Vëllai im grek…
Fejton
Nga Thoma Goga
Kjo histori ka ndodhur vite e vite të shkuara kur më arrestuan e më mbajtën tre ditë në burg “për kalim të paligjshëm të kufirit”… E ç’kalim i paligjshëm, a derëzi?! Tërë jetën këtë punë kemi bërë ne. Po ktheja bagëtitë në stan, kur dëgjoj një ulërimë.
– Ndal! Kush kalon?!
– Jam Çeçua, nuk shikon?! – u përgjigja dhe vazhdova rrugën.
– Ndal, se të qëlloj!
Ç’të bëja, mo, ndalova. Kisha një bidon me qumësht. I bëra “kakën” e lëshova. Ama, mua nga frika çiçi më shpëtoi.
– Parrullën!- më tha ushtari. Shqeva sytë e thashë se mos bënin shaka me mua.
– Ç’ia fut pordhës…
– Nuk e njohim këtë parrullë, -tha komandanti.- Je i arrestuar. I vini hekurat…
Për sytë e ballit, më vunë ato byrzylyqet në dorë. Nuk mora as avokat, se s’kam ”takat”…U habitën të gjithë, mo. Këta të kufirit më kanë marrë edhe si kallauz, domethënë si dëshmitar, a udhërrëfyes. Sidomos kur zinin refugjatët që ia mbathnin nga malet. I njoh mirë këto anë. Kam një jetë që i kullos bagëtitë në tokat e grekut. S’më thotë njeri “plaç” me gojë. Eh, si janë këto bregore bukuroshe. Kot nuk u ka kënduar ai Çajup Frashëri…Apo nuk janë ato pllaja, ato pyje të gjelbëruara. E kam llafin për matanë nga greku se këtej nga ne, janë bërë ku thërret qameti. Varda spata…Nejse, tjetër hall kam.
Nga s’më shkonte mendja pa filluar gjyqi! Te fëmijët dhe bagëtitë po se po. E ku të më shkojë, unë s’merrem as me politikë. Hë, që thoni ju, fiqiri më shkoi edhe te një mik. E ndjeja mungesën e tij. Te Kristua mo, bari grek. Bari ai e bari unë. Pavarësisht nga kufiri, njëlloj e bënim këtë punë. Si merremi vesh ne, mo? Në fillim vetëm “kalimera,…jasu…,kalla”. Pastaj, meqë mua s’ma mbante truri greqishten, i mësova shqip Kristos. Po si e kapi Kristua shqipen, sikur ta kishte karamele! Menjëherë, të thom. Ja për shembull: “Mirëmëngjesi!”- i them. “Mangjesh, qirje, Çeço”, -përgjigjet. Po ku ta ngjesh, mo?! Bëj dhe ndonjë shaka unë. E kupton mavria. Qesh dhe greku, njësoj siç qeshim edhe ne…“Si je sot, qirje,?”- e pyes. “Kalla, shyqyr. Kam gjak sqiptari, -më thotë shpesh, – e ne të dy ngjajmë shumë me njëri – tjatrin…Toidhio si di pika ujë…”. U u ç’vete gjithë ditën, shkërmoqim qyfyre. Tashti vonë më ka treguar se nëna e tij, Athinaja, na paska ruajtur bagëtitë me një grua nga anët tona. Po një fshat kemi qenë, mo. Ra shejtani në mes dhe na ndau…
– Uu, dale pa dale, -i thashë dhe erdha në fiqir. – Ajo që ka ruajtur bagëtitë më tët’ëmë ka qenë plaka ime, Kristulla. Ajo i mblidhte gjithë bagëtitë e fshatit dhe i kulloste këtyre anëve. U kam rritur me mundime, më thoshte, ndjesë pastë.
Edhe Kritua u çel në surrat, erdhi në fiqir.
-Ne, ne, fiks fare, Kristulla ishte. Edhe mbrëmë e kujtoi plaka ime. Foli dhe për babain tënd. Athinaja ime më thotë gjithmonë “të merrte gjak në petull…”.
E është ca ndryshe kjo fjalë, bëlbëzova unë, po ai mirë që s’ia ka “ngrënë” fare “petullën”…Si është kjo dynja. Fshat e tabijat, shtëpi e histori. Kur nëna u sëmur rëndë, punën e saj me bagëtitë e bëri babai. Eh, sa shpejt i hyri në sevda ajo punë. Bile në fillim qëndroi edhe ca netë pa ardhur. Flinte në stan. Unë kam qenë kërthi i vogël, po nëna rrëfente se u bë dhe merak. Gojët e liga thanë e ç’nuk thanë! Ja, thanë se e kishin parë edhe me Athinanë… Tashti i bie hilesë, pse ngjajmë ne të dy me Kristo grekun…O po, si dy pika raki, të thom. Dreq u punë! Edhe Kristua të than në raki, toidhio si babai im… Ama dhe Athinaja, grua besnike. Për të nderuar plakën time Kristulla, ndjesë pastë, djalit ia vuri emrin Kristo… Më duket se ato gojët e liga, nuk ia paskan futur kot!…E ç’ta zgjas, jemi bërë miq shtëpie. Po ç’miq, o derëbardhë, ne shkojmë më shumë se vëlla e shkuar vëllait.
E, që e pata llafin te gjyqi. Kur u ngrit kryetari për vendim, dëgjoj një zë që ulëriu. I pataksi të gjithë.
– Me leje, qirje krietar i gjyqit. Jam qitetari greku,- tha. – Me thonë Kristo Malaka.
Shqeva sytë. U u byrazeri grek! Sa u gëzova, për sytë e ballit!
-Si e shikoni, kam ardhur me gjineka. – vazhdoi Kristo, -Me keni arrestuar padrejtësisht vëlai im…Ç’është kjo “kalim i paligjshëm i kufirit”. Të dhjefsha kufirin! Po ne një fshat kemi qënë, mo. E Çeçua i kullot bagëtitë në tokat e tija në Greqia!…Nuk besoni, mo? Ja pasaporta, ja dhe tapia…
I kishte rregulluar vetë të gjitha, mavrija. Për sytë e ballit, më shpëtoi. A drejtësia, drejtësi ! Në vend m’i hoqën biziliqet…
Po tashti vërtetë jam në hall. Greqisë duket se i kanë ardhur ”ato” dhe i kanë rënë brekët fare. Thonë se do i ngejë edhe duart, edhe këmbët përpjetë…U pa ajo punë. Mirë që kemi andej djemtë tanë azganë, që nuk përtojnë e ta mbajnë në lule të ballit. Ç’them dhe unë ?! Ata ta mbajnë edhe në lule, edhe në tule…Ja kanë mbërthyer mirë ”petullën” Greqisë…Se ne nuk e lëmë të na vuajë komshija. Po unë më shumë kam hallin e vëllait tim grek. Atij si t’ia bëj?! Hë për hë i dërgova ca bar të thatë ta ketë për bagëtitë, se të njomin e duam vetë. Nuk i dihet…I dërgova dhe ca raki që ta shtyjë me gjizë. Kështu vëllai im grek, për ca ditë, po e harron fjalën “krizë”…Kishte ardhur në qejf e më mori në telefon. Ishte i gëzuar mavrija dhe e dini si më tha?
– Efgaristo poli vëllai ima, me duket vetja si kryeministër i Greqisë!…