. I ngjan një plake shterpë që nuk hedh në tregun e opinionit as ideologji, as ligje të mira, as reforma, as zgjidhje. Propozon harbutërinë e disa personazheve që udhëheqin skenën, e dominojnë atë, që e kanë marrë peng. Ata janë bërë digë e jetës normale të politikës, pasi me siguri në ditë më të paqta nuk do të mbijetonin. Kjo ka bërë që ata të sjellin si të vetmit aleatë në Kuvend banditët e bashkë me ta dhunën verbale të komunikimit, e cila më pas shpërbëhet në grushta mesoresh, afër shurrtoreve të aulës.

Kjo, për pasojë sjell një hendek të madh mes qytetarit dhe atyre që gjasme janë zgjedhur t’i shërbejnë. Kjo sjell atë shfaqje të së enjtes, e cila prodhon logore, por jo vota, sepse gjindja dhe të zgjedhurit janë si ato drejtëzat e kithëta që kurrë nuk do të takohen.

Vangjo Kozma dhe Jani Duri dikur bënin një emision në Radio Tirana, i cili titullohej: “Unë them mendimin tim, ti tund kokën tënde”. Një emision që e ndaloi, e mbylli politika, duket për ta marrë për vete, peng për ditën e enjte.

27.al

SHKARKO APP