Vdekja e një racisti
Nga Enver Robelli –
Në një botë të lirë, secili ka të drejtë të dëgjojë muzikën që dëshiron. Por në një botë të lirë askush s’mund ta mbysë të vërtetën. Njoftohet se në Novi Sad ka vdekur këngëtari serb Gjorgje Ballasheviqi. Në bazë të dridhjeve tektonike në Twitter, duket se pikëllimi mes kombeve të sllavëve të jugut është i madh. Një ish-kryeministre kroate shkroi në Twitter se po mërzitet që sonte nuk është në Novi Sad për ta përkujtuar. Boshnjakë (myslimanë) nga Sarajeva po vajtojnë po ashtu. Serbët po se po. Maqedon(as)overiorët gjithsesi. Gjorgje Ballasheviqi mund të ketë qenë këngëtar dhe kantautor vërtet i mirë. Kush këndon, keq s’mendon. Thonë sllavët e jugut. Por duhet thënë edhe një të vërtetë: ndaj shqiptarëve të Kosovës Gjorgje Ballasheviqi ishte racist! Këtë duhet thënë edhe në ditën e vdekjes së tij. Sepse ka pasur kohë të pendohet. Të kërkojë falje. Bota perëndimore i ka parë krimet serbe në Kosovë, sidomos më 1998/99. Dhe bota perëndimore ka ndërhyrë për të shpëtuar një popull nga krimet e një regjimi kriminal të Beogradit. Gjorgje Ballasheviqi së paku 20 vjet ka pasur kohë të kërkojë falje. S’e ka bërë kurrë. Andaj mbeten fjalët e tij raciste kundër shqiptarëve. Kur thoshte “atje (në Kosovë) është krimi”, “u shumuan ardhacakët nga terri fqinj”, “nga vendi pa histori, pa shpezë, pa piktorë, balerina, violonçelistë”. Ankohej racisti Gjorgje Ballasheviqi se kush i vendosi shqiptarët “mes nesh”, ah, jo ai thoshte “šiptari”, se kështu ultranacionalistët, kriminelët, fashistët duan të tregojnë njëfarë epërsie “kulturore” ndaj shqiptarëve. Epërsi po na treguakan zhurmuesit artistikë që heshtën e toleruan që regjimi që e zgjodhën vetë të kryejë gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërorë. Në Srebrenicë. Epërsi po na treguakan zhurmuesit artistikë që heshtën e toleruan që regjimi që e zgjodhën vetë të vrasë fëmijë e të rritur në Kosovë. Për historinë s’kemi ç’flasim shumë. Sepse duhet të flasim për ardhacakët dhe hyzmeqarët e pushtuesve osmanë dhe nazistë. Edhe Josip Broz Tito e provoi rezistencën kundërnaziste në Serbi (në Republikën e Uzhicës) dhe iku në Bosnjë, sepse paraardhësit e Gjorgje Ballasheviqi më më qejf i shërbenin çetnikëve të Drazha Mihajloviqit. – Shkojmë pak në mesnatë me ca këngë të asaj këngëtares që po e stolis ballinën e TIME.